Shumë përpjekje për pak përfitim? | Gjermania | DW | 26.10.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Shumë përpjekje për pak përfitim?

Takimi i ministrave të ekonomisë të Gjermanisë dhe Francës

Nicolas Sarkozy dhe Wolfgang Clement

Nicolas Sarkozy dhe Wolfgang Clement

Harmoni është motoja në marrëdhëniet gjermano-franceze dhe të gjithë kujdesen për të. Kështu për shembull ministri gjerman i ekonomisë Wolfgang Clement dhe homologu i tij francez Nicolas Sarkozy u shfaqën me kostum sporti në mushkërinë e gjelbër të Berlinit, Tiergarten. Në harmoni vrapuan të dy përmes parkut. Me siguri me këtë ata donin t'u vërtetonin të kundërtën atyre që flasin për armiqësi të thellë dhe për klimë të akullt midis dy ministrave.

Prej ditësh ministrat kanë vazhduar të takohen. Të shtunën në Paris në apartamentin privat të Sarkozy-së, të hënën në mbrëmje krejt zyrtarisht në Berlin dhe tani pra për sport. Në përfundim Wolfgang Clement shprehet i kënaqur:

"Në masë të madhe, në pjesën më të madhe jemi të një mendjeje. Ekziston një nismë e përbashkët e presidentit francez, e kancelarit gjerman dhe e kryeministrit britanik për atë që unë do ta quaja rilindje të politikës industriale në Evropë. Për sa i takon përpjekjeve për kushte të arsyeshme dhe të drejta konkurrence ne mbështesin të njëjtën vijë si edhe Franca."

Kushte të drejta do të ketë edhe në politikën fiskale dhe në atë subvencionuese, po kërkohet për mundësitë e bashkëpunimit në bioteknologji dhe në teknikën e lëndëve djegëse. Pak kohë më parë as që mund të flitej për kaq shumë harmoni. Në pranverën e këtij viti Clement e kishte akuzuar Sarkozy-në për praktika intervencioniste. Sipas tij Franca po e tepronte me sjelljet e veta prej ekonnomie shteti dhe po e izolonte tregun e vet nga sipërmarrjet gjermane.

Fjala ishte konkretisht për blerjen e koncernit farmaceutik gjermano-francez Aventis nga konkurrenti i tij francez Sanofi, planet për të cilin i thurri qeveria në Paris. Pala gjermane u tregua e zemëruar edhe për rolin pengues që luajti ministri i ekonomisë Sarkozy gjatë përpjekjes së dështuar të konkurrentit gjerman Siemens për të blerë disa pjesë të koncernit francez Alstom, i cili gjendej në vështirësi.

Francezët e ndihmuan koncernin insolvent të transportit dhe të centraleve energjitike me miliarda euro dhe pamundësuan për shembull në këtë mënyrë blerjen e segmentit prodhues të trenit të shpejtësisë së lartë TGV nga Siemensi.

Megjithatë Sarkozy nuk di të ketë faj. Kur kjo qënka liberalizëm, që ministri vetëm të mbyllë gojën dhe të thotë faleminderit, jo, tha Sarkozy duke e mbrojtur planin e tij shpëtues pak kohë më parë në një intervistë, ky nuk është këndvështrimi im. Në Paris ai konsiderohet si peshë e rëndë në politikë dhe si kundërshtar i kreut të shtetit Jacques Chirac. Ai do të donte që ta pasonte atë në detyrë.

Por më parë francezi i zellshëm kërkon të nisë edhe një projekt të madh, një aleancë të kantiereve detare evropiane sipas shembullit të koncernit aeronautik EADS. Sarkozy është krejtësisht i bindur për domosdoshmërinë e kampionëve evropianë: Sipas tij, EADS-ja tregon atë që Franca dhe Gjermania dinë të bëjnë më mirë.

  • Data 26.10.2004
  • Autor Sabine Kinkartz
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar5U
  • Data 26.10.2004
  • Autor Sabine Kinkartz
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar5U