1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman për vizitën e Bill Clintonit në Korenë e Veriut

6 Gusht 2009

"Ish-presidenti Clinton arriti t'i sjellë të dyja gazetaret në SHBA. Ky është një sukses, por se ç'çmim i është dashur të paguajë për këtë, kjo do të merret vesh më vonë. "

https://p.dw.com/p/J4a1
Gazetarja Laura Ling me Bill Clinton pas kthimit nga Koreja e VeriutFotografi: AP

«Frankfurter Allgemeine Zeitung» shkruan:

Tani Uashingtonit i duhet të përpiqet politikisht për t'i kufizuar dëmet. Jashtë përhapet me kokëfortësi versioni se Klintoni kishte si detyrë vetëm të lironte dy gratë prej burgimit në Korenë e Veriut, por e ke të vështirë të mendosh se në bisedimet e bashkëshortit të MPJ të SHBA me kryendërmjetësin koreanoverior për çështjet atomike, nuk ka luajtur asnjë lloj roli tema e "armatimit atomik të Koresë së Veriut". Pra në rast se mendojmë se ata të dy kanë folur për programin atomik, atëhere SHBA e kanë plotësuar një ndër kërkesat më të rëndësishme të Phenianit. Koreja e Veriut do që ta konsiderojnë si fuqi atomike dhe si e tillë do të zhvillojë bisedime bilaterale me Uashingtonin. Pikërisht një gjë e tillë duhej të mënjanohej.

«Reutlinger General-Anzeiger» mendon:

Fakt është se tani Koreja e Veriut nuk është më e izoluar dhe gjendet sërish në dialog me SHBA. Dhe bisedimet me një regjim që ka armë atomike dhe drejtohet prej një diktatori të sëmurë të cilit nuk mund t'ia kesh besën, janë për bashkësinë ndërkombëtare një gjë e domosdoshme.

«Braunschweiger Zeitung» vëren:

Me arrestimin dhe dënimin e dy gazetareve Koreja e Veriut tregoi se është e gatshme të përdorë çdo lloj mjeti për t'i zbutur Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të fillojnë bisedimet. Për momentin kjo nuk është e vështirë, sepse Obama nuk do të bjerë në retorikën dhe politikën e Bushit. Ish-presidenti Clinton arriti t'i sjellë të dyja gazetaret në SHBA. Ky është një sukses, por se ç'çmim i është dashur të paguajë për këtë, kjo do të merret vesh më vonë. Ndoshta të njëjtin që Obama i lejoi edhe Iranit, përdorimin paqësor të energjisë atomike. Në rastin e një regjimi kaq të pabesë si ai i Koresë së Veriut ky çmim do të ishte shumë i lartë.

Autor: Pandeli Pani

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi