Shumë zhurmë për një emër | Evropa | DW | 18.06.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Shumë zhurmë për një emër

Athina dhe Shkupi kanë rënë dakord që të përfundojnë grindjet rreth emrit të ri të Maqedonisë. Një hap drejt normalitetit në Evropën Juglindore?

Gati 27 vite kanë zgjatur mosmarrëveshjet mes Athinës dhe Shkupit për emërin e Maqedonisë. Tani është arritur një marrëveshje, por në asnjërin prej këtyre vendeve nuk ka ndonjë eufori. Grekët thonë se Maqedonia është pjesë e historisë antike greke dhe vendlindja e heroit kombëtar, Aleksandar Makedonski. Ndërsa pala maqedonase pohon se kjo republikë e vogël multietnike ka të drejtë të mbajë këtë emër. Ajo është pasardhëse e Aleksandrit të Madh dhe me këtë shpjegim në vend janë vendosur shumë përmendore të tij.

Veriu e bën dallimin

Prej kësaj jave palët janë futur në faqet e historisë. Pas negociatave që kanë zgjatur me vite, kryeministrat e tanishëm Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev kanë rënë dakord që vendi të quhet "Republika Maqedonia Veriore". Me këtë formulë magjike është zgjedhur problemi disavjeçar. Pala maqedonase duhet të ndryshojë pjesët e Kushtetutës ku shkruhet për Maqedoninë. Ndërsa ajo greke duhet të hapë përfundimisht rrugën për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Kjo është merita e majtistit Tsipras dhe socialdemokratit Zaev, të cilët megjithë kundërshtimet e nacionalistëve kanë ndërmarrë këtë përpjekje serioze për zgjidhjen e problemit dhe përfundimin e konflikteve rreth emrit, që ka qenë një problem politik dhe ekonomik mes vendeve. Maqedonia ka nevojë urgjente për integrime evropiane dhe në NATO, sepse ajo ka edhe probleme të shumta ndëretnike dhe ekonomike.

Koha e kundërshtarëve

Marrëveshja paraprake e nëshkruar mes palëve duhet të miratohet edhe në parlamentet e këtyre vendeve dhe në një referendum në Maqedoni. Presidenti maqedonas Ivanov ka deklaruar se nuk do ta nënshkruajë dokumentin e kësaj marrëveshjeje për këtë kompromis. Sipas Kushtetutës, ai mund ta rikthejë këtë dokument në parlament. Ndërkohë që maqedonasit duhet të votojnë edhe në referendum.

Por edhe Tsiprasi në Greqi ka shumë kundërshtarë të opozitës konservatore që kundërshtojnë këtë marrëveshje. Opozita dhe patriotët e pavarur planifikojnë të mbajnë protesta dhe demonstratat kundër marrëveshjes. Dëgjohen edhe kërkesa për shkarkimin e qeverisë.

Kjo do të thotë se Tsiprasit i duhen në parlament votat e socialdemokratëve për të fituar shumicën, sepse për këtë çështje ai nuk e ka shumicën e vet. Nga PASOK-u i dikurshëm ka zëra që do ta mbështesnin këtë marrëveshje. Ndërsa kryetari i Nea Demokratia është kundër. Partitë në Greqi për të satën herë janë përçarë rreth një "çështje nacionale". Në rrugën e një marrëveshjeje përfundimtare greko-maqedonase ka ende shumë pengesa.