1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman

8 Dhjetor 2009

Në shtypin gjerman të së martës komentohen ndër të tjera zgjedhjet në Rumani dhe ajo që pritet nga konferenca e Kopenhagës për klimën:

https://p.dw.com/p/KwXm

Në gazetën FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG për zgjedhjet në Rumani lexojmë:

"Basesku u zgjodh nga populli kundër dëshirës së qartë të një shumice parlamentare, e cila e bojkoton atë prej vitesh dhe cila madje deshi ta shkarkonte nga posti dy vjet më parë. Spiralja e heshtjes të dielën u kthye edhe njëherë pro tij dhe bëri që rumunët të votojnë me një shumicë të vogël votash pro tij, pikërisht sepse nga të gjitha anët kundër tij u organizua një gjah i pashoq. Me këtë rumunët megjithatë u treguan të gatshëm të përballen edhe me pesë vjet të tjera debate të ashpra midis presidentit dhe një klase politike të brejtur nga korrupsioni. Çmimi për ndryshimin e vonuar të sistemit në Rumani është i lartë."

VOLKSSTIMME, që botohet në Magdeburg shkruan për konferencën e klimës në Kopenhagë:

"Shpëtimi i klimës së përbotshme është pretendimi i lartë i konferencës së Kopenhagës. Për dy javët e konferencës, në Kopenhagë kanë vajtur mbi 15000 vetë. Më shumë se 100 burra shteti do t'u buzëqeshin kamerave në raundin e fundit të konferencës. Përballë këtij gjigantizmi të ambjentit, synimi i konferencës për ta reduktuar më dy gradë ngrohjen e tokës të duket i moderuar. Por sipas mendimit të ekspertëve, të gjitha deklaratat e deritashme të vullnetit të mirë nuk do të mjaftojnë për ta arritur me të vërtetë synimin. Ato që nevojiten janë vendime të detyrueshme, jo më vetëm apele. Në mënyrë që dobia t'i justifikojë energjitë e shpenzuara."

Autor : Aurond Dodi / dpa

Redaktoi : Aida Cama