Shtypi gjerman i së hënës | Studimi në Gjermani | DW | 14.08.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi gjerman i së hënës

Komentatorët e shtypit gjerman të së hënës ndalen ndër të tjera në përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e krizës në Lindjen e Mesme dhe në deklarimin e shkrimtarit nobelist gjerman, Gynter Gras se në rininë e tij ka qënë për disa muaj anëtar i trupave hitleriane SS

Günter Grass

Günter Grass

Për temën e parë lexojmë në OSTSEE ZEITUNG e cila botohet në Rostok:

"Që diplomatët mundën të bien dakord, është në kufijtë e një çudie. Ne shpresojmë, por edhe dyshojmë. Nga përvoja. Kjo rezolutë e re me plot shpresa e OKB-së është një prej shumë rezolutave për konfliktin shumëvjeçar në Lindjen e Mesme. Shkaqet e këtij konflikti nuk janë trajtuar kurrë me të vërtetë. Prandaj të gjitha rezolutat e deritashme përfunduan në letra me të cilat nuk u morr njeri. Rreziku tani vazhdon të ekzistojë. Nëse në të ardhmen do të ketë me të vërtetë një zgjidhje paqësore, ne ndodhemi fare në fillim të saj."

Nga gazeta ESSLINGER ZEITUNG ndër të tjera shkëpusim:

"Që rezoluta e re të ketë me të vërtetë sukses, për këtë nevojitet një mandat i zhdërvjellët i OKB-së për trupat e paqes dhe mbështetje ndërkombëtare për ushtrinë libaneze. Përndryshe, si hizbollatë, ashtu edhe Izraeli mund ta marrin çdo shprehje sado të vogël armiqësie si shkas për të rinisur luftimet."

Angazhimi i mundshëm i ushtrisë gjermane në forcat ndërkombëtare paqeruajtëse në Liban preokupon disa komentatorë gjermanë. Në gazetën TAGESSPIEGEL të Berlinit ndër të tjera lexojmë:

"Çasti i marrjes së vendimit po afrohet, i vendimit më delikat në historinë gjermane të pasluftës: a duhet të shkojë ushtria gjermane si ushtri paqeje në Lindjen e Mesme? Për këtë, për të gjitha hollësitë, koalicioni dhe opozita duhet të reflektojnë me njëri-tjetrin. Ata duhet të mendojnë vërtet gjithcka në mënyrw paraprake, në fraksionet dhe kryesitë e tyre dhe pastaj të flasin në Bundestag."

Ja edhe mendimi i ABENDZEITUNG që del në Mynih:

"Me të vërtetë, për të dyja pozicionet mund të gjesh argumente të nderuara: nëse Gjermania duhet të përmbahet për shkak të kaluarës së saj, apo pikërisht për hir të saj është e detyruar të marrë pjesë. Me frontet e zakonshme pro dhe kundër ky diskutim nuk ka të bëjë. E rëndësishme është që Izraeli është lutur shprehimisht për një pjesëmarrje gjermane në trupën e paqes. Nuk duhet të jetë vija e parë e frontit ajo ku do të venë ushtarët gjermanë - por Gjermania nuk duhet t'i bëjë bisht angazhimit. Si shenjë që Lindja e Mesme na intereson dhe që ne duhet të kontribuojmë diçka për një fllad paqeje."

Komentatori i FRANKFURTER RUNDSCHAU është i mendimit:

"Debati që duhet bërë për pjesëmarrjen e ushtrisë gjermane në një mision të OKB-së nuk është i lehtë. Kurrë më parë nuk ka qenë para një angazhimi të ushtrisë gjermane jashtë vendit gjendja kaq e paparashikueshme për të ardhmen. Por më parë, qeveria duhet të sqarojë se çfarë detyrash diskutohen për ushtrinë gjermane në zonën gri midis detyrave të policisë dhe atyre të ushtrisë."

Ndërrojmë temë. Nobelisti gjerman, shkrimtari i njohur Gynter Gras ka treguar në një autobiografi të tij më të fundit për herë të parë se ka qenë për disa muaj oficer SS në ushtrinë e Hitlerit. Ky lajm ka bërë që në Gjermani të ngjallen diskutime të shumta për figurën e Gynter Grasit.

Në gazetën e Këlnit, SONNTAG EXPRESS lexojmë:

"Pranimi i papritur i mbajtësit të çmimit Nobel të letërsisë, Gynter Gras e ndan në mes kombin gjerman. Që pikërisht ai, mendimtari jokonvencional i majtë dhe paralajmëruesi me gjuhë të mprehtë e ka fshehur për më shumë se 60 vjet anëtarësinë në trupën kriminele të luftës të Hitlerit, kjo i zhgënjen thellësisht shumë vetë. Për ata është e qartë: si instancë morale, pas këtij pranimi Grasi e ka nxjerrë veten jashtë loje. Të tjerë kërkojnë më shumë mirëkuptim. Ata e vlerësojnë faktin që autori flet me shtytjen e vet personale për anët e errëta të jetës së tij. Një gjë është e qartë: që në moshën 17 vjeçare Grasin e mobilizuan në radhët e SS-ve, për këtë nuk mund ta akuzosh. Por mund ta akuzosh që ai ka heshtur kaq gjatë për këtë."

Së fundi edhe mendimi i STUTTGARTER NACHRICHTEN:

"Krijimtaria e Grasit trajton në mënyrë kaq qendrore nacionalsocializmin, sa ai do të kishte pasur shumë shkase për të folur për të kaluarën e tij. Shumë shpesh ka kërkuar Grasi me fjalë të qarta që të mos harrohet e kaluara, shumë shpesh ka matur ai me kallëpe të larta etike, duke mos bërë me këtë vetëm shokë. Do të kishte qenë mirë që ai të kishte qëndruar vetë në lartësinë e kërkesave të tij etike. Nga një mbajtës i çmimit Nobel të letërsisë, prej një njeriu që është shprehur kaq herë për çështje morale, kjo qe e pritshme."

  • Data 14.08.2006
  • Autor Auron Dodi
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AroS
  • Data 14.08.2006
  • Autor Auron Dodi
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AroS