Shtypi gjerman i së martës: debatet për programet e partive kryesore gjermane | Studimi në Gjermani | DW | 24.04.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi gjerman i së martës: debatet për programet e partive kryesore gjermane

Me programe të reja partiake dy partitë më të mëdha gjermane, Bashkimi Kristjan-Demokrat, CDU dhe Partia Socialdemokrate Gjermane, SPD duan të dallohen nga njëra-tjetra. Komentatorët e shtypit të përditshëm gjerman shtrojnë nga njëra anë pyetjen për kuptimin e debateve të tilla. Nga ana tjetër ato merren me deklaratat e përsëritura të kryetarit të komanduar të SPD, Beck, se shtetit i duhen më shumë para për t'i plotësuar detyrat e së ardhmes së tij.

Kurt Beck në korsinë e shpejtë

Kurt Beck në korsinë e shpejtë

KÖLNISCHE RUNDSCHAU vëren në fillim të debateve parimore:

"Në kohët e Koalicionit të Madh të dyja partitë e mëdha kanë tendencë për paqetësi të brendshme, sepse detyrimi i vazhdueshëm për kompromis e sposton në sfond doktrinën vetjake të pastër. Prandaj edhe debatet për programin janë një terapi me vend punësimi. Por për këto debate ekziston edhe një nevojë e madhe përmbajtësore. Në kohët e shndërrimeve të fuqishme globale ekonomike, partitë duhet të reflektojnë nga e para për detyrat e tyre e për vlerat bazë."


STRAUBINGER BLATT shprehet nga ana e saj skeptike për nevojën e diskutimeve të tilla:

"A janë CDU dhe SPD vetëm pak muaj pas krijimit të një qeverie të madhe koalicionare kaq pa orientim, sa të hapin diskutimin e debatin për programet partiake? Në vend që ta përpunojnë pikë për pikë marrëveshjen e arritur për këtë periudhë legjislative, socialdemokratët dhe kristjandemokratët marrin rrugën për të hetuar të ardhmen politike. Apo mos duan të zhvendosin vëmendjen nga deficitet? Në zgjedhjet e ardhshme ata do të marrin faturën për pasivitetin e dukshëm dhe arratinë nga përgjegjësia."

MÄRKISCHE ALLGEMEINE që botohen në Potsdam i sheh para dilemave komisionet e programeve:

"Komisionet e programeve nuk e kanë të lehtë sot. Ata duhet t'i bëjnë partitë atraktive për zgjedhësit, të cilët pagëzohen në kishë, që ndajnë llojet e mbeturinave nga njëra-tjetra, që kërkojnë taksa më të ulëta dhe më shumë investime në arsim dhe përkujdesje- dhe t'i bëjnë këto të gjitha menjëherë. Atje ku bërthamat sociale të kampeve të mëparshme shkrihen me njëra-tjetrën, partive, veçanërisht më të mëdhave nuk u mbetet më tepër se sa t'i lidhin pas vetes sa më konkretisht që të jetë e mundur dhe sa më pak turbull që të jetë e mundur mbështetësit e tyre. Me nuanca të mprehta në përfytyrime: njëra palë e do shtetin social si litar mbajtës, tjetra e sheh atë si ashensor."

ESSLINGER ZEITUNG do të përshëndeste më tepër mprehtësi ndarjeje midis dy partive të mëdha popullore:

"Sigurisht që të dyja kampet nuk duhet të përleshen përgjakshëm nga e para çdo ditë. Një dallim më i qartë megjithatë do t'u bënte mirë të dyja partive. Kështu, për partinë socialdemokrate ka rëndësi që ta riformulojë nga e para emrin si parti e majtë, nëse nuk do të preferojë që humbjen përmbajtësore nga Partia e Majtë ta ketë të përhershme. Edhe unionistët duhet të ripozicionohen në aleancën e detyruar me Koalicionin e Madh. Që asnjëra palë nuk mban çelësin e së vërtetës, kjo ka kohë që dihet."

Deklarata e kryetarit të ardhshëm të Partisë Socialdemokrate Gjermane, Kurt Beck, se shteti ka nevojë për më shumë para, për të financuar detyrat e tij, gjen pak mbështetje në kryeartikujt e gazetave gjermane.

BERLINER ZEITUNG i sheh para detyrash të mëdha socialdemokratët:

"Si parti popullore e majtë partia socialdemokrate duhet të pengojë që edhe në perëndim, majtas saj të zërë vend një konkurencë e vazhdueshme. Mesi social mund të mbrohet ndaj një kancelareje, e cila i ka vendosur në akte me kohë planet e saj neoliberale. Nga pozicioni i ndërmjetëm zgjedhjet nuk është e lehtë të fitohen. Një program i ri ndoshta mund të ndihmojë- nëse në fund është më tepër se një program për ngritjen e taksave."

Gazeta e Chemnicit FREIE PRESSE e paralajmëron SPD që të mos i mashtrojë mbështetësit e saj:

"Socialdemokratët duan ta lënë më në fund pas vetes epokën e Shrëderit me axhendën 2010, në të cilën partisë më të vjetër gjermane iu larguan me tufa anëtarët nga radhët e saj. Por këtu kjo parti nuk duhet të provojë t'u shesë anëtarëve sapunin për djathë. Populli ndërkohë ka mësuar të lexojë edhe atë që shkruhet më gërma të vogla në programet partiake. Ai e di se një "shtet social që përkujdeset me kohë", të cilin e ka zgjedhur si model partia socialdemokrate, nuk do të thotë asgjë tjetër, veçse një ftesë për qytetarët që të tundin sërish paratë."

  • Data 24.04.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArqG
  • Data 24.04.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArqG