Shtypi gjerman i së enjtes për Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, presidentin italian etj. | Studimi në Gjermani | DW | 11.05.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi gjerman i së enjtes për Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, presidentin italian etj.

Analistët e shtypit të sotëm gjerman ndalen ndër të tjera në shpresat që lidhen me punën e Komisionit të ri të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, në temën e shpërnguljes së Shërbimit Informativ Gjerman në Berlin si dhe në tema të tjera të ditës.

Giorgio Napolitano, President i ri i Italisë

Giorgio Napolitano, President i ri i Italisë

Për temën e Këshillit të të Drejtave të Njeriut, në gazetën NÜRNBERGER ZEITUNG lexojmë ndë të tjera:

"Ato vende, për të cilat respektimi i të drejtave të njeriut është një preokupim i vërtetë, do të kenë nevojë për forcë të madhe bindëse dhe këmbëngulje, për të mos e katandisur këtë organ në një organ tjetër joefektiv të OKB-së. Do të nevojiten shumë veprime të mençura, për ta mbrojtur dinjitetin e njeriut kundër interesave kombëtare dhe ndjeshmërive nacionale. Dhe do të përjetojmë shumë zhgënjime. Sepse bashkësia botërore, këtë e tregon historia, ecën gjithmonë vetëm në hapa të vegjël përpara, sepse shumicën e herëve ai që fiton është biznesi mbi të drejtat e njeriut."

PFORZHEIMER ZEITUNG shkruan po për të njëjtën temë:

"Ky organ calon që në faktin, që anëtarët e tij mund të zgjidhen me një shumicë të thjeshtë votash, gjë që con, që në këtë këshill të futen vende, të cilat, e thënë butë, nuk e marrin vetë seriozisht punën me të drejtat e njeriut. Që për shembull Kina dhe Rusia të kenë mundësinë që të dënojnë shkeljen e të drejtave të njeriut në vende të tjera, ky nuk mund të jetë kuptimi i gjithë kësaj pune. Në këtë mënyrë, ky organ tronditet në kredibilitetin e tij, pa filluar ende nga puna."

Gazeta OSTSEE-ZEITUNG që botohet në Rostock shkruan për zgjedhjen e Presidentit të ri të Italisë:

"Lufta për Romën kaloi. Për javë të tëra, ish-kryeministri italian Silvio Berluskoni refuzoi si ish-kancelari Shrëder ta pranojë disfatën dhe të dorëzojë pushtetin. Deri dje, Italia politikisht kishte ngecur në vend, sepse Berluskoni nuk injoronte vetëm fituesin e zgjedhjeve, Romano Prodi. Edhe zgjedhjes së presidentit të shtetit ai donte t'i vinte vulën e tij dhe t'i impononte kandidatin e tij. Megjithë fuqinë mediale të Berluskonit, ai nuk arriti asgjë. Tani klasa politike e Italisë duhet të shtojë ritmin, sepse ka shumë për të bërë. Epoka e Berluskonit vërtet që në krahasim me qeveritë e tjera italiane është karakterizuar nga një lloj stabiliteti, por sigurisht edhe prej mbetjes në vend."

Komentatori i SÜDDEUTSCHE ZEITUNG ndalet në masterplanin për BE, të paraqitur nga kryetari i Komisionit Evropian, Hose Manuel Baroso dhe shprehet me nota kritike:

"Ai që shkëput elementë të realizueshëm lehtë nga kushtetuta, ai shkatërron pjesën që mbetet. Sepse atraktiviteti i këtij teksti kushtetute nuk qëndron në pjesët e tij të vecanta, por në kompozimin e tyre në një vepër, e cila 25 shteteve anëtare të BE iu duk kaq e mirë, sa në fund kryetarët e tyre të shteteve nënshkruan me solemnitet marrëveshjen."

Një temë mjaft e diskutueshme në shtypin gjerman të këtyre ditëve është shpërngulja e të gjithë sektorëve të Shërbimit të Fshehtë Gjerman për në Berlin. Megjithëse kjo u vendos nën qeverinë e mëparshme, me ndërrimin e qeverive diskutimi është kthyer në pikënisje.

Në gazetën MITTELDEUTSCHE ZEITUNG që botohet në Hale, për këtë temë ndër të tjera lexojmë:

"Në shpërnguljen e Shërbimit Informativ Federal një difekt ndjek tjetrin. Në fillim ishte Oto Shili, i cili si ministër i brendshëm arriti që shërbimi i fshehtë për botën e jashtme të shpërngulet buzë lumit Spree (në Berlin). 1400 njerëzit më të rëndësishëm të Shërbimit të Fshehtë Gjerman ka kohë që ndodhen në Berlin. Shili është për fat të keq mbrojtës i një teze absurde: sa më shumw centralizëm, aq më shumë siguri. Por meqenëse mijëra bashkëpunëtorë të Shërbimit të Fshehtë janë edhe një faktor prestigji, Partia Kristjansociale (CSU) nuk lëshoi pe (dhe nuk lejoi shpërnguljen e tyre nga Bavaria në Berlin).

Ja së fundi edhe mendimi i OFFENBURGER TAGEBLATT:

"Me koalicionin e madh qeveritar Partia Kristiansociale papritur është pjesë e qeverisë dhe kryeministrin e Bavarisë, Edmund Stoiber duhet ta marrin me të mirë. Kështu që takspaguesi, përvec shpenzimeve të planifikuara të shpërnguljes prej 1,7 miliardë eurosh, duhet të paguajë 76 milionë euro ekstra-subvencion për Bavarinë. Një lobing kaq të fortë sigurisht që nuk e kanë miliona nëpunësit e ecejakave në Gjermani. Ai që cuditet pas kësaj se pse në Gjermani ka zhgënjim nga politika, ai nuk ka mbërritur ende tek e vërteta."

  • Data 11.05.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arq0
  • Data 11.05.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arq0