Shtypi gjerman i së mërkurës: 100 ditë të qeverisë gjermane dhe gripi i shpendëve | Studimi në Gjermani | DW | 28.02.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi gjerman i së mërkurës: 100 ditë të qeverisë gjermane dhe gripi i shpendëve

Analistët e shtypit të sotëm gjerman bëjnë një bilanc të periudhës 100 ditëshe në post të qeverisë gjermane dhe ndalen me tej në gripin e shpendëve në Gjermani.

100 ditë qeveri nën Angela Merkelin

100 ditë qeveri nën Angela Merkelin

Gazeta HANDELSBLATT që botohet në Dyseldorf vëren:

"Ekonomia shpreson se reformat e nevojshme do të kryhen më mirë me metodën Merkel se sa me vrull të madh. Nëse kjo shpresë megjithatë përfundon në zhgënjim, spiralja e grindjeve do të nisë nga e para, më e vonta në vjeshtë. Sepse ora e së vërtetës do të vijë pas zgjedhjeve në lande këtë muaj. Atëherë Merkeli duhet të vërtetojë nëse është në gjendje vërtet të drejtojë dhe nëse do ta drejtojë në kushte të vështira një koalicion të madh. Pragmatizmi dhe mjeshtëria e zanatit janë kushte vërtet të nevojshme, por jo të mjaftueshme për të qeverisur."

Në gazetën DIE WELT që botohet në Berlin lexojmë:

"Asnjë britmë përballë 5 milionë të papunëve të rinj, asnjë protestë kundër rëndimeve në taksa për qytetarët dhe filozofimi për simptomat - kujto pensionet, shëndetësinë dhe tregun e punës. A është raskapitje kjo që gjermanët janë kaq të kënaqur me këtë qeveri, vecanërisht me kancelaren e saj? Eshtë fakt që ritmi i reformave të viteve të fundit nuk i janë përgjigjur sensibilitetit të gjermanëve."

Ja edhe KÖLNER STADTANZEIGER:

"Sigurisht, kancelarja bëri figurë të mirë në terrenin e politikës së jashtme, pa qenë e detyruar që të shënojë suksese të mëdha: me pamjen e saj me besim në vetvete në Uashington dhe në Moskë ajo ndërmori një korrigjim të kursit të nevojshëm prej kohësh. Kjo e gjitha mund të mos e justifikojë gëzimin e socialdemokratëve dhe kristjandemokratëve për nisjen e punës së qeverisë. Projektet e mëdha janë caktuar për të ardhmen."

GENERAL-ANZEIGER që del në Bonn e kthen vështrimin gjithashtu nga kancelarja:

"100 ditë, kjo është një shifër si rrumbullake, ashtu dhe e caktuar pa ndonjë bazë. Por pse të mos shërbejë ajo për të bërë një bilanc për punën e kancelares? Sigurisht që ajo deri tani ndahet jo keq. Krahasuar me vështirësitë e nisjes së Gerhard Shrëderit në vitin 1998 dhe 2002, Merkeli madje ka pasur një start të shkëlqyer. Edhe nëse nuk kanë munguar fërkimet,askund nuk vëreheshin gjurmë kaosi. Nën udhëheqjen e saj e nisi koalicioni i madh punën esëll dhe pa zhurmë. Por kjo nuk ndryshon megjithatë gjë në faktin që reformat e mëdha ende nuk janë ndërmarrë. Në rastin më të mirë - të voglat. Megjithatë: prestigji publik i kancelares dhe i partisë së saj ka përfituar në masë të konsiderueshme nga stili i qeverisjes së hapave të vegjël, larg qeverisjes "radikale" të shpallur më parë."

ALLGEMEINE ZEITUNG që del në Mainc e hedh vështrimin përpara:

"Të gjithë e duan Angelën. Joshka i përket së djeshmes. Po kjo është e gjitha? Me siguri që jo, sepse çështje të rëndësishme kanë mbetur pa përgjigje edhe pas 100 ditëve qeverisjeje të koalicionit kristjandemokrat dhe socialdemokrat. Kur do t'i realizojë kjo qeveri të gjitha ato që premtoi në fillim? Vetëm harmonia nuk e zëendëson me kalimin e kohës një program politik."


Ndërrojmë temë: FINANCIAL TIMES DEUTSCHLAND shkruan për temën e gripit të shpendëve:

"Virusi po i afrohet gjithnjë e më shumë njeriut, kështu duket. Tani ai po sulmon kafshët e tjera të shtëpisë. Por tani nuk kërkohet dramatizim i gjendjes, por analiza e ftohtë e asaj që dimë. Ne nuk e dimë nëse virusi vdekjeprurës mund të përhapet në kushte normale edhe nga macja në mace. Nuk dimë nëse kafshë të tjera shtëpiake janë vërtet imune ndaj H5N1. Megjithatë, mirë është të tregohet kujdes në kontaktin me kafshët e shtëpisë. Sepse ato janë jo vetëm bashkëudhëtare besnike të njeriut. Ato bëjnë pjesë edhe tek përcjellësit kryesorë të sëmundjeve dhe nganjëherë janë edhe kuaj trojanë të viruseve."

Dhe së fundi BILD - Zeitung që botohet në Hamburg, e cila shprehet me tone kritike:

"Në rastin e gripit të shpendëve ne nuk duhet të kalojmë në panik thonë politikanët dhe ekspertët e epidemive. Kjo është e drejtë. Por e drejtë është edhe që shqetësimet e milionave gjermanëve nuk mund të eleminohen me deklarata të tipit: nuk ka për të ndodhur gjë.Vetë ekspertët janë cuditur që virusi mundi të infektonte macen e parë. Tani është detyra e të gjithë personave përgjegjës që të përgatiten në mënyrë më serioze për një rast serioz."

  • Data 28.02.2006
  • Autor ADD
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arr9
  • Data 28.02.2006
  • Autor ADD
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arr9