Shtypi gjerman i së hënës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Gjermani | Studimi në Gjermani | DW | 22.05.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi gjerman i së hënës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Gjermani

Jürgen Rytgens, kryeministri i ri kristjandemokrat i Nordrajn-Vestfalisë

Jürgen Rytgens, kryeministri i ri kristjandemokrat i Nordrajn-Vestfalisë


Komentatorët e shtypit të sotëm gjerman kanë temë kryesore lajmin e bujshëm për zgjedhje të parakohshme parlamentare në Gjermani.

Në gazetën DIE WELT që del në Berlin lexojmë:

"Partia Socialdemokrate ka tërhequr kartën e fundit. Me një gjest dramatik ajo e kthen disfatën në landin e Nordrajn-Vestfalisë në atë që është në fakt: në hapje të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare dhe në fundin e koalicionit kuq e gjelbër. Me hapin e tij jashtë radhe, kryetari i Partisë Socialdemokrate e bëri të dështojë strategjinë e Angela Merkelit të të priturit dhe të rraskapitjes. Jo 16 muaj, deri në vjeshtë 2006 do të mund të vështrojmë erozionin e koalicionit kuq e gjelbër: PSDGJ kërkon një vendim të shpejtë. Ky është një hap pozitiv për një vend që nuk ka kohë për të humbur."

Ja edhe SÜDDEUTSCHE ZEITUNG që del në Mynih:

"Kryetari socialdemokrat, Franc Myntefehring shfrytëzon, për të mos e lënë dëshpërimin të përhapet, një mjet të fundit: ai kërkon zgjedhje të reja. Ky është një veprim i papritur dhe i rrezikshëm, që synon të mobilizojë rezervat e fundit dhe ta disiplinojë partinë, e ta shmangë atë nga disfata në zgjedhje. Zgjedhje të reja, ky është një sulm, ky është poker për pushtet, ky është spekullim për turbullirat që mund të shkaktonte ky hap tek unionistët. Kështu që të gjitha synohet të vendosen në një kartë. Rruga për zgjedhje të reja, nga ana juridike nuk është kaq e thjeshtë. Megjithatë: kryetari socialdemokrat i fryn bririt për betejën e fundit të socialdemokratëve kundër ndryshimit të pushtetit që po përvijohet në Berlin dhe kërkon të shkelë me këmbë kundërshtarin politik."


Komentatori i HANNOVERSCHE ALLGEMEINE ZEITUNG që del në Hanover konstaton:

"Fakt është: në asnjërin nga të 16 landet gjermane nuk ekziston një koalicion në pushtet kuq e gjelbër. Dhe koalicionit qeveritar kuq e gjelbër në rrafsh federal i janë sosur fuqitë para kohe. Sigurisht që mund të arrihet të ringjallet sërish koalicioni i socialdemokratëve me Të Gjelbrit. Por cështja shtrohet si?... Zgjedhjet e parakohshme parlamentare mund të sjellin që në parlament të qeverisë sërish një shumicë e socialdemokratëve dhe Të Gjelbërve. Por kjo shumicë ekziston që sot. 11 kryeministrat "e zinj", (kristjandemokratë) PSDGj me këtë nuk arrin t'i largojë nga qeverisja në lande. Dhe luftërat e brendshme kërcënuese për drejtimin e partisë në rastin më të mirë vetëm shtyhen me këtë. Asnjë nga rreziqet, prej të cilave kërkon të marrë arratinë PSDGj sot nuk shmanget me zgjedhjet e reja në federatë."

NEUE OSNABRÜCKER ZEITUNG që botohet në Osnabryk vëren për situatën e re në Gjermani:

"PSDGJ dhe kancelari i saj ndodhen në një rrugë pa krye. Një përpjekje e mundimshme për sukses deri në zgjedhjet parlamentare vitin e ardhshëm do të thotë: për shumë muaj stanjacion, një republikë e paralizuar. Kristjandemokratët dhe kristjansocialët mund të jetojnë shumë mirë me një vazhdim të gjendjes pezull dhe ta bënin sehir agoninë e koalicionit kuq e gjelbër. Gerhard Shrëderi dhe Partia Socialdemokrate nuk duan ta lënë punën të vejë deri aty. Me ofertën për zgjedhje të parakohshme parlamentare ata ndërmarrin të vetmin veprim të duhur."

Së fundi edhe STUTTGARTER ZEITUNG që botohet në Shtutgart arrin në përfundimin:

"Megjithatë: pleduajeja për zgjedhjet e reja është një goditje clirimi për republikën. Asfiksia politike që mund të pritej deri në vitin 2006 pas disfatës në zgjedhjet në Landin e Nordrajn-Vestfalisë, në këtë mënyrë mund të konsiderohet që shmanget. Republikës i përcaktojnë në këtë mënyrë vërtet disa muaj të tjerë stanjacioni, por me shpresë që pas kësaj të sundojnë raporte të qarta, cilatdo qofshin ato. Me Rytgersin, fituesin e zgjedhjeve në landin e Nordrajn-Vestfalisë njëkohësisht zgjidhet në mënyrë përfundimtare çështja K e unionistëve. Kryetares së Partisë Kristjandemokrate Gjermane nuk ia merr dot më njeri kandidaturën për kancelare. Shefja e CDU-së mund të llogarisë në këtë mënyrë se ka shanse serioze, që të bëhet që në vjeshtë kancelarja e parë e RFGJ. Një grua, dhe për më tepër nga Lindja e Gjermanisë, ky do të kishte qenë një sinjal për t'u shënuar. Dhe ironia historike e çështjes do të qëndronte në faktin, se ky sinjal do të vinte prej askujt tjetër, veçse prej një partie konservatore gjermane"

  • Data 22.05.2005
  • Autor Përzgjedhur nga Auron Dodi
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArvQ
  • Data 22.05.2005
  • Autor Përzgjedhur nga Auron Dodi
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArvQ