1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman për koalicionet paszgjedhore në Gjermani

16 Shtator 2009
https://p.dw.com/p/Jhif
Koalicionet paszgjedhore në Gjermani në shtypin gjerman. Ne foto: faqe te para te gazetave te perditshme gjermane
Koalicionet paszgjedhore në Gjermani në shtypin gjermanFotografi: picture-alliance/dpa

Fushata parazgjedhore dhe mundësia e koalicioneve të ndryshme në Gjermani, është ndër temat më të komentuara në shtypin e sotëm gjerman. Gazeta "Süddeutsche Zeitung", që botohet në Mynih, lidhur me mundësinë e krijimit të koalcionit mes partive të Unionit CDU/CSU dhe liberalëve, komenton:

"Kancelarja gjermane Angela Merkel po zhvillon një fushatë elektorale, e cila ka vetëm një qëllim: që ajo të mbetet kancelare. E vërtetë është poashtu që kancelarja nuk do të kishte asnjë problem me vazhdimin e koalicionit me Partinë Socialdemokrate (SPD). Por ai që në fakt më së shumti ka dëmtuar liberalët është Partia Kristiansociale (CSU). Ajo nuk e lë asnjë rast pa i goditur liberalët. Kjo ka një traditë të gjatë, që nga koha e Franz Josef Strauß-it, i cili liberalët i kishte halë në sy. Por politikisht nuk është tepër e mençur që në fushatë të hedhësh gurë kundër partnerëve të mundshëm për krijimin e koalicionit qeveritar dhe të shtrosh pyetjen pse duhet bashkëqeverisur me këtë partner", pohon komentatori i gazetës "Süddeutsche Zeitung".

Për gazetën "Frankfurter Rundschau", pas duelit të fundit televiziv të liderëve të tri partive opozitare, ekologjistëve, majtistëve dhe liberalëve është e qartë se mundësitë për koalicione mes tyre janë shumë të vogla.

"Ekologjistët dhe liberalët kanë shumë pak pika të përbashkëta politike dhe kulturore. Nuk ka asnjë parti tjetër politike e cila më shumë se sa të Gjelbërit kundërshton futjen e liberalëve në qeveri. Ndërkohë që të dyja këto parti qarkullojnë në qarqet e ngjashme qytetare, sepse kaherë në radhët e ekologjistëve janë futur edhe sipërmarrësit e vegjël dhe të mesëm. Për ekologjistët do të ishte madje më e lehtë të shpjegojnë një koalicion me partitë e Unionit (CDU/CSU) se sa me liberalët. Koalicioni me këtë parti do të ishte i vështirë, madje edhe nëse këtë e kërkojnë socialdemokratët. Koalicioni Xhamajka, i quajtur sipas flamurit të këtij vendi (kuq - verdh - gjelbër) paraqitet për ekologjistët më shumë se lëndë shpërthyese", konstaton komentatori i gazetës "Frankfurter Rundschau".

Ndërsa "Frakfurter Allgemeine Zeitung" komenton koalicionin e ri në Saksoni, mes liberalëve dhe CDU-së.

"Që në fushatën elektorale ishte e qartë se politika e arsimit do të jetë në qendër të vëmendjes. Por liberalët nuk ia dolën me kërkesën e tyre drejtuar CDU-së, për një shkollë fillore deri në klasën e gjashtë. Ardhmëria e Saksonisë, sikur edhe e shumë landeve të tjera, në lindje të vendit do të varet edhe për një kohë të gjatë nga ndihmat e landeve perëndimore, por për këtë nuk e ka fajin vetë. Gjendja e tanishme është pasojë e diktaturës komuniste. Ndërkohë që Saksonia në këtë çështje qëndron më mirë se të gjitha landet tjera në lindje apo në perëndim të vendit", pohon "Frankfurter Allgemeine Zeitung".

Autor: dpa/ Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi