1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman rreth zhvillimeve në Kosovë

27 Korrik 2011

Zhvillimet në dy pikëkalimet kufitare në veri të Kosovës gjejnë jehonë në shtypin gjerman.

https://p.dw.com/p/124yq
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kalkulimi kosovar, nën këtë titull e përditshmja "Frankfurter Rundschau" komenton zhvillimet në veri të Kosovës:

"Që qeveria e Prishtinës ngre pretendimin ndaj veriut të vendit, të kontrolluar prej serbëve, kjo nuk është e re. Por përse pikërisht tani, në mes të fazës së çtensionimit, ajo dërgon njësitë speciale të policisë atje? Në Beograd mendohet se momenti është i përshtatshëm, tani që Serbia pas dorëzimit edhe të ish-krerëve të fundit të luftës në Hagë ndodhet në pragun e portës së BE-së...

Që ky ishte një aksion spontan, apo një radikalizim i shqiptarëve të Kosovës, s'e beson askush. Qeveria në Prishtinë nuk ndërmerr asgjë, pa pasur të paktën miratimin nga Uashingtoni. Londrës e Berlinit i përshtatet koncepti i veprimit të njëanshëm të Prishtinës, siç supozohet. E kësisoj kryeministri Hashim Thaçi luan përfaqësimin e vijës së fortë kundrejt Beogradit, për të nxitur zgjidhjen e një konflikti të vështirë në BE. Kjo duket si zgjuarsi. Por në afërsi të një fuçie baruti nuk mund të luhet me zjarrin", shkruan Frankfurter Rundschau.

Kosova provokon në kufi, është titulli i artikullit të "Berlinerzeitung":

"...Biznesmenët kosovarë e konsiderojnë si tërësisht të paefektshëm vendimin e udhëheqjes politike për ndalimin e importeve serbe. "Firmat serbe pa asnjë problem mund t'i kalojnë mallrat e tyre në Mal të Zi dhe prej andej t'i sjellin ato në Kosovë, deklaroi Agim Shahini, president i Shoqatës së Sipërmarrësve në Prishtinë. Ndaj ekspertët shohin një tjetër arsye për sipërmarrjen e komandës të udhëzuar nga kryeministri.

Kohët e fundit në mediet serbe është spekuluar për një status të veçantë për veriun e Kosovës, madje edhe për shkëputjen e pjesës së banuar nga shumicë serbe. Këtë mundësi e ka lënë të nënkuptohet madje edhe drejtuesi serb i bisedimeve Borislav Stefanovic. ...

Për udhëheqjen kosovare diskutimi për ndarje të territoreve - madje edhe shkëmbimi i territoreve - është një tabu. Siç duket me sipërmarrjen e komandës synohej të jepej një sinjal, që Prishtina i rezervon vetes të drejtën e kontrollit në kufi si akt sovraniteti.", theksohet në artikullin e "Berlinerzeitung".

Prishtina tërhiqet, titullohet artikulli i "Tageszeitung":

"Tani për tani mundi të shmangej një shkallëzim i dhunës në veri të Kosovës. ...KFOR-i dhe përfaqësues të organizatavetë tjera ndërkombëtare u përpoqën dje të qetësojnë gjakrat. Edhe nëse njësia speciale e policisë sërish po tërhiqet nga kufiri, ende mbetet qëllim i qeverisë së Kosovës, që t'i kontrollojë territoret serbe në veri të vendit. Serbia në të kundërt nuk do t'ia dijë për rregulloren e qarkullimit të mallrave dhe doganave.

Nën presionin e BE-së në fillim të këtij viti u arrit që të dyja palët të vihen në lëvizje për bisedime lidhur me lehtësimin e qarkullimit të personave dhe të mallrave, si dhe për çështje të tjera. Zhvillimet e fundit i venë sërish në pikëpyetje bisedimet. Analistët politikë në Prishtinë dyshojnë se Serbia do të hyjë sa më shpejt në BE, pa e zgjidhur problemin e Kosovës. Por të hënën Komisioneri i Zgjerimit të BE-së Stefan Füle deklaroi se Serbia duhet të negociojë me seriozitet me Kosovën, për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE", vëren "Tageszeitung".

Autor: Berlinerzeitung, TAZ, FR, (vfb)

Redaktoi: A Verbica