Si aktivistët e të drejtave qytetare gjunjëzuan regjimin e RDGJ-së | Gjermania | DW | 09.10.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Si aktivistët e të drejtave qytetare gjunjëzuan regjimin e RDGJ-së

Më 9 tetor 1989, rreth 70 000 njerëz demonstruan në Lajpcig për më shumë liri dhe demokraci. Ndryshe nga parashikimet, forcat e sigurisë së RDGJ-së nuk ndërhynë. Një vështrim retrospektiv mbi një datë vendimtare.

Sapo ka kaluar ora gjashtë e mbrëmjes, kur portat e Kishës së Shën Nikollës hapen dhe njerëzit turren jashtë. Dhjetëra mijëra protestues po i presin para kishës dhe te sheshi Karl Marks: të rinj, familje të reja, punëtorë, pensionistë. Të paktën 70 000 njerëz nga të gjitha shtresat shoqërore të RDGJ-së kanë mbledhur gjithë guximin e tyre në këtë 9 tetor 1989 për të dhënë një shenjë proteste kundër regjimit monist socialist të RDGJ-së.

Një demonstratë kaq e madhe nuk ishte parë prej dekadash në RDGJ, ku protestat që kritikonin regjimin ishin përgjithësisht të ndaluara. Shumë protestues prisnin të ndodhte më e keqja, përfshirë edhe që policia të qëllonte mbi ta. Tanke dhe trupa me mitralozë të shpërndara nëpër qytet rrinë në gatishmëri për të ndaluar protestat. Masakra e Tian'anmenit në Qershor 1989 në Kinë është ende e freskët në kujtesën e tyre. Por, si për mrekulli, pushteti i lejon demonstruesit këtë të hënë të shprehin pakënaqësinë e tyre dhe nuk ndërhyn.

Demonstrata e të hënës në Lajpcig, më 8 tetor 1989 (picture-alliance/dpa/Lehtikuva Oy)

Turma njerëzish vërshojnë drejt qendrës së Lajpcigut dhe thërrasin "Ne jemi populli", "liri, zgjedhje të lira" dhe "Jo dhunë". Shumë prej tyre mbajnë qirinj ndër duar. -

Dëshmitarët kujtojnë

30 vjet kanë kaluar që atëherë. Por ata që ishin atje atë ditë e mbajnë mend mirë atmosferën. "Atë ditë, atmosfera ishte tejet e nderë. Njerëzit e dinin se sot është dita e vendimit," kujton Kathrin Mahler Walther. Ajo ishte vetëm 18 vjeçe në atë kohë dhe aktiviste në Lëvizjen e të drejtave civile.

Qyteti i saj i lindjes, Lajpcigu - qyteti i dytë më i madh në RDGJ pas Berlinit Lindor - ishte bërë një nga fortesat e rezistencës në vitet 1980. Pika më e rëndësishme e takimit është Kisha e Nikolait, ku çdo të hënë pasdite, në orën 5, mbaheshin Lutjet e Paqes. "Që kur atë mbrëmje nuk u qëllua, u bë e qartë se tani e tutje do të fillojë hapja", kujton Mahler Walther.

RDGJ- Lutja e Paqes në Nikolaikirche më 09.10.1989 (foto-aleancë / ZB)

Opozita mblidhej në lutjet e paqes në Nikolaikirche të Lajpcigut - më 9.10.1989

Regjimi i RDGJ-së në 1989, 40 vjet pas themelimit, gjendej në një krizë të thellë politike dhe ekonomike. Gjithnjë e më shumë njerëz përpiqeshin të largoheshin. Lëvizja për të drejtat e Qytetarëve sa vinte e gjente më shumë përkrahës. Ndërsa Mihail Gorbaçovi në shtetin vëlla, Bashkimin Sovjetik, kishte nisur një kurs reformash  dhe në të njëjtën kohë vendet e Bllokut Lindor si Polonia dhe Hungaria po hapeshin, kreu i RDGJ-së Erich Honecker i refuzonte kategorikisht reformat.

Fuqia e medias (perëndimore)

Sigurisht, televizioni shtetëror i RDGJ-së nuk harxhoi as një fjalë për protestat në edicionin e lajmeve. Por pamjet e demonstratës së Lajpcigut të 9 tetorit 1989 u shpërndanë në të gjithë botën falë dy operatorëve të fshehur në kullën e një kishe në qendër të Lajpcigut, prej nga kishin regjistruar ngjarjen.

Siegbert Schefke gazetar gjerman (picture-alliance/dpa/J. Woitas)

Siegbert Schefke - gazetari gjerman qe regjistroi demonstratën e Lajpcigut

Njëri prej tyre ishte Siegbert Schefke. Të shihje se sa njerëz ishin në rrugë duke lëvizur, thotë ai sot, ishte një "moment ngjethës". Sepse atij iu bë e qartë: "Kur këto plane të dalin nesër në televizionet perëndimore, ato do të ndryshojnë jo vetëm RDGJ-në, por edhe Gjermaninë, Evropën dhe botën". Videokaseta u kalua fshehurazi në Gjermaninë Perëndimore. Pastaj shumë gjëra ndryshuan. Gjithnjë e më shumë njerëz nisën të merrnin pjesë në demonstratat e së hënës, jo vetëm në Lajpcig. 

Vetëm tetë ditë më pas Erich Honecker u rrëzua nga Byroja Politike. Por kjo nuk i mjaftoi popullit: Më 4 nëntor 1989, të paktën gjysmë milioni protestues dolën në Berlin për lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit. Dhe vetëm disa ditë më vonë, më 9 Nëntor 1989, do të rrëzohej përfundimisht edhe Muri i Berlinit.