Shumica e gjermanëve duan të vendosin me referendum mbi kushtetutën evropiane | Gjermania | DW | 27.05.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Shumica e gjermanëve duan të vendosin me referendum mbi kushtetutën evropiane

Kushtetuta nuk e parashikon referendumin për raste të tilla

Simboli i kushtetutës evropiane

Simboli i kushtetutës evropiane

Një fshat i vogël në Eifel, një orë larg me makinë në perëndim të ish-kryeqytetit Bon, po përgatitet për një ditë të madhe. 800 banorët me të drejtë vote të Stremptit nuk janë thirrur të zgjedhin më 13 qershor vetëm njërin kandidat për parlamentin evropian, por si e vetmja komunë në Gjermani ata duhet të thonë po ose jo për kushtetutën e ardhshme evropiane. Edhe nëse qeveritë e Bashkimit Evropian diskutojnë ende për hollësitë e fundit, banorët e fshatit po e lexojnë me zell lëndën, siç thotë kryetari i fshatit, Wulf-Dietrich Simon:

"Ndoshta nuk do të ketë ndonjë vend, të paktën në Gjermani, që deri më 13 qershor të jetë informuar kaq intensivisht sa ne për kushtetutën e BE-së. Kjo do të thotë që nëse dëshiron çdo banor i Stremptit do ta ketë tekstin e kushtetutës. Gjithashtu ne kemi hartuar bashkarisht një tekst të shkurtër me dhjetë argumenta pro dhe dhjetë kundër kushtetutës. Kësaj i shtohet edhe një tekst i shkurtër i partive të përfaqësuara në parlamentin gjerman, ku jepet qëndrimi i tyre ndaj kushtetutës evropiane."

Në Strempt nuk qeveris asnjëra nga partitë e mëdha gjermane, por një bashkim i pavarur qytetar. Ky ka qëndrime të afërta me organizatën "Më shumë demokraci", e cila po e ngre zërin për një referendum në mbarë vendin lidhur me kushtetutën. Këtë kërkesë e mbështet edhe kryetari Simon:

"Nuk bëhet fjalë që dikush të thotë, kjo më pëlqen, por në paragrafin 10 dua një ndryshim. Natyrisht që kështu nuk bën, por kur përgatitet një vepër e tillë, mendoj se është e udhës që shtetasi të thotë: "Po, e pranoj" ose të thotë "Jo, këtë nuk e pranoj"."

Në fakt marrja e mendimit të popullit nuk do të ketë ndikim në politikën shtetërore, por kryetari kërkon të japë një sinjal. Ai është i bindur që flet nga zemra e shumicës së gjermanëve. Sondazhet në fund të muajit prill treguan se përqindja e përkrahësve të një referendumi të tillë është midis 65 dhe 74 për qind.

Megjithatë për të zhvilluar referendum duhet të ndryshohet kushtetuta, sepse në nivel shtetëror ajo parashikon vetëm për një rast referendum, atëherë kur ndryshohen kufijtë e landeve. Përse ishin kaq skeptikë ndaj referendumeve "baballarët" e kushtetutës gjermane? Specialisti i së drejtës kushtetuese nga Boni Matthias Herdegen jep tri arsye:

"Përvoja me Rajhun e Tretë, pra me kohën e nazizmit, instrumentalizimi në raste referendumesh dhe besimi në cilësinë e procesit parlamentar."

Parë në vija të trasha në debatin politik miratimi dhe refuzimi i referendumit mbi kushtetutën evropiane përshkon vijën e frontit qeveri-opozitë. Përkrahësit më të fortë janë liberalët dhe Partia e Socializmit Demokratik, por edhe kreu i kristiandemokratëve dhe i kristiansocialëve duan të dëgjojnë vullnetin e popullit. Udhëheqja e socialdemokratëve është kundër kësaj. Edhe ministri i jashtëm Joschka Fischer i Partisë së të Gjelbërve nuk e do referendumin. Në këtë çështje ai ka një qëndrim të kundërt me atë të bazës në parti.

Shoqata "Më shumë demokraci" ia ka dalë të grumbullojë firmat e 34 specialisëve të së drejtës kushtetuese gjermane në mbështetje të propozimit për referendumin. Por për specialistin Matthias Herdegen kjo nuk është ide e mirë, sepse bart rreziqe: atë që parlamenti të mos ndjehet i lirë në punën e tij dhe që instrumenti i referendumit të bëhet qesharak. Ky do të ishte dëmi më i madh që mund të shkaktohej, pasi ka të ngjarë që shumica të votojë me jo.

  • Data 27.05.2004
  • Autor Klaus Dahmann
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar6V
  • Data 27.05.2004
  • Autor Klaus Dahmann
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar6V