Shtypi gjerman i së mërkurës për atentatin e Egjiptit, vizitën e Merkelit në Rusi dhe Çernobilin | Studimi në Gjermani | DW | 26.04.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi gjerman i së mërkurës për atentatin e Egjiptit, vizitën e Merkelit në Rusi dhe Çernobilin

Analistët e shtypit gjerman të së mëkurës e përqëndrojnë vëmendjen përgjithësisht në tri tema: në atentatin e së hënës në mbrëmjë në Dahab të Egjiptit, në vizitën në Rusi të kancelares gjermane Merkel si dhe përvjetori i 20-të i aksidentit atomik të Çernobilit.

Sulm terrorist në Egjipt

Sulm terrorist në Egjipt

Ndalemi fillimisht në reagimet ndaj atentatit në Egjipt.

SÜDWESTPRESSE që botohet në Ulm vëren:

"Prej tetorit 2004 në qendrat turistike egjiptiane po kryhen sërish atentate. Që atentatet prekin gjithmonë më shumë vendasit, se sa turistët e synuar, kjo nuk u intereson fare dorasve. Një problem paraqet fakti që shteti egjiptian nuk e lejon plotësisht botën e jashtme të marrë pjesë në hetime, sepse motivet e dorasve do të pikturonin një tabllo jo të mirë, por të saktë të këtij aleati të rëndësishëm të perëndimit në botën arabe. Kemi të bëjmë me një vend jo të lirë, i cili qeveriset prej vitit 1981 me ligjin e luftës dhe në të cilin ka shpërthime sociale dhe fetare."

NEUE WESTFÄLISCHE që botohet në Bilefeld është e mendimit:

"Për investuesit Egjipti mund të jetë jo atraktiv. Por jo për terroristët. Mubaraku konsiderohet jo vetëm si mik i perëndimit, por ai mban paqe edhe me Izraelin. Dy premisa mund ta stabilizonin Egjiptin. Mubaraku duhet ta hapë regjimin e tij. Më të rëndësishme do të ishin investimet e botës perëndimore në Egjipt."

Ja edhe LANDESZEITUNG që botohet në Lyneburg:

"Afërsia me El Kaidën është e dukshme: përsa i përket kohës, në ditën e publikimit të mesazhit të Bin Ladenit. Përsa i përket taktikës, përmes goditjes së njëkohshme në disa vende dhe të sofistikuar. Afëri ideologjike, sepse regjimi është për islamistët joislamik."

Ndërsa WESTFÄLISCHE NACHRICHTEN që botohet në Mynster kujton:

"Në Dahab nuk zhvillohet luftë midis krishtërimit dhe fesë islame, nuk zhvillohet luftë e kulturave. Por luftë midis botës së civilizuar dhe terrorizmit. Që Egjipti u bë sërish viktimë e sulmeve që përbuzin njerëzit është domethënëse: myslimanë paqësorë bëhen vetë viktima të terrorit; roli kompensues, ndërmjetësues që Egjiptin luan edhe në konfliktin me Izraelin është halë në sy për terroristët."

Ndërrojmë temë. Takimi i radhës i nivelit të lartë midis Gjermanisë dhe Rusisë tërheq vëmendjen e shtypit gjerman. FINANCIAL TIMES DEUTSCHLAND shkruan:

"Kur Angela Merkel të takohet sot në Tomsk të Siberisë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, shpresat janë të mëdha. Por hapësira e veprimit e kancelares është e vogël. Rusia është furnizuesi kryesor me gaz i Evropës dhe një nga eksportuesit më të rëndësishëm të naftës. Merkelit nuk i mbetet gjë tjetër vecse një politikë e hapave të vegjël: të tregojë se ku janë kufijtë, të ruajë distancën, por ta marrë seriozisht Rusinë si partnere. Për një korrigjim themelor të kursit thjesht nuk ka vend."

E të njëjtit mendim me FINANCIAL TIMES DEUTSCHLAND është edhe HANDELSBLATT që botohet në Dyseldorf:

"Ka pak kuptim që të kërkosh ta impresionosh Moskën me gishtin tregues të ngritur. Ajo që mund të ndihmonte do të ishte tërheqja e vëmendjes midis partnerëve, që qeveria ruse me kontradiktat e politikës së saj dëmton vetveten. Rusisë, në fund të fundit, i nevojitet bashkëpunimi me evropianët, ashtu si anasjelltas."

Ja edhe mendimi i komentatorit të SÜDDEUTSCHE ZEITUNG:

"Përfundimi është tronditës: nën udhëheqjen aktuale, Rusia është larguar nga vlerat e Bashkimit Europian dhe të Gjermanisë: në politikën e jashtme Moska ndjek një rrugë të vetën, kurse në cështje energjitike ajo merr një qëndrim kërcënues. Megjithatë, ka akoma shumë vend për bashkëpunim. Vetëm fraza e partneritetit strategjik do të ishte mirë të varrosej përfundimisht. Tomsku do të ishte një vend i mirë për këtë."

Dhe së fundi ndalemi në përvjetorin e 20-të të aksidentit atomik të Cernobilit, i cili kremtohet sot. Në gazetën ÖSTTHÜRINGER ZEITUNG që del në Gera lexojmë:

"Deri sot, interesat politike dhe ekonomike e frenojnë përpunimin shkencor të katastrofës, sepse politika energjitike në konkurencën botërore ka ngritur fronte të reja. Cernobili e ndryshoi qëndrimin ndaj forcës atomike, por pozicionet ekstreme, pro dhe kundra nuk do të ishin të dobishme. Në një kohë që standartet e sigurisë të reaktorëve në vendet perëndimore u përmirësuan, në Evropën Lindore vazhdojnë të funksionojnë shumë centrale atomike të vjetëruara. 20 vjet pas Çernobilit do të ishte koha për të gjetur programe në të gjithë botën, të cilët t'i bëjnë pasojat e epokës atomike për botën e brezave të ardhshëm më të kalkulueshme."

  • Data 26.04.2006
  • Autor Auron Dodi
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArqF
  • Data 26.04.2006
  • Autor Auron Dodi
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArqF