Shuplakë për presidentin - Forcohet opozita pas zgjedhjeve parlamentare në Ukrainë | Bota | DW | 27.03.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Shuplakë për presidentin - Forcohet opozita pas zgjedhjeve parlamentare në Ukrainë

Numërimi i votave pas zgjedhjeve parlamentare në Ukrainë të dielën (26.03) po ecën me ritme të çala. Megjithatë qysh tani mund të thuhet, se presidenti Viktor Jushenko ka pësuar një goditje

Ish-kryeministrja, Julia Timoshenko

Ish-kryeministrja, Julia Timoshenko

Presidenti nuk duhet të zgjidhej. E megjithatë Viktor Jushenko me partinë e tij "Nascha Ukraina" është humbësi më i madh prej zgjedhjeve paralmentare në Ukrainë. Për heroin e dikurshëm të revolucionit të portokalltë ky është një dështim i dyfishtë: Rivali i tij, Viktor Janukoviç feston ringjallen politike me lëvizjen e orientuar nga Rusia "partia e rajoneve". Eshtë pikërisht ky Janukoviç, që pas falsifikimeve masive të votave në zgjedhjet presidenciale përpara 15 muajsh u detyrua të largohet nga posti prej kryengritjes popullore.

Fituesi i dytë në zgjedhjet presidenciale është Julia Timoshenko. Rezultati i mirë i saj është surpriza e këtyre zgjedhjeve. Fakti që ish-kryeministrja me bllokun e saj elektoral "Bjut" është siç duket forca e dytë, përbën një shuplakë për presidentin.

Jushenko dhe Timoshenko kanë qenë dikur aleatë. Megjithatë pas pikëpamjeve të ndryshme për politikën ekonomike dhe akuzave reciproke për korrupsion, presidenti i ri e shkarkoi kryeministren nga posti. Në këtë mënyrë çifti i lumtur i revolucionit paqësor qytetar u nda me sherr. Vota e zgjedhësve mund t´i ribashkojë ata. Alternativë nuk ka, nëse synohet të parandalohet dështimi i ideve reformiste të lëvizjes së portokalltë.

Riforcimi i opozitës tregon, se sa e vështirë është bërë situata për reformatorët në Kiev. Shumë njerëz janë të zhgënjyer prej rezultateve të deritanishme të politikës së reformave. Reformat në ekonomi nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Edhe lufta kundër korrupsionit, për të cilën është angazhuar kaq me vetëmohim presidenti Jushenko ka mbetur në vendnumëro në ingranazhet e aparatit shtetëror. Viktor Janukoviç dhe "partia e rajoneve" që ai drejton përfitojnë prej këtyre gabimeve dhe prej pavendosmërisë së presidentit.

Tani Jushenko ndodhet nën presion. Nëse ai nuk ia del që t´i sheshojë mosmarrëveshjet me Timoshenkon, atëherë do të fitojë revanshi i forcave të vjetra. Nëse ndodh kjo, Jushenkos do t´i duhet të aranzhojë me rivalin e tij Janukoviç, duke e ndarë pushtetin me të. Kjo edhe pse nuk mund të jetë fundi i kthesës politike në Ukrainë drejt Evropës, me siguri që do të shënojë një goditje të fortë praprakthehu për procesin e reformave.

Jushenko nuk do ta ketë të lehtë vendimin për një aleancë të re me Timoshenkon. Si kryeministre ajo i stepi investitorët perëndimorë me politikën e saj ekonomike populisste. Ajo ka tendencën e një politike individualiste, ndaj nuk është aspak komode si partnere koalicioni.

Megjithatë demokracia është arti i kompromiseve. Edhe nëse krijimi i koalicionit do të jetë i vështirë, po të krahasojmë gjendjen me Bjellorusinë zgjedhjet në Ukrainë janë shprehje e një përparimi demokratik.

  • Data 27.03.2006
  • Autor Bernd Johan
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArM3
  • Data 27.03.2006
  • Autor Bernd Johan
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArM3
Reklamë