Shtypi i së hënës për takimin e G-8-ës dhe Lindjen e Mesme | Studimi në Gjermani | DW | 17.07.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi i së hënës për takimin e G-8-ës dhe Lindjen e Mesme

Pallati i Konstantinit në Sankt Petersburg, ku është mbledhur G-8

Pallati i Konstantinit në Sankt Petersburg, ku është mbledhur G-8

Komentatorët e shtypit gjerman të së hënës ndalen në takimin e nivelit të lartë të G-8-ës që po zhvillohet në Rusi dhe në zhvillimet e fundit të krizës në Lindjen e Mesme, që ka hedhur hijen e saj edhe në takimin e G-8-ës.

Në gazetën e Regensburgut, MITTELBAYRISCHE ZEITUNG lexojmë:

"Takimi i nivelit të lartë të Sankt Petersburgut e bën edhe njëherë të qartë se koha e unilateralizmit, e veprimeve të vecuara dhe e rrugëve jo të zakonshme të SHBA ka kaluar. Përballë kërcënimeve me raketa të Koresë së Veriut, përballë planeve atomike iraniane dhe tani përballë përleshjeve të fundit të përgjakshme midis Izraelit dhe Libanit bëhet e qartë se SHBA janë të mbingarkuara në rolin e policit të përbotshëm. Vetëm me bashkëpunimin e fuqive të mëdha do të bëhet e mundur që të kapërcehen krizat dhe t'u mbushet mendja për të ndryshuar qëndrimin edhe fanatikëve."

Por gazeta që botohet në Dyseldorf HANDELSBLATT vëren qëndrimet e kundërta për Lindjen e Mesme të SHBA dhe Rusisë:

"SHBA theksuan të drejtën për t'u mbrojtur të Izraelit dhe të drejtën e planit të tyre, për t'i dëbuar me bomba Hizbollatë, edhe nëse popullsia libaneze vuan nën këtë dhe shpërbëhet stabiliteti i vendit i sajuar me mundim. Përkundrazi, Putini thekson edhe interesat e sigurisë të botës arabe. Proporcioni i mjeteve nuk ruhet, kur bombardohen ura, aeroporte dhe cisterna. Presidenti rus u konfirmua edhe njëherë në pohimin e tij se perëndimi mat me dy lloj kallëpesh, kur bëhet fjala për të luftuar terrorizmin ndërkombëtar në Lindjen e Mesme dhe në Ceceni."

FINANCIAL TIMES DEUTSCHLAND ndalet gjithashtu në përballjen SHBA-Rusi, që u ndie në takimin e nivelit të lartë:

"Takimi i shtatë vendeve kryesore të industrializuara të botës dhe Rusisë mund të reduktohet deri tani në një takim të nivelit të lartë dypalësh, në atmosferë të tendosur midis Bushit dhe Putinit: ai që kishte besuar në Kremlin se kritika e ashpër nga SHBA ndaj kuptimit rus të demokracisë do të zbutej nga pellushi i sofrave të takimit të nivelit të lartë, u gabua. Bushi kërkoi para dhe gjatë vizitës së tij në Rusi më shumë hapësirë për shoqërinë civile. Putini, i cili kishte dhënë urdhër më parë për të arrestuar dyzina kundërshtarësh të takimit të nivelit të lartë, ia ktheu qortimet i nervozuar nëpër intervistat që dha. Në fund të fundit, shefi i Kremlinit mbeti në rolin e të akuzuarit. Lojërat Putin të Sankt-Petersburgut u anulluan."

NÜRNBERGER NACHRICHTEN regjistron hijen që i hodhi kriza e Lindjes së Mesme takimit të G-8-ës:

"Rindezja e konfliktit të Lindjes së Mesme ra si hije mbi pallatin e Konstantinit. Nëse shefat e shteteve dhe të qeverive do të kishin dashur t'i përgjigjeshin përgjegjësisë së tyre globale, atëherë ata duhet të kishin ndërmarrë hapa të koordinuara të përbashkëta për t'i dhënë fund çmendurisë. Në vend të kësaj, ata u grindën duke ngrënë drekë dhe debatuan në sallat e praruara të carëve për një kohë të gjatë për atë se kush e kishte fajin dhe akoma më gjatë për formulimin e deklaratës për Lindjen e Mesme."

Por STUTTGARTER ZEITUNG është e mendimit se është e kotë të presësh rezultate nga takimet e G8-ës. Ja si argumentohet në këtë gazetë skepticizmi edhe për këtë takim:

"Këto takime të nivelit të lartë, ndryshe nga KS të OKB-së nuk kanë asnjë lloj legjitimiteti. Përbërja e tyre është vendosur në mënyrë arbitrare dhe shkon në kufijtë e absurdes. Kështu anëtare e G-8-ës është Kanadaja, por jo Kina dhe India. Kështu që nuk duhet të të cudisë fakti, që takime të tilla të shoqërohen me rezoluta pa efekt për të gjitha cështjet e mundshme të botës. Takimi i kaluar i nivelit të lartë e harroi Afrikën si temë, po çfarë rëndësie ka."

E të njëjtit mendim për efektin në praktikë të takimeve të G-8-ës është edhe KÖLNER STADTANZEIGER:

"Rendimenti i takimit të G-8-ës në Sankt- Petersburg nuk do të mund të matet për 12 muaj as në shifra dhe as në kapital të peshuar politik. Pikërëndesa e caktuar nga mikpritësi Rusi, siguria energjitike, përballë aksioneve ushtarake në Lindjen e Mesme u shndërrua në një pikë sipas parimit "dhe më tej u fol". Kritika me zë të lartë ndaj demokracisë gjithnjë e më shumë të drejtuar Rusi, bëri të qartë edhe shtrirjen e mendimeve në një klub, i cili dikur u mblodh për të diskutuar për cështje globale relevante ekonomike dhe politike në bazë të vlerave dhe synimeve të përbashkëta. Ndoshta takimi i G-8-ës nuk ka qenë kurrë më larg këtyre synimeve."

  • Data 17.07.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arou
  • Data 17.07.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arou