Shtypi gjerman i së enjtes: taksat dhe armiqësia ndaj të huajve në Gjermani | Studimi në Gjermani | DW | 19.04.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi gjerman i së enjtes: taksat dhe armiqësia ndaj të huajve në Gjermani


Ngritje taksash, me këtë fjalë e frikësoi i caktuari si kryetar i PSDGj, Beck jo vetëm opozitën, por edhe shumë nga shokët e partisë së tij. Ministri i financave Steinbrück e kundërshtoi me forcë pikëpamjen, sipas së cilës në të ardhmen duhet të ngrihen taksat- krahas taksës mbi vlerën e shtuar. Komentet e shumë gazetave gjermane trajtojnë më tej edhe sulmin me motive raciste ndaj një gjermani me origjinë etiopiane.

Pas grindjes për rritjen e taksave brenda Partisë Socialdemokrate Gjermane, gazeta FRANKFURTER NEUE PRESSE dallon një qëndrim krejt të ri të socialdemokratëve:

"Nuk mund të mos vësh re, se tek partitë popullore ka ndodhur një ndryshim paradigmash. Nëse në vitet e shkuara patën thënë që të ulen taksat dhe shpenzimet, për të qenë në gjendje edhe më tej për të konkuruar në kuadër ndërkombëtar, tani propagandohen pa iu dredhur syri sërish ngritje taksash dhe kontributesh. Natyrisht që Beku ka të drejtë kur thotë se shteti duhet të ruajë aftësinë e veprimit. Por ai nuk duhet t'i hyjë rrezikut e të mbysë produktivitetin, i cili në fund të fundit garanton aftësinë e veprimit."


Edhe GENERAL-ANZEIGER e sheh me skepticizëm propozimin e Bekut:

"...Rëndimi i qytetarëve me taksa, shpenzime dhe tatime është tepër i lartë - dhe politikanë me përvojë praktike si Beku duhej ta dinin se sa po rëndohen ndërkohë qytetarët. Vetëm po të vështrosh barrën e taksave, nuk të vete mendja të flasësh më për atë që flet Beku. Prandaj është një gjest i mençur, që shok të partisë së Kurt Bekut, si ministri i financave Peer Steinbrück të shprehen kundër rritjes së taksave. E ardhmja i përket shtetit elegant."

NORDBAYERISCHE KURIER druhet për pasojat e shpalljes së ngritjes së mundshme të taksave:

"Konsumentin që sapo ka filluar të blejë më i çliruar, këto dushe politike të ftohta e hedhin sërish në defensivë. Aty është ende reforma e shëndetësisë. Në horizont është përvijuar taksa mbi vlerën e shtuar, e cila me ndryshimin e viteve do të rritet menjëherë tri pikë. Dhe ishte një gabim fatal i Kurt Bekut, që dy pikërëndesave t'u shtojë edhe një të tretë, duke folur për ngritje taksash."

KÖLNER STADT-ANZEIGER e sheh dëshirën për të blerë të gjermanëve të turbulluar edhe nga një studim i Fondit Monetar Ndërkombëtar:

"Ekspertët e FMN e kanë reduktuar prognozën e tyre për rritjen ekonomike të Gjermanisë në vitin 2006 me 1 përqind- megjithëse ekonomia e eksportit përfiton edhe më tej prej rritjes së ekonomisë botërore. Por kjo varësi nga eksporti rezulton gjithnjë e më tepër si problem. Vetëm nëse edhe brenda vendit rritet edhe më tej kërkesa, nëse konsumatorëve u mbeten para në xhepa, para që mund t'i shpenzojnë, vetëm atëherë mund të arrihet një rritje e qendrueshme."

Tema e dytë në pasqyrën e shtypit trajton atentatin me motive raciste ndaj një gjermano-etiopiani të dielën. Qeveria e dënoi këtë akt si të shëmtuar, brutal dhe përbuzës për njerëzit. Për të dhëna që çojnë në kapjen e dorasve u vu një shpërblim prej 15.000 Eurosh.

SCHWARZWÄLDER BOTE që del në Oberndorf e sheh këtë sulm si ogur të keq për kampionatin e ardhshëm të futbollit:

"Eshtë brutaliteti, ai që na trondit. Urrejtja e pa fund dhe gatishmëria e pakufi për dhunë e dorasve, të cilët goditën dhe plagosën për vdekje një 37 vjeçar me prejardhje etiopiane e zgjojnë sërish popullin. Një dënim i vendosur i krimit të dhunshëm shërben për të futur frikën, por nuk do ta zgjidhë problemin e ekstremizmit të djathtë në Gjermani. Siguria e brendshme është vënë në diskutim. Një shenjë e gabuar për të gjithë, që duan të jenë miq "tek shokët" në qershor.

Për NÜRNBERGER ZEITUNG trupa të huaj në Gjermani nuk janë viktimat e akteve të ekstremizmit të djathtë, por vetë dorasit e dhunshëm:

"Të supozojmë se ata janë papunë prej kohe të gjatë, jetojnë në kufijtë e shoqërisë dhe të deklasuar vetë kërkojnë objekte urrejtjeje, mbi të cilat të zbrazin urrejtjen e tyre. Kush mund t'i integrojë këta njerëz? Kush mund t'i mësojë ata se çfarë do të thotë dinjitet njeriu? Në kokëderrësinë e tyre ata janë të huaj për këtë vend. Këtë duhet ta kuptojnë edhe ata që u rekomandojnë të tjerëve gjithmonë kthimin në Anadollin Lindor."

Gazeta e Ulmit SÜDWEST PRESSE kërkon së fundi masa më të forta kundër armiqësisë ndaj të huajve:

"Ai që në këtë situatë çon nëpër mend të pakësojë mjetet sidoqoftë të pakta për projektet kundër armiqësisë ndaj të huajve, bën mëkat jo vetëm ndaj viktimave të dhunës, por edhe ndaj së ardhmes së përbashkësisë."

  • Data 19.04.2006
  • Autor DW
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArqM
  • Data 19.04.2006
  • Autor DW
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArqM