Shtypi ndërkombëtar i javës: Mandati i dytë i Xhorxh Bushit në SHBA dhe projekti A380 i prodhuesit evropian të avionëve Airbus | Studimi në Gjermani | DW | 23.01.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi ndërkombëtar i javës: Mandati i dytë i Xhorxh Bushit në SHBA dhe projekti A380 i prodhuesit evropian të avionëve Airbus

Mandati i dytë presidencial i Xhorxh Bushit në SHBA dhe veçanërisht qëndrimi i tij në të ardhmen ndaj aleatëve evropianë dominuan në komentet e evropiane gjatë një jave. Temë tjetër e trajtuar gjatë javës në artikujt kryesorë është prezantimi i avionit evropian A380 më i madhi i ndërtuar ndonjëherë për pasagjerë.

A380 i Airbusit

A380 i Airbusit

Lidhur me betimin e presidentit amerikan Xhorxh Bush gazeta britanike "THE INDIPENDET" që botohet në Londër shkruan: "Përpara katër vjetësh, madje edhe përpara katër muajsh, ishin të paktë ata që mendonin, se Xhorxh Bush ka shanse të mëdha të betohet për një periudhë të dytë legjislative. Por sidoqoftë çmimi i fitores së tij është, se tani Bushit i duhet të konfrontohet me pasojat e vendimeve të gabuara që ka marrë gjatë mandatit të parë. Lufta fatale në Irak dhe deficiti gjithnjë në rritje në buxhetin e shtetit e ndjekin Bushin si hije kërcënuese nga pas. Nëse domosdoshmëria për t´i korrigjuar këto gabime të kushtueshme do ta detyrojë Bushin që t´i marrë më shumë në konsideratë aletatët evropianë, atëherë mund të ketë ndonjë shans për rigjallërimin e marrëdhënieve transatlantike gjatë katër viteve të ardhëshme", mendon komentatori i londinezes "THE INDIPENDET".

Gazeta ekonomike e Parisit "LES ECHOS" shtron pyetjen, nëse Bushi do t´i ndryshojë marrëdhëniet me aleatët: "Jo, Xhorxh Bushi nuk ka ndryshuar. Por ai do të veshë rroba të reja, për t´i realizuar më mirë ato qëllime, që ai nuk mundi t´i arrijë gjatë mandatit të parë. Në këtë mënyrë ai ka ngjallur një përzierje mes shqetësimit dhe shpresës si në SHBA ashtu edhe në parketin ndërkombëtar. (...) A do të tregohet Bushi i II më miqësor ndaj aleatëve të tij, pasi (...) tashmë i ka kuptuar kufijtë e aksionit të tij unilateral në Irak? Një gjë e tillë nuk është aspak e sigurtë", konstaton "LES ECHOS" e Parisit.


Gazeta austriake "DIE PRESSE" që del në Vjenë komenton politikën e jashtme të Bushit: "Vendimet e saj superfuqia e vetme e mbetur do të vazhdojë t´i marrë pa lejuar ndërhyrjen e princërve të paqes nga Parisi dhe Berlini. As në të ardhmen Shiraku dhe Shrëderi nuk do të kenë fatin të shijojnë videokonferencat e mëngjesit me Bushin. Ndoshta toni transatlantik do të zbutet, por melodia nuk do të ndryshojë, sepse ajo është kompozuar sipas ligjeve të pushtetit", vëren vjenezja "DIE PRESSE".

Ndërsa e përditshmja daneze e Kopenhagës "POLITIKEN" duke iu referuar politikës së SHBA në Irak komenton: "Ndërkohë nga SHBA vijnë sinjale me dy kuptime. Gjatë seancës së dëgjimit në senat ministrja e jashtme amerikane, Kondoliza Rajs, theksoi rëndësinë e diplomacisë. (...) Në të kundërt pak ditë më parë shefi i saj Xhorxh Bush theksonte, se nuk do ta përjashtojë mundësinë e ndërhyrjes ushtarake kundër Iranit, vend ky që sipas mendimit të SHBA prodhon armë bërthamore. Kjo të bën të mendosh, që duhet të vazhdojnë përpjekjet diplomatike me në krye Gjermaninë, Francën dhe Britaninë e Madhe. Qëllimi duhet të jetë një akses i plotë dhe jo i pjesshëm për inspektorët e OKB-së në magazinat bërthamore të Iranit", shkruan danezja "POLITIKEN".


Disa gazeta të tjera evropiane gjatë javës së shkuar në komentet e tyre i kushtuan vëmendje prezantimit në Tuluzë të Airbusit të ri A380, avioni më i madh për pasagjerë ky i ndërtuar ndonjëherë.

Gazeta spanjolle "EL PERIODICO" që del në Barcelonë shkruan: "Konsorciumi evropian Airbus është konfirmuar tashmë në konkurrencën kundrejt rivalit të SHBA Boing në konstruktimin e avionëve të përmasave dhe distanacave të mëdha. Ndërtimi i A380 dëshmon, se ambicjet e BE-së nuk mbarojnë me krijimin e monedhës së përbashkët euro. Në fushën e teknologjisë u provua mundësia e bashkëpunimit në nivelin më të lartë. Airbusi i ri është vetëm fillimi", parashikon gazeta spanjolle "EL PERIODICO".

Edhe një citat mbi të njëjtën temë nga e përditshmja franceze "LIBERATION": "Duhet të mbrohesh nga superlativat. Franca e di këtë, sepse ajo pati dikur avionin më të bukur, më modern dhe më të veçantë të botës. Por me Concordin Franca asnjëherë nuk pati sukses komercial. Në Tuluzë u festua "avioni më i madh në botë", sikur të ishte madhësia edhe bukuri. Një shou alla amerikane kjo për një bebe bullafiqe që duke nxjerrë gjuhën do të përqeshë botën e re. (...) Nëse do të dalë llogaria e A380, gjë që ende nuk është e sigurtë, atëherë ndërmarrja evropiane për një kohë të gjatë do të kryesojë industrinë e fluturimeve ajrore", analizon gazeta franceze "LIBERARTION".

  • Data 23.01.2005
  • Autor AS
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arx4
  • Data 23.01.2005
  • Autor AS
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arx4