1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shumë refugjatë punojnë si punonjës të kualifikuar

kna dpa
29 Dhjetor 2017

Disa degë të ekonomisë gjermane ankohen për mungesë punonjësish të kualifikuar. Në fillim u lidhën shpresat me azilkërkuesit, pastaj erdhën paralajmërime për naivitet. Një studim i ri ofron fakte.

https://p.dw.com/p/2q5Fo
Flüchtlinge als Fachkräfte
Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Hoppe

Një numër i madh refugjatësh, që kanë një punë, sipas një studimi punësohen si fuqi punëtore e kualifikuar. Aktualisht në Gjermani janë të punësuar 140.000 vetë nga tetë shtetet kryesore të origjinës së azilit në Gjermani dhe këta paguajnë me detyrim sigurime shoqërore. Kjo del nga një analizë e Institutit të Ekonomisë Gjermane (IW) të afërt me punëdhënësit, bëjnë të ditur gazetat e Grupit Mediatik Funke.

Më pak se 60 përqind, sipas kësaj, janë të punësuar si punonjës të kualifikuar, 40 përqind janë në punë si ndihmës. 9,4 përqind ushtrojnë një profesion, që normalisht kërkon një diplomë ose një master. Por në bazë të parashikimeve të studiuesve të IW pritet që numri i refugjatëve, që gjejnë punë vetëm si ndihmës, të rritet.

420.000 refugjatë kërkojnë punë

Deutschland Geflüchtete Ehrenamt
Fotografi: picture alliance/dpa/W. Grubitzsch

Si bazë për studimin shërbyen të dhëna të muajit mars të Agjencisë Federale të Punës. Në fund të nëntorit, atje qenë regjistruar 420.000 refugjatë që kërkojnë punë. 175.000 refugjatë konsiderohen zyrtarisht si të papunë. Të tjerët po ndjekin aktualisht kurse integrimi dhe gjuhe ose kurse përkrahëse të Agjencisë së Punës.

Sipas medieve të grupit Funke, të dhënat flasin për një angazhim të veçantë të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Gjermani për të punësuar njerëz nga shtetet kryesore të burimit të refugjatëve. Tri të katërtat e atyre që punojnë janë të punësuar në sipërmarrje të vogla dhe të mesme. Në uzinat e mëdha janë të punësuar shumë më pak refugjatë.

Tetë shtetet kryesore nga vijnë azilkërkues në Gjermani janë Afganistani, Eritrea, Iraku, Irani, Nigeria, Pakistani, Somalia dhe Siria. Një e pesta janë afganë, të pasuar nga irakianët (15 përqind) dhe iranianët (14 përqind). Të bie në sy sipas studimit numri i madh i afganëve të punësuar si fuqi punëwtore e kualifikuar: më shumë se 50 përqind.