1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi mbi zhvillimet në Kaukaz

(VFB)10 Gusht 2008

Gjendja në Osetinë Jugore gjen jehonë në shtypin gjerman të së hënës.

https://p.dw.com/p/Eu0M
Fotografi: picture-alliance/dpa

"Süddeutsche Zeitung" duke komentuar këto zhvillime i referohet rastit të Kosovës: "Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt ishte Rusia, që përforcoi protektoratin e saj të heshtur në të dyja republikat gjeorgjiane në Osetinë Jugore dhe në Abkazi. Rusia per dreket ngriti në fuqi pretendimet qeveritare, ushtroi funksione të qarta sovraniteti dhe ushtarakisht ndërhyri gjithnjë e më me forcë. Përveç kësaj pati edhe provokime, që nuk i shkojnë përshtat pretendimit të Rusisë si fuqi drejtuese neutrale e trupave të stabilizimit dhe të paqes në të dyja rajonet. Moska e ka injoruar mandatin e OKB-së për të ruajtur procesin politik midis rajoneve që synojnë shkëputjen dhe Gjerogjisë. Njëkohësisht ajo përforcoi trupat dhe milicët e armatosur duke shkelur herë pas here territorin gjeorgjian. Shkurt Rusia provokoi një luftë."


Për komentatorin e "Kölnische Rundschau" : "Gjeorgjia duhet ta pranojë, që nuk mund t´i mbajë me dhunë këto dy provinca. Por motoja e Putinit: "Ne kemi fituar, pra duke i hequr çdo të drejtë Gjeorgjisë ndaj Osetisë Jugore", është në kundërshtim të thellë me të drejtën ndërkombëtare. Gjithashtu Moska nuk mund të jetë e interesuar në asnjë mënyrë për vazhdimin e dhunës në rajon, sepse fare afër tij shtrihet qendra e ardhëshme olimpike Sotshi. Të premten këtu do të takohen kancelarja Merkel dhe presidenti i Rusisë. Ky takim mund të jetë edhe fillimi i ndërmjetësimit të BE-së. Dhe një gjë është e qartë: me vazhdimin e dhunës të gjithë pjesëmarrësit mund të humbasin në këtë rajon tepër të varfër."

Gazeta "Handelsblatt" në komentin e saj i referohet çështjes së antarësimit në NATO: "Sërish Moska synon, që të pengojë shkëputjen e një vendi prej perandorisë së pretenduar prej saj, në mënyrë që të sigurojë bazën e vet të pushtetit. Ata që kanë rezerva kundrejt pranimit të Gjeorgjisë në NATO, si kancelarja Angela Merkel, duhet ta mendojnë edhe një herë pozicionin e tyre. Kush u jep sot garanci Ukrainës, Moldavisë e madje edhe shteteve Balltike, se Rusia nuk nxit atje separatistët apo minoritetet e mëdha ruse, që të pretendojnë shkëputjen prej këtyre shteteve?"