1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi i së enjtes: anullimi i Ligjit të Sigurisë Ajrore dhe treni Transrapid në Kinë

ADD16 Shkurt 2006

Tema kryesore që komentohet sot në të gjitha gazetat gjermane është vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të anulluar një ligj, i cili lejon rrëzimin nga ushtria gjermane të avionëve në Gjermani, nëse ata rrëmbehen nga terroristët.

https://p.dw.com/p/ArrM
Fotografi: AP

Për këtë temë, në gazetën DIE WELT ndër të tjera lexojmë:

"Që prej 11 shtatorit "siguria" është bërë një thirrje për betejë, nën të cilën një qeveri e vendosur mund të kufizojë të drejtat bazë të qytetarëve, ndoshta edhe t'i eleminojë ato. Kaq larg sa amerikanët, gjermanët nuk kanë shkuar, por sipas mendimit të Gjykatës Kushtetuese Gjermane ata kanë shkuar boll larg. Prandaj ajo e deklaroi të pavlefshëm ligjin e për sigurinë ajrore, një arritje e qeverisë socialdemokrate dhe e gjelbër, ligj që në rastin më ekstrem do të lejonte rrëzimin e një avioni të rrëmbyer. Jo vetëm antikushtetues, por të pavlefshëm. Në fuqi është edhe më tej kushtetuta, e cila e lejon ndërhyrjen e ushtrisë në raste të caktuara, por mjaft të kufizuara. Pikërisht për këtë arsye duhej të rrëzohej ligji për sigurinë ajrore, i cili dilte përtej kuadrit të sipërpermendur."


FINANCIAL TIMES DEUTSCHLAND konstaton:

"Gjykata kushtetuese nuk la asnjë dyshim. Në mënyrë precize dhe konsekuente ajo e hodhi poshtë ligjin për mbrojtjen e sigurisë ajrore. Meqenëse vendimi i Gjykatës mbështetet në themelin e të drejtave bazë, nuk ka asnjë rrugë që ky vendim të kapërcehet duke ndryshuar kushtetutën. Vetëm këtë mund të ketë menduar kryetari i fraksionit socialdemokrat Peter Struk kur tha se Gjykata e la vetëm politikën. Gjykatësit ia morën qeverisë mundësinë që t'i përkundë në siguri false gjermanët."

WESTDEUTSCHE ALLGEMEINE ZEITUNG që del në Esen e mbështet vendimin e Gjykatës Kushtetuese Gjermane:

"Edhe nëse përballë 11 shtatorit 2001, nga mbështetësit e ligjit antikushtetues argumentohej se përplasja e një avioni me një godinë shumëkatëshe ose në një stadium plot me spektatorë mund të shuante shumë më tepër jetë. 100 pasagjerë të vdekur avioni përballë 1000 tifozëve të vdekur të futbollit është një llogari makabre, e cila nuk ka vend në bashkësinë tonë të shkaqeve civilizuese. Përfytyroni sikur ushtria gjermane të detyrohej të vriste për ruajtje nga rreziku çdo pesë minuta qytetarë të caktuar gjermanë, të cilët ndodhen në duart e pengmarrësve terroristë. Kjo është e pamendueshme, sic është e pamendueshme edhe hapja zjarr për të rrëzuar një avion."

Ja edhe SÜDDEUTSCHE ZEITUNG që botohet në Mynih:

"Mbështetësit e ligjit për goditjen e avionëve u përpoqën të hapin një faqe të re në jurisprudencë: ata e shpallën avionin si zonë të ligjeve të jashtëzakonshme. Me hipjen në avion, u argumentua, përballë rrezikut të terrorizmit të gjithë pranishëm prej 11 shtatorit 2001 deklarohesh edhe se je dakord që në rast nevoje, avioni të goditet për t'u rrëzuar. E njëjta gjë duhej të kishte vlejtur pas atentateve të Londrës dhe Madridit edhe për metrotë - një përfytyrim makabër."


Temë tjetër:lajmi se kinezët do të ndërtojnë një tren të vetin të shpejtësisë së lartë, të ngjashëm me trenin magnetik gjerman Transrapid, të cilin ata e kanë blerë prej vitesh, ka shkaktuar komente tek disa gazeta gjermane.

HANDELSBLATT e Dyseldorfit vëren:

"Sigurisht që inxhinierët mund të montojnë një tren, i cili të ketë pamje të ngjashme si modeli gjerman. Edhe adaptimi i proceseve moderne të prodhimit nga ajri duket realist. Parimisht, treni Transrapid është një zhvillim i viteve '80 dhe '90. Por të gjitha këto nuk do të thonë se imitimi mund të udhëtojë me të vërtetë. Kopjimi i thjeshtë ilegal, si mund të funksionojë në pjesët e makinave ose në kamera nuk duhet të jetë kaq e lehtë me sistemin kompleks të lëvizjes së transrapidit, i cili mbahet në hava nga forca elektrike magnetike dhe shtyhet prej tyre përpara. Ndoshta kinezët duan të arrijnë në negociatat për ndërtimin e Transrapidit atë që kanë arritur në rastin e Airbusit: të hyjnë si partnerë në prodhim dhe në fund t'i bëjnë të gjitha vetë."

Dhe së fundi THYRINGER ALLGEMEINE që del në Erfurt, po për temën e trenit Transrapid:

"Sinonimi i vendit të mundësive të pakufizuara po merr një kuptim krejt të ri. Të paktën përsa i përket Kinës. Atje të paktën duket se nuk ka asgjë, e cila nuk mund të imitohet. Kinezët vërtet nxitojnë të pohojnë se nuk kanë përdorur teknologji të mbrojtur me patenta. Por edhe nëse këto përbetime janë të sakta në rastin e Transrapidit, del në pah në mënyrë të qartë: pa e ndërtuar këtë lloj treni (gjerman) për përdorim edhe në Gjermani, rreziku është shumë i madh që pozicioni i të parit, i arritur dikur, të konsiderohet i humbur".