1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi ndërkombëtar i javës

Ajazaj, Elert4 Maj 2008

Disfata e laburistëve në Britaninë e Madhe dhe rasti i incestit në Amstetten

https://p.dw.com/p/DtZ3
Rasti i incestit në Austri ka preokupuar shtypin ndërkombëtarFotografi: AP

Gazeta konservatore vjeneze «Die Presse» sheh në disfatën zgjedhore të Partisë Laburiste britanike një tregues për ndërrim të afërt të qeverisë. Ajo shkruan:

«Sigurisht, rritja e çmimeve të ushqimeve dhe të benzinës kanë të bëjnë me zhvillimet ekonomike botërore. Por fakti që pesë familjet më të varfra të Britanisë së Madhe janë në një gjendje më të keqe ekonomike sesa para reformës fiskale, për këtë e mban përgjegjësinë vetëm Brown-i. Po, ekonomia është, zoti Brown. Dhe zgjedhësit janë të pamëshirshëm.

Kësaj i shtohet që Partia Laburiste pas 11 vjetësh në pushtet është konsumuar në një shkallë të pashpresë. Në qoftë se paraardhësi i Brown-it, Tony

Blair, ia dilte t'i mbyste me buzëqeshjen e tij tip Blendax-i të gjitha problemet që shfaqeshin, kryetarit të tanishëm të Labour-it i mungon karizma për shtrembërime politike. Edhe në qoftë se partia dëshiron ta shmangë diskutimin në lidhje me udhëheqësin, sepse shpreson që Brown-i të arrijë ta nxjerrë vendin nga gjendja kritike ekonomike; dy vjet para zgjedhjeve të reja parlamentare të gjitha shenjat flasin për ndryshim - në drejtim të konservatorëve.»


Gazeta e Strasburgut «Les dernières Nouvelles d'Alsace» heton çështjen nëse është «gjithë Austria fajtore» në rastin e incestit në Amstetten:

«Sulmet e kancelarit austriak Gusenbauers ndaj shtypit të huaj, i cili e bën gjoja Austrinë një "vend bodrumesh, rrëmbimesh dhe incesti", bëjnë që të fryhet damari populist. Metoda është e njohur: Drejtohesh kundër atyre, që e shfrytëzojnë skandalin, në mënyrë që ta mbulosh më mirë "fajin" tënd.

Por cilin "faj"? Shpjegimet vijnë nga të gjitha anët. Kështu për shembull thuhet se Austria e ka kthyer gënjeshtrën në doktrinë shtetërore: Prej më shumë se 60 vjetësh vendi pretendon, se me aneksimin e 1938-ës ka qenë "viktima e parë e nazizmit" (...) Të tjerë përmendin "kulturën e sekretit", e cila ka formuar shpirtart që nga policia politike e monarkisë së Habsburgëve deri tek Gestapoja: Nuk dinë gjë, nuk duan të dinë, nuk dëgjojnë gjë dhe mbi të gjitha nuk thonë gjë. ... Por "faji kolektiv" nuk ekziston. Rastet Natascha Kampusch dhe Amstetten nuk janë raste të izoluara kriminalistike dhe duhen trajtuar si të tilla.