1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi nga Shqipëria

Ani Ruci4 Dhjetor 2003
https://p.dw.com/p/As3m

Gazeta "Albania" paraqet sot si material kryesor atë që kjo gazetë e quan "skenar të ri të opozitës per te fituar zgjedhjet ne Tirane." Gazeta ben të ditur se demokratet do t´i rikthehen kërkesës për rikompozim të KQZ dhe largimit prej tij të kryetarit, Ilirian Celibashit dhe të komisioneres Dëshira Subashi, e kontestuar që në fillim nga PD si prishëse e balancimit politik të këtij komisioni. Lideri i opozites Berisha , sjell në kujtesën e publikut gazeta "Albania", e ka quajtur perseritjen e zgjedhjeve ne 130 qendra votimi ne Tirane, vetem si fitoren e pare. Ai citohet nga gazeta "Albania" të ketë thene se protestat e përditshme në Tiranë do të mundësojnë fitoren e plotë: përsëritjen e zgjedhjeve ne gjithe qendrat e votimit ne kryeqytet.

Gazetat e Tiranës botojnë sot një deklaratë të ish kryeministrit Ilit Meta lidhur me vendimin e Kolegjit Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit për përsëritjen e zgjedhjeve gjate ketij muaji ne 130 qendra votimi në Tiranë. Sipas Metës, të cituar nga gazetat e sotme, ky vendim është "edicioni i ri i dashurise Nano- Berisha," pasi dy nga gjyqtaret e ketij Kolegji kane qene dy miq të Nanos ndersa një mik i Berishes,zbulon para publikut Ilir Meta. Gazetat shkruajne se ishkryeministri e vlereson betejën për Tiranën jo të tipit kongresual por beteje mes PS dhe PD, pasi, sipas tij, diferenca në rrethe ne zgjedhjet lokale te 12 Tetorit mes dy partive kryesore nuk eshte është e madhe.

Lidhur me vendimin e Kolegjit Zgjedhor gazeta" Shekulli" boton sot opinionin "Nëpërkëmbja e institucioneve vazhdon" ku nder te tjera theksohet se ky kolegj është një lloj gjykate, e mbrojtur jo vetem nga ligji por edhe nga marrveshja bi-partizane mes dy partive të mëdha. Në këtë konteks gazeta kritikon denoncimin e vendimit nga kryeministri dhe lideri socialist Nano si " politik" dhe cilësimin e gjyqtarëve si " të korruptuar." Gazeta kujton se këtë që bëri Nano së fundi, berisha, lideri i opozitës, e ka bërë gjithmone, kundër te gjithëve, kundër prokurorisë, gjykatës kushtetuese, kundër KQZ dhe kundër Presidentit. Ndonëse Kolegji Zgjedhor është ngritur si institucion që vepron në bazë të ligjit, kur ai merr një vendim ne favor të njërës palë politike dhe në dëm të tjetrës, kjo e fundit e anatemon edhe vendimin edhe institucionion. Me këtë qëndrim, thekson gazeta" Shekulli"të dyja palët nxjerrin në shesh hilen: ata e kane krijuar Kolegjin Zgjedhor me shpresën se do ta kenë nën kontroll apo me besimin se ky institucion nuk do të ketë kurajon te demostrojë vetëdijen e të qënit i pavarur. Gazeta Shqiptare boton sot ne rubrikën," Speciale," fjalën e Edi Ramës, kryetar në detyrë i Bashkisë së Tiranës, mbajtur dje ne konferencen e deges se PS të Durrësit. Nën titullin "Mejdani më zhgënjeu" Edi Rama citohet te kete kritikuar ish presidentin Mejdani ne lidhje me cilësimin e tij për Nanon si " i burgosur ordiner" pasi burgosja e tij, thekson Rama ne fjalen e botuar ne Gazetën Shqiptare, ka qene mirëfilli politike. Në këtë fjlalë Rama citohet gjithashtu ta ketë quajtur vendimin per perseritjen e zgjedhjeve ne 130 qendra votimi ne Tiranë tërësisht politik dhe të diktuar nga politika. " Ftoj gjithe shokët e udhëheqjes së PS dhe të gjithë të tjerët që t´i japim një mësim shembullor doktorit dhe partisë së tij," citon gazeta Edi Ramën, "duke rifituar me nje diferencë edhe më të thellë në atë pjesë të Tiranes qe u pëdhunua nga vendimi i Kolegjit Zgjedhor."