Si do të votojnë ish-jugosllavët në Austri? | Evropa | DW | 20.05.2016
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Si do të votojnë ish-jugosllavët në Austri?

Kandidatët për president të Austrisë janë kaq të ndryshëm, sa që kësaj radhe për fatin e tyre mund të vendosin edhe votat e shtetasve me oirgjinë nga Ballkani. Po cili kandidat është më i afërt për ish-jugosllavët?

„Nëse votoj, do ta votoj Van der Bellen (kandidati i ekologjistëve), por ende nuk e kam vendosur nëse do të dal në zgjedhje. Varet si ta kem predispozicionin në mëngjes“, thotë me buzëqeshje Osmani nga Bosanska Krupa, gjatë një bisede në byrektore me shokët e tij në Vjenë. Shoku i tij Mirsadi është pak më serioz dhe mendon se çdo votë mund të jetë vendimtare në këto zgjedhje. „Ai Hoferi (kandidati i të djathtëve) po paraqitet tani si një njeri i mirë dhe i matur, por mendoj se është shumë i rrezikshëm dhe se po e fsheh fytyrën e tij të vërtetë“, mendon ai. Në anën tjetër të qytetit, në restorantin "Markova koliba", Petri nga Kragujevci thotë, se "djathtistët po u vardisen tani serbëve në Austri, por nuk jam i sigurt se sa të sinqertë janë ata. Por mendoj se është mirë që duan ta zvoglojnë numrin e të huajve në Austri, sepse këtu janë mbledhur njerëz nga të gjitha anët".

Alexander Van der Bellen dhe Norbert Hofer janë kandidatë për president në zgjedhjet e së dielës (22.05). Kurrë më parë nuk ka pasur kandidatë kaq të ndryshëm në zgjedhje. Petri dhe Osmani thonë se zgjedhja është shumë e thjeshtë, kur dihet që presidenti mund t'i influencojë zhvillimet në këtë vend, pra të vendosë edhe për fatin e shtetasve të vendeve nga ish-Jugosllavia.

"'Ata rrallë dalin në zgjedhje dhe nuk kanë ndonjë qëndrim të prerë politik. Por kësaj radhe mund të jenë vendimtarë në zgjedhje", thotë Goran Novakoviq, shkrimtar dhe përfaqësues i një organizate për integrimin. Është shumë e mundur që djathtistët të mobilizojnë më shumë shtetas me origjinë nga Serbia, e ndoshta edhe nga Kroacia dhe Bosnja, sepse ata mendojnë se politika e ekologjistëve është tepër liberale - në radhë të parë ndaj refugjatëve nga vendet islame, por edhe ndaj pakicave. "Zgjedhësit me origjinë nga ish-Jugosllavia dallojnë këtu nga vet austriakët, sepse mendojnë se në Austri nuk ka më vend për asnjë të huaj, e të mos flasim për terroristë potencialë“, pohon Novakoviq.

Strategjia populiste

Edhe partia FPÖ ka kërkuar mbështetjen e serbëve në Austri, kundër "islamizimit të Evopës", që mund të influencojë edhe votimin e shtetasve me origjinë nga Bosnja. Publicisti Nenad Memiq, shpjegon: „FPÖ përpiqet që të komunikojë me komunitetin serb, në radhë të parë me qëndrimet kundër pavarësisë së Kosovës, por edhe me qëndrime problematike ndaj Bosnje-Hercegovinës, siç është ftesa e Millorad Dodikut nga Republika Serpska për vizitë në Vjenë. Është kjo hera e dytë radhazi që Dodiku u sugjeron serbëve në Austri që të votojnë këtë parti djathtiste. Politika e tillë ofensive është e pranueshme për serbët që jetojnë në Austri, sepse ata reagojnë në mënyrë shumë emocionale për Kosovën dhe Bosnjen. Por një numër shumë i madh i serbëve kanë lindur këtu dhe vendosin edhe mbi kritere të tjera dhe jo mbi bazën e "interesave nacionale serbe", thotë Memiq. Shumica e zgjedhësve me origjinë nga ish-Jugosllavia megjithatë votojnë tradicionalisht socialdemokratët, por ata nuk janë në këto zgjedhje. Ndaj shtrohet pyetja sa do të mund të indentifikohen me ekologjistin Alexandar Van der Bellen.

Österreich Wien TV Duell Norbert Hofer gegen Alexander van der Bellen

Dueli televiziv mes rivalëve Norbert Hofer dhe Alexander van der Bellen

Vlerat socialdemokrate

Një nga të rrallët që është aktiv në politikën austriake, është Ahmed Husagiq, nga Sarajeva, i cili është anëtar i socialdemokratëve. Ai mendon se njerëzit me origjinë nga ish-Jugosllavia nuk do të provokohen nga idetë djathtiste dhe do të votojnë kandidatin ekologjist. "Shumica është e vetëdijshme se politika e përçarjeve ka çuar deri në shkatërrimin e ish-Jugosllavisë. Ndaj për ne ideja socialdemokrate është më e afërt se ajo djathtiste e FPÖ", mendon Husagiq, duke shtuar se "opcoini i vetëm i arsyeshëm në këto zgjedhje është Alexander Van der Bellen. Kompetencat e presidentit të Austrisë nuk janë të mëdha. Funksioni i tij është më shumë përfaqësues, sepse ligjet miratohen në parlament. Por nëse ndodh ndonjë ndryshim i madh në këto zgjedhje, ato mund të influencojnë edhe zgjedhjet parlamentare. Zgjedhja e një djathtisti mund të forcojë idetë nacionaliste. Ndaj Husagiq mendon se zgjedhësit duhet të mbështesin vlerat socialdemokrate.

Komunikimi agresiv

Duelet e kandidatëve për president kanë dëshmuar një nivel të ulët komunikimi. Ekspertët e komunikim thonë se kandidati Norbert Hofer e ka ndërprerë rregullisht dhe me qëllim çdo lloj debati konstruktiv, me kontestimin e legjimititetit të bashkbiseduesit dhe me ofendime personale. Kjo strategji ka lënë përshtypje tek ata të cilët rrinë në kafenenë "Lepa Brena" dhe tërë ditën dëgjojnë muzikë turbo dhe pinë raki. „E kam parë duelin televiziv dhe Hofer e shkatërroi Van der Bellenin. Unë do të votoj për Hoferin, sepse ai është kundër ardhjes së myslimanëve në Austri", thotë serbi Marko.

Ndërsa Nedad Memiq dhe Goran Novakoviq mendojnë se reagime të tilla nuk do ta influencojnë në masë votimin për president. Ata besojnë se në përcaktimin e zgjedhësve nga hapsirat e ish-Jugosllavisë më shumë do të vendosin vlerat tradicionale të partive në Austri. "Personat më pak të formuar politikisht, votojnë për të djathtët dhe konservatorët, në dallim prej atyre që e kuptojnë më shumë politikën dhe janë më të arsimuar", konstaton Memiq.