1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së martës

ADD16 Tetor 2006
https://p.dw.com/p/ArnR


Thirrja që i bëhet presidentit të Izraelit Moshe Kacav për të dhënë dorëheqjen nga posti pas akuzave për skandale seksuale tërheq vëmendjen e komentatorëve të shtypit të sotëm gjerman. Rasti i presidentit shihet përgjithësisht si simptomatik për gjendjen e klasës politike izraelite.

Kështu lexojmë ndër të tjera në gazetën HANDELSBLATT që del në Dyseldorf:

"Skandali seksual është simptomatik për - e thënë butë - sjelljen jo korrekte që sundon në të gjitha sferat e jetës publike. Meqenëse presidenti është pasqyrë e elitës izraelite, raporti hetimor policor për shkeljet e kryetarit të shtetit reflekton një krizë të thellë të shtresës drejtuese izraelite. Ai zbulon manierat e saj ku sundojnë meshkujt, tregon se korrupsioni është një pjesë integruese përbërëse e sistemit qeveritar izraelit. Sapo politikanët zënë pozicione të larta, ata e shfrytëzojnë pozicionin e tyre: ose për pasurim personal ose për zbavitje të dyshimta. Gazetat më të mëdha izraelite informojnë thuajse me rregullsi penetruese për shkeljet e politikanëve. Dhe rastet që janë të bërë të njohura deri tani duhet të paraqesin vetëm majën e Ajsbergut."

Diagnoza që i bën shoqërisë izraelite gazeta që del në Mynster, WESTFÄLISCHE NACHRICHTEN, arrin në të njëjtin përfundim:

"Izraeli ka një problem: jo vetëm për shkak të skandalit seksual rreth Kacavit. Që paraardhësit të tij Weizman iu ngatërruan këmbët para kohe në një donacion privat prej milionash. Kryeministri Ehud Olmert flitet se është përfshirë në biznese të paqarta pasurish të patundshme. Ndërsa ministri i drejtësisë, Haim Ramon nuk e mbijetoi politikisht afrimin ndaj një ushtareje. Një kënetë po hapet: klasa politike e vendit ka në krye një shtesë drejtuese, e cila duket e shfrytëzon pozicionin e saj të pushtetit dhe që duket e mbërthyer pas karrigeve të pushtetit. Afera Kacav tregon vetëm pikën e përkohshme kulmore të një arrogance, e cila mund të jetë në gjendje të tronditë besimin tek shteti."

Një temë tjetër që preokupon shumicën e komentatorëve gjermanë sot ka të bëjë me përfundimet e një studimi në Gjermani, sipas të cilit, tetë përqind e popullatës në Gjermani bëjnë pjesë në një shtresë të re të varfër të shoqërisë. Për këtë temë, lexojmë ndër të tjera në numrin e sotëm të FINANCIAL TIMES DEUTSCHLAND:

"Shumica e tyre nuk kanë punë, nuk interesohen për arsim, nuk presin një rritje ekonomike dhe nuk besojnë në efektivitetin e masave politike. Asgjë prej këtyre nuk është e re, cdo raport për varfërinë dhe pasurinë thotë të njëjtën gjë, dhe këtë që prej vitesh. I ri nuk është as shqetësimi, që ndihet para së gjithash në radhët e Partisë Socialdemokrate Gjermane, dhe i cili, si në rastet e tjera do të jetë shuar brenda 48 orësh. Shtrohet pyetja, se sa përqind varfëri, braktisje, nivel i ulët arsimor duhet të ekzistojnë në mënyrë që shqetësimi të mbajë më shumë dhe që politika të vrasë mendjen më shumë se vetëm për ligje dhe vende pa pagesë në kopshte."

Ja edhe mendimi i komentatorit të STUTTGARTER ZEITUNG:

"Po, ekziston në kuptimin tradicional të fjalës një nënshtresë e popullatës në Gjermani, edhe nëse ministri i punës, Franc Myntefehring nuk dëshiron të dijë më për të. Këtyre njerëzve nuk u mungojnë më paratë, por edhe shanset, edhe shanset për t'u arsimuar. Njëra ka të bëjë me tjetrën, sa më i shtrenjtë të bëhet arsimi, aq më i pamundur bëhet ai për këta njerëz. Edhe kjo nuk është gjë e re. Krahasimisht e re është në RFGJ është që këta njerëz përjashtohen gjithnjë e më fort pikërisht nga politika. Prej ndihmuesve të dikurshëm nuk ka mbetur shumë më tepër se sa kontrolli i vazhdueshëm për të papunët kronikë deri në dhomën e tyre të gjumit. Asnjë qytetar tjetër nuk do të lejonte t'i ndodhte një gjë e tillë. Vendet e punës nuk krijohen, duke u vënë të papunëve, për të cilët nuk ka vende pune, edhe fajin për papunësinë e tyre."

Së fundi SÜDDEUTSCHE ZEITUNG e cila bën propozime konkrete për daljen nga varfëria:

"Shpejt duhet të bëhet shumë më tepër për arsimin. Kjo fillon që me kopshtet, sepse integrimi në shoqëri këtu është më i lehtë. Vazhdon me shkollat, të cilat edhe ato duhet të përcjellin kompetencë sociale. Dhe nuk përfundon as në krye. Që sot në ndërmarrjet gjermane mungojnë mijëra inxhinjerë. Kjo përkthehet në më pak produktE të reja dhe në më pak vende pune në të ardhmen."