Shtypi gjerman i së hënës | Studimi në Gjermani | DW | 16.10.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi gjerman i së hënës


Analistët e shtypit të sotëm gjerman ndalen ndër të tjera në testin atomik të Koresë së Veriut. Ata analizojnë vendimin për sanksione ndaj Koresë së Veriut të KS të OKB-së dhe pasojat e mundshme të tij.

Fillimisht, GENERAL -ANZEIGER që botohet në Bonn:

"Pas vendimeve që mundi të marrë KS të OKB-së është edhe çështja se si mund të shërohen ndonjëherë pasojat e pretendimeve perandorake të Koresë së Veriut. Edhe në një rast të tillë në krye ishte ndërprerja e marrëveshjeve dhe premtimet për ndihmë të administratës Klinton ndaj udhëheqjes së Phenianit. Në vend të kësaj: sanksionet, presioni dhe refuzimi i bisedimeve direkte me "shtetin e pabindur", shkallëzimi dhe konfrontimi. Këshillat e mençura tani janë të shtrenjta. Sepse ndaj sanksioneve, udhëheqësit e Koresë së Veriut janë treguar edhe më parë thuajse imunë."

Supozimin e GENERAL-ANZEIGER-it se regjimi koreanoverior është imun ndaj sanksioneve, FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG e mbështet vetëm pjesërisht:

"Reagimet e para të Phenianit të bëjnë të mendosh se Kim Jong Ir-i preferon më mirë që të lërë të vdesin nga uria disa mijëra vetë më tepër, se sa të heqë dorë nga përfundimi i programit të tij atomik. Por kufizimet tregtare, vecanërisht ndalimi për të eksportuar armë - mund ta dobësojnë regjimin. Në të gjithë Azinë, madje edhe në Japoni kërcënon të bjerë tabuja e të menduarit për të poseduar bombën. Irani mund të nxjerrë nga rasti i Koresë së Veriut përfundimin, se një regjim i vendosur me çdo kusht në rrugën e tij si fuqi atomike nuk mund të ndalet, nëse kundërshtarët e këtij plani nuk kanë dëshirë ose nuk janë të aftë, ta pengojnë posedimin e bombës me çdo kusht."

Për gazetën e Essenit, NEUE RUHR/NEUE RHEIN-ZEITUNG sanksionet e vendosura nga Këshilli i Sigurimit ndaj Koresë së Veriut nuk kanë vlerë praktike:

"Tingëllon groteske: Koreja e Veriut, një nga vendet më të varfëra dhe më të izoluara të botës, ndër të tjera ndëshkohet për testin atomik me një ndalim udhëtimi për funksionarët e saj. Edhe mallra luksi nuk do të lejohet të hyjnë më në vend. Dhe me të vërtetë, është rënë dakord që në të ardhmen, Koresë së Veriut të mos i eksportohet më teknologji atomike. Ajo që në Nju Jork festohet si një fitore, sepse për të ranë dakord të gjithë- edhe Kina dhe Rusia- është një shaka. Vetë shenja e vendosmërisë, e cila duhet të jetë e lidhur me sanksionet, është një farsë. KS të OKB-së nuk flet me një zë, sepse midis interesave të SHBA dhe Kinës ndodhen botë."

Skeptike ndaj sanksioneve tregohet edhe gazeta e Dresdenit SÄCHSISCHE ZEITUNG:

"E ke të vështirë të dallosh në sanksionet e vendosura nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së ndaj Koresë së Veriut një "mesazh të qartë". Organi i OKB-së veproi me të vërtetë me shpejtësi- po të kesh parasysh vendimet e mëparshme të natyrës së ngjashme. Por masat ndëshkimore i përngjajnë një shpate të mpirë. Ato zor se janë të përshtatshme për të impresionuar Phenianin, pa folur për ta bërë atë të heqë dorë nga armatosja bërthamore. Si mendon ta ndalosh tregtinë e armëve, kur kamionët, trenat dhe anijet nuk lejohet të kontrollohen? Dhe kush beson seriozisht se Kim Jong Ir-i mund të gjunjëzohet, sepse i kanë vështirësuar importin e verërave të shtrenjta të markës Bordeaux dhe të kaviarit rus?"

E të njëjtim mendim është së fundi edhe gazeta THÜRINGER ALLGEMEINE që botohet në Erfurt, e cila heq paralele edhe me Iranin:

"Sanksionet e vendosura nga Këshilli i Sigurimit janë shumë të dobëta, për ta bërë të ndryshojë mendje një diktator të llojit të Kim Jong Ir-it. Aq më pak mund të shërbejnë ato për të trembur Iranin, që ai vetë të mos ndërtojë bombë atomike. Por nëse kjo nuk arrihet, pasojat janë të rënda. Sepse mullatë janë të interesuar jo vetëm për ruajtjen e pushtetit të tyre, por për zgjerimin e tij edhe përtej rajonit. Duke përfshirë edhe shkatërrimin e Izraelit. Kjo do të thotë, nëse zhvillimet në Korenë e Veriut do të vazhdojnë si deri tani, kriza aktuale mund të jetë vetëm pararendëse e konflikteve shumë më të rënda. Për fat të keq, asgjë nuk flet për atë, që Uashingtoni, Pekini dhe Moska të ndërgjegjësohen për përgjegjësinë që kanë. Pa folur për evropianët. Ata janë më tepër spektatorë jashtë gardhit."

  • Data 16.10.2006
  • Autor ADD
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArnS
  • Data 16.10.2006
  • Autor ADD
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArnS