Shtypi gjerman i së premtes | Studimi në Gjermani | DW | 26.08.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi gjerman i së premtes

Temat: Gazetat gjermane fokusohen tek vendimi i Gjykatës kushtetuese për zgjedhjet e parakohshme në Gjermani dhe tek raporti i Shoqatës për përkujdesjen dhe barazinë sociale mbi gjendjen e fëmijëve në vend

Gazeta "Kölner Stadt Anzeiger" mbi vendimin e Gjykatës kushtetuese për zgjedhjet e parakohshme vëren: Gjykata federale kushtetuese konfirmoi besimin e saj në mënyrën e funksionimit të sistemit tonë politik. Thjeshtë dhe me një qartësi të lëvdueshme në mënyrën e argumentimit, gjykatësit kushtetutes theksuan dhe vlerësuan rolin sovran që kanë luajtur tre organet kushtetuese, qeveria gjermane, parlamenti dhe presidenti gjerman në procedurën aq të diskutuar të shpërndarjes së parlamentit.
Sipas shtjellimeve të gjykatës, tanimë nuk paraqitet domosdoshmëria që të ndryshohet kushtetuta dhe me këtë t'i jepet parlamentit e drejta për t'u vetëshpërndarë. Kush e ndjek me kujdes argumentimin e gjykatësve, nuk ka më përshtypjen se në Berlin është vënë në skenë një akt teatri shtetëror.

Edhe gazeta e njohur "Frankfurter Allgemeine Zeitung" e komenton vendimin e Gjykatës kushtetuese: Me këtë vendim shteti gjerman eci edhe një hap më përpara në drejtim të demokracisë së kancelarizmit. Me këtë dobësohet parlamentarizmi, bundestagu dhe deputetët gjermanë humbasin akoma më shumë rëndësinë e tyre. Vendimi është guri i fundit i dy mandateve të kancelarit Schröder, kancelari i mediave dhe komisioneve, i cili legjitimitetin e tij donte më së miri t'a derivonte direkt nga populli, duke anashkaluar partinë dhe parlamentin. Zhvillimin e zgjedhjeve, të cilat ai arriti t'a merrte me detyrim, përmes një mocioni të inskenuar të votbesimit- duhet të jenë një lloj plebishiti për politikën e tij të reformave. Pak para fundit, Schröder arriti të korrte edhe një fitore- për emrin e tij, por jo për kushtetutën.


Ndërsa gazeta e Bonit "General Anzeiger" komenton: Vendimi i gjykatësve në Karlsruhe i kursen vendit një vit stanjacioni politik dhe ekonomik. Kjo pasi partitë do të kishin bllokuar njëra tjetrën me një ashpërsi gjithnjë e më tepër në rritje. Në vitin 1983 në kohën që Helmut Kohl synonte përmes mocionit të mosbesimit zgjedhjet e parakohshme, gjykata kushtetuese, u shpreh me një PO, por me shumë vështirësi. Këto probleme me sa duket tani kanë kaluar. Gjykata Kushtetuese sinjalizon me këtë se ka besimin e duhur në stabilitetin e demokracisë në vend.

"Die Tageszeitung" në Berlin prek temën e ndryshimit të kushtetutës: Bundestagu dhe Këshilli federal duhet t'i marrin debatet e pafundme të javëve të fundit si shkak për të ndryshuar më në fund kushtetutën. Në vend të kancelarit do të duhej që në të ardhmen, parlamenti të çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja përmes një vendimi për vetëshpërndarjen. Gati çdo parlament i landeve e ka të këtë të drejtë në rast urgjent, dhe deri më tani kjo e drejtë është përdorur me shumë kujdes. Nuk mund të krijohet më situata si në kohën e Republikës së Vajmarit. Përkundrazi mocioni gjoja i humbur i votbesimit sjell grindje të panevojshme me vete. Qytetarëve nuk ju pëlqen, nëse inskenohen dështime në votim, para së gjithash kur ato bëhen aq pa stil, si në rastin e koaliconit qeverisës të socialdemokratëve dhe të gjelbërve.


Ndërrojmë temë:
Disa nga gazetat gjermane komentojnë raportin e Shoqatës për përkujdesjen dhe barazinë sociale mbi gjendjen e fëmijëve në Gjermani

"Schweriner Volkszeitung" komenton: Për arsye se kushton para, komuniteti ynë përjashton një pjesë të anëtarëve më të vegjël të tij. Çdo i katërti fëmijë nga pjesa lindore e këtij vendi të pasur jeton në kushte varfërie, kështu të dhënat e raportit të Shoqatës për përkujdesje dhe barazi sociale. Shoqëria ka përballë fëmijëve një përgjegjësi dhe detyrim të veçantë. Më të dobëtit dhe ata pa përkrahje duhet të gëzojnë ato të drejta, të cilat i aftësojnë ata të futen në botën e të rriturve. Edhe në qoftë se kjo do të bëhet përmes ndryshimit të kushtetutës. Këtu nuk duhet që politika të reagojë me racione. Vendimet për zgjerimin e sistemit të çerdheve dhe kopshteve apo për mbështetjen financiare të prindërve, të cilat nuk merren tani, vetëm se i shtyjnë problemet në të ardhmen. Por e ardhmja e shoqërisë sonë, dhe ky mendim thuhet shpesh, varet nga fëmijët tanë.

Ndërsa "Ostseezeitung" për këtë shkruan: Shoqëria feston me dëshirë ditën e nënës, të fëmijëve dhe të babait. Por ai që ka fëmijë, e di se përditshmëria ka një pamje krejt tjetër. Njerëzit duhet të jenë fleksibël, të lëvizshëm, të gatshëm për t'ju futur rreziqeve. Kështu e do tregu i punës. Kush nuk mund të jetë apo nuk do të jetë kështu, rrëshqet më shpejt se kurrë më parë në batakun e varfërisë- dhe bashkë me të edhe familja.

"Berliner Kurier" vëren: Përkujdesje pa pagesë për fëmijët, para për prindërit. Në fushatën zgjedhore të gjitha partitë bëjnë premtime sa të munden. Por realiteti i jep politikës një dëftesë me nota negative. Është turp që në Gjermani, çdo i shtati fmëijë jeton në varfëri. Në Lindje madje çdo i katërti. Vajzat dhe djemtë nuk mund të ndryshojnë gjë në situatën e tyre, por politika mundet.

  • Data 26.08.2005
  • Autor Deutsche Welle/Shqip
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aru6
  • Data 26.08.2005
  • Autor Deutsche Welle/Shqip
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aru6