Shtypi gjerman i së hënës mbi çmimet e naftës dhe marrëdhëniet e Gjermanisë me Indinë | Studimi në Gjermani | DW | 23.04.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi gjerman i së hënës mbi çmimet e naftës dhe marrëdhëniet e Gjermanisë me Indinë

Komentatorëve të shtypit gjerman të së hënës u interesojnë tema të ndryshme si çmimi i naftës, marrëdhëniet e Gjermanisë me Indinë etj.

Rafineri nafte në Iran

Rafineri nafte në Iran


Kështu në MITTELBAYERISCHE ZEITUNG ndër të tjera lexojmë për vazhdimin e ngjitjes së çmimit të naftës:

"Çimi i naftës paraqet aktualisht një skenar horror. Kufiri prej 75 dollarë për fuçi u arrit me një kërcim prej 8 përqind në një ditë të vetme. Sa për kujtesë: në fund të vitit 1998, kostoja për të njëjtën sasi të arit të zi ishte rreth 10 dollarë. Që atëherë, çmimi i naftës është ngjitur me shpejtësinë e një rakete. Kufiri i 100 dollarëve për fuçi duket i afërt. Parashikues të frikës madje flasin për 200 dollarë e më shumë. Përfundimi që duhet t'i bëjë të gjithë esëll duhet të jetë: epoka e naftës po i afrohet me shpejtësi të paparashikuar fundit të saj."


Tema e naftës i intereson edhe ÖSTTHURINGER ZEITUNG që botohet në Gera, por në një kontekst tjetër, të atij të humbjeve nga një luftë në Iran. Kjo temë ishte në sfondin e qëndrimin kinez për Iranin edhe në vizitën e sapopërfunduar të presidentit kinez në Pekin, mendon komentatori i kësaj gazete:

"Të drejtat e njeriut në Kinë thuajse nuk janë temë në bisedat e nivelit të lartë. Në listën amerikane të prioriteteve tani zë vend kryesor një temë tjetër: Bushi kërkon mbështetjen e Kinës në konfliktin bërthamor me Iranin. Deri tani Huja kundërshton sanksione të mundshme kundër Iranit. Shkaku është më se i qartë: bëhet fjalë për naftë. Më shumë se 10 përqind e importeve kineze të naftës vijnë nga Irani. Huja imiton edhe në këtë aspekt atë që bëjnë amerikanët: politikë nafte si politikë e jashtme."


Gazeta HANDELSBLATT që del në Dyseldorf trajton diskutimet për drejtimin e ardhshëm të politikës së Fondit Monetar Ndërkombëtar:

"Që ky fond ta humbasë rëndësinë e tij, këtë nuk e do askush seriozisht. Por ka shumë mosmarrëveshje për drejtimin e ri të tij. Shefi i FMN, Rodrigo Rito ka marrë detyrën që ta mprehë profilin e Fondit. Por atij i mungojnë mjetet: ai duhet t'u mundësojë aziatikëve të kenë më shumë peshë në organizatë, por thuajse askush nuk dëshiron korrigjimin thelbësor të kuotave, të cilat vendosin për të drejtat e votave. Vetëm rusët dhe gjermanët kanë lënë të kuptohet se mund ta pranonin një ribalancim. Por për aq kohë sa zotëruesit e fuqishëm SHBA dhe shumë evropianë nuk do të heqin dorë nga ndikimi i tyre, Rato ka mundësi t'i korrigjojë vetëm në mënyrë margjinale kuotat me anë të korrigjimeve kozmetike."

Hedhim tani një vështrim tek BADISCHE ZEITUNG. Kësaj gazete i intereson lajmi se Vatikani mund të lejojë përdorimin e preservativëve në shërbim të parandalimit të përhapjes së sëmundjeve si SIDA:

"Për njerëzimin është vetëm një hap i vogël, për kishën një hap shumë i madh: ajo bëhet gati të pranojë, se sëmundja e SIDA-s nuk përballohet dot me predikime për t'u ruajtur. Për më tepër: duket se nën kryetarin e ri Benedikt po përvijohet gatishmëria që më në fund të pranohet, se në rastin e kësaj tema kisha katolike ishte në kontradiktë me vetë doktrinën e saj. Si mund të angazhohet kisha në mënyrë të besueshme për mbrojtjen e jetës, kur njëkohësisht pranon duke aprovuar që jeta të shkatërrohet, sepse Vatikani vërtet që i ka shpallur tabu preservativët, por megjithatë nuk është në gjendje të zbatojë në praktikë moralin e tij pa lidhje me realitetin? Se sa e vështirë është për Vatikanin ndryshimi i kursit, kjo mund të vihet re. Por Papa i ri duket se këtu po i zhvlerëson edhe njëherë drojat me të cilat u shoqërua zgjedhja e tij. Kjo meriton respekt."

Dhe së fundi BERLINER MORGENPOST e cila trajton temën e forcimit të marrëdhënieve të Gjermanisë me Indinë, me rastin e vizitës në Gjermani të kryeministrit të Indisë Manmohan Sing:

"Miqësia me Nju Delhin mund të shkojë deri aty, sa të ofrohet energji atomike për qëllime paqësore- me kushte. Sepse ai që kërkon të drejta për vete, ai nuk duhet t'i harrojë detyrat. Kjo do të thotë se fuqia e ardhshme botërore Indi duhet të bëjë më shumë në të ardhmen se sa thotë deri tani, për t'u konsideruar si fuqi atomike zyrtare. India kërkon t'i vërë tani vetëm 14 nga 22 reaktorët e saj nën kontroll ndërkombëtar- nëse vihet në jetë marrëveshja atomike. Dhurata e diskutueshme e Bushit ndaj Nju Delhit ka shkaktuar një diskutim ndërkombëtar për faktin se çfarë vlere ka ende marrëveshja e vjetër e bllokimit të armëve bërthamore. Përgjigja mund të jetë vetëm: ai që kërkon të marrë teknologji bërthamore, ai duhet t'i vërë programet e tij nën kontrolle ndërkombëtare. Kjo vlen për Iranin, por edhe për Indinë."

  • Data 23.04.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArqH
  • Data 23.04.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArqH