Shtypi gjerman i së martës për G-8-ën | Studimi në Gjermani | DW | 18.07.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi gjerman i së martës për G-8-ën

Në temat e politikës së jashtme të shtypit të sotëm gjerman mbizotërojnë vlerësime për përfundimin e takimit të nivelit të lartë të G-8-ës si dhe për krizën në Lindjen e Mesme.

Putin dhe Bush në takimin e nivelit të lartë të G-8 në Sankt Petërsburg

Putin dhe Bush në takimin e nivelit të lartë të G-8 në Sankt Petërsburg

Në gazetën TAGESPOST që botohet në Vyrcburg lexojmë:

"Takimi i nivelit të lartë të G-8-ës- i fuqive më të rëndësishme ekonomike të botës- në Sankt Petersburg kontribuoi vetëm përmes zgjedhjes së këtij vendi në ngritjen e prestigjit të Rusisë. Perëndimi nuk ia "prishi" presidentit Vladimir Putin këtë sukses, megjithë ndonjë deficit demokracie në vendin e tij. Ky ishte veprim i mençur, megjithëse e ardhmja e politikës së brendshme dhe të jashtme ruse të jep shkas për mjaft pyetje e rezerva. Periudha e dytë në post e presidentit Putin përfundon në vitin 2008. Ai do t'i lërë pasardhësit të tij, në ekonomi dhe në politikën e jashtme, një Rusi stabile dhe të fortë. Shtetet perëndimore duhet të mësojnë që të merren vesh me një Rusi të fortë, por gjithnjë e më shumë jodemokratike. Ato duhet të përpiqen me kujdes ta afrojnë këtë vend me perëndimin."

BERLINER ZEITUNG është e mendimit se Putini i detyrohet për suksesin e tij në fakt SHBA:

"Që Vladimir Putini pati mundësi të ngrinte skenën botërore në Sankt Petersburg, këtë ai ia dedikon jo së fundi SHBA. Superfuqinë e fundit botërore e përfshiu megalomania. Ajo tërheq vëmendjen më pak si aktore, se sa si aksioniste. Debutimi i Xhorxh Bushit në këtë takim ishte i dobët. I përgatitur keq dhe me mendime çuditërisht larg realitetit, ai i dha Putinit shansin për të bërë figurë të bukur. Çdo kritikë ky i fundit e priti me përgjigje të shkathta. Arritjet demokratike në Irak, Putini nuk ka nevojë të durojë t'ia paraqesin si shembull suksesi."

AUGSBURGER ALLGEMEINE përshëndet deklaratën e G-8-ës për Lindjen e Mesme dhe rolin gjerman:

"A ka bashkësia ndërkombëtare ndonjë shans për ta përfunduar këtë luftë që sapo ka nisur? Aktualisht nuk duket kështu, por udhëheqësit botërorë të takimit të G-8-ës në Sankt Petersburg e panë veten me të drejtë para përgjegjësisë. Ata u shprehën për një mision paqeje, dhe sot e kësaj dite një term i tillë do të thotë se ka mundësi që ushtarët të përdoren për të qetësuar konfliktin. Edhe gjermanë? Në një konflikt në të cilin është përfshirë edhe Izraeli?Më parë përgjigja do të kishte qenë një "jo" e prerë. Por sot bota ka ndryshuar."

Ja edhe mendimi i komentatorit të ABENDZEITUNG që botohet në Mynih për kontributin gjerman në takimin e G-8-ës:

"Një deklaratë e G-8-ës për luftën që kërcënon në Lindjen e Mesme u hartua me ndërmjetësimin gjerman. Ajo është një shembull tjetër, se edhe Gjermania mund të bëjë politikë botërore...Takimi tjetër i nivelit të lartë të G-8ës do të bëhet nën kryesinë gjermane. Atëherë Angela Merkel duhet të paraqesë idetë e saj dhe nuk mund të mjaftohet vetëm me rolin e ndërmjetësuesit."

GENERAL ANZEIGER që botohet në Bonn hedh një vështrim në faktorët që mundësuan krizën aktuale në Lindjen e Mesme:

"Këto ditë në Lindjen e Mesme paguhet çmimi për shumë gabime të qeverisë Bush. Njëri nga gabimet më të rënda, siç del në pah tani, ishte refuzimi thuajse i plotë për ta përfshirë Sirinë dhe Iranin në diplomacinë e Lindjes së Mesme të viteve të fundit. Të dyja këto shtete damkosen nga Bushi në bllok si shtete të pabesa dhe tirane dhe izolohen politikisht. Me të vërtetë që të dyja meritojnë pak simpati. Por Siria dhe Irani, ndryshe nga Kuba dhe Koreja e Veriut, nuk janë të shkëputura dhe të izoluara, por të lidhura në mënyrë të shumëfishtë me forca politike, që kanë pushtet dhe ndikim në rajon. Moderimi i hamasve dhe hizbollave në këtë gjendje delikate të çastit mund të arrihet vetëm me mbështetjen e qeverive të Teheranit dhe Damaskut; me të dyja këto, qeveria Bush ka refuzuar tani thuajse cdo bisedë."

Dhe së fundi FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG, e cila analizon idenë e vendosjes së helmetkaltërve të OKB-së në një zone tampon midis Libanit dhe Izraelit:

"Një zonë tampon, nëse mendohet seriozisht, do të thotë një kontroll thuajse krejtësisht të plotë në pjesë të tëra të Libanit, çarmatosjen ose tërheqjen e Hizbollave, në përgjithësi marrjen e përgjegjësisë për sigurinë në një brez të gjerë kufitar. Kjo mund ta qetësonte gjendjen në plan afatmesëm dhe nuk do të ishte pak përballë frikës për një konflikt rajonal. Një trupë, e cila do të kishte një mandat të tillë, nuk do të ishte e krahasueshme me vëzhguesit e pazotë të OKB-së që ndodhen sot aty. A do ta mbështesë KS të OKB-së propozimin e G-8 ës?" pyet FAZ, citat me të cilin përfundojmë edhe pasqyrën e shtypit gjerman të së martës.
  • Data 18.07.2006
  • Autor DW
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arot
  • Data 18.07.2006
  • Autor DW
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arot