Shtypi i së premtes: atentatet e Londrës dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Gjermani | Studimi në Gjermani | DW | 21.07.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi i së premtes: atentatet e Londrës dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Gjermani

Presidenti Këler shpall zgjedhje të parakohshme parlamentare në Gjermani

Presidenti Këler shpall zgjedhje të parakohshme parlamentare në Gjermani

Komentatorët e shtypit të sotëm gjerman ndalen në atentatet e Londrës dhe në shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare nga presidenti i Gjermanisë, Horst Këler:

Për temën e parë, në gazetën DIE WELT që del në Berlin ndër të tjera lexojmë:

" Edhe nëse atentatet më të fundit në Londër ishin më pak shkatërrimtare se 14 ditë më parë, ato duhen marrë shumë seriozisht. Nuk kishim të bënim vetëm me terror psikologjik sërish në tri metro dhe në një autobus, kishim edhe mesazhin se armiku mund të godasë ku dhe kur të dojë. Mesazhi i dytë është se pushteti që mban rendin nuk mund ta kontrollojë situatën në mënyrë perfekte, se atentatorëve aq u bën për apelet për paqe të imamëve mjekërbardhë dhe se të gjitha përpjekjet e shërbimeve të inteligjencës MI.5 dhe MI.6 ata nuk i impresionojnë. Këtë herë ata qenë aq bujarë sa të mos synonin vrasje masive, por të theksojnë vetëm atë që është ngulitur në kujtesë që prej 7 korrikut: se rreziku përgjon kudo dhe vdekja udhëton me autobusët dhe metrotë."

Ja edhe HANDELSBLATT që del në Dyseldorf:

"Përsëritja e një atentati brenda një kohe shumë të shkurtër është një sulm ndaj forcës për rezistencë të britanikëve dhe të perëndimit. Eshtë një demonstrim i fuqisë së terroristëve, se nga ata nuk ka shpëtim. Forcat e sigurisë dhe politikanët në Evropë duhet ta shohin këtë si kërkesë, për të ecur më shpejt në rrugën e celur prej 7 korrikut. Dialogu i feve dhe kulturave duhet të vazhdojë. Rrjeti i sigurisë duhet të bëhet po kaq global sa ai i terrorit."


Ndërsa komentatori i HAMBURGER MORGENPOST vecon:

"Një parandjenjë e errët është kthyer në siguri. Qofshin terroristë, apo jo: ata që duan t'i sulmojnë shoqëritë tona civile, ata janë në gjendje ta bëjnë këtë. Në cdo vend dhe në cdo kohë. Atentatet e djeshme- sërish e pësoi Londra- demonstrojnë pafuqinë e një shoqërie të bazuar në tolerancë dhe liri civile. Fjalët e ministrave të brendshëm nuk janë gjë tjetër vecse një placebo për publikun. Ata pohojnë se lufta e tyre synon mbulimin e "boshllëqeve", që u ofron shoqëria jonë vrasësve të djallëzuar. Që në fakt shoqëria jonë është e gjitha një boshllëk sigurie, e cila nuk mund të mbrohet me përgjim total me kamera dhe me regjistrim shenjash daktiloskopike- këtë nuk guxon ta përmendë asnjë fanatik i sigurisë. Sepse ai që synon ta ndryshojë vërtet këtë, ai propagandon fundin e shoqërisë civile dhe hyrjen në shtetin policor. Po a e duam ne këtë vërtet?"

Ndërsa në gazetën WESTDEUTSCHE ZEITUNG ndër të tjera lexojmë:

"Synimi është të përhapet frikë dhe tmerr. Ata janë si hydra e legjendës, luftëtarët kundër atyre që nuk besojnë në përgjithësi: këput njërën prej nëntë kokëve të tyre, rriten dy të tjera. Ne duhet të përgatitemi për ekzistencën e shumë grupimeve të tilla."

Ndërrojmë temë:

Presidenti federal i Gjermanisë mori vendimin që ta shpërndajë parlamentin federal dhe shpalli zgjedhje të reja për 18 shtatorin.

Për këtë temë, në gazetën KÖLNISCHE RUNDSCHAU lexojmë:

"Presidenti Këler u vajti gjërave në themel. Kancelarit iu desh t'u përgjigjet pyetjeve, presidenti diskutoi personalisht dhe në mënyrë të detajuar argumentat e kritikëve parlamentarë, të cilët tani duan të cojnë cështjen në Gjykatën Kushtetuese të Karlsruhes. Duket se presidenti u mundua të vepronte me të vërtetë në mënyrën më të mirë të mundshme."


Edhe AUGSBURGER ALLGEMEINE e përshëndet vendimin e Këlerit:

"Presidenti Këler mori një vendim të mencur, të bazuar në reflektime të politikës shtetërore. Natyrisht që mocioni i votëbesimit të Shrëderit kishte tiparet e një farse. Kancelari në fakt nuk është i humbur në asnjë cështje përmbajtësore. Dhe ai nuk tregoi se për se i mungonte saktësisht shumica e votave. Atij ia hoqën formalisht besimin, duke theksuar njëkohësisht se atij vazhdonin t'i besonin. Në frymën e kushtetutës kjo lojë teatri nuk ishte. Por meqënëse koalicioni kuq-e Gjelbër ka arritur në fund të fuqive të tij, Shrëderi e ka pranuar paaftësinë e tij për të vepruar dhe vendin kërcënonte të ngecte në stanjacion, zgjedhjet e reja janë rrugëdalja e vetme me kuptim nga kjo krizë qeveritare."

Dhe së fundi STUTGARTER ZEITUNG:

" Me vendimin e tij për ta shpërndarë Bundestagun para kohe, Këleri nuk i fshin me një të rënë të dorës rezervat për këtë vendim, por u jep përparësi reflektimeve të tjera. Kancelari Shrëder ka fituar deri tani vërtet cdo votim të rëndësishëm në Bundestag, por shenjat e shpërbërjes, edhe në radhët e PSDGJ janë më se të dukshme. Këleri e mbajti parasysh këtë në vendimin e tij. Gjykata kushtetuese federale, e cila sërish duhet të thotë fjalën e fundit, me siguri do të respektojë vendimin e Këlerit."




  • Data 21.07.2005
  • Autor AUD
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AruY
  • Data 21.07.2005
  • Autor AUD
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AruY