1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së martës për pensionet në Gjermani

28 Prill 2009
https://p.dw.com/p/Hfam
Fotografi: picture-alliance/dpa

"Frankfurter Allgemeine Zeitung" paralajmëron për rreziqet e përkrahjes nga shteti të daljes së parakohshme në pension:

"Kthimi tek ndihmat shtetërore për daljet e parakohshme në pension, siç kërkojnë sindikatat, dhe pjesërisht edhe Partia Socialdemokrate, nuk do të ishte sinjal i mirë. Sepse ajo i çon firmat drejt ndarjes me punonjësit e moshuar, në kurriz të arkës sociale. Jo pak ekspertë u dërguan nga punëdhënësit në pension për t'u marrë më vonë në punë si këshilltarë projektesh, duke marrë kështu honorare të majme. Edhe shpresa se kjo do të ishte rruga për të angazhuar të papunët dhe të rinjtë që mësojnë profesionin, nuk është përmbushur në shumë raste. Një vështrim mbi krizën bën të qartë, se në shoqërinë në plakje punësimi duhet nxitur deri në moshat e mëdha, dhe nuk duhet përkrahur shkëputja e parakohshme nga jeta në punë. Kthimi mbrapsht në politikën e tregut të punës do t`i kushtonte shtrenjtë Gjermanisë."

"Thüringer Allgemeine" po mbi pensionet:

"Deri tani ka qenë gjë e sigurt, që kur punëmarrësit fitojnë më pak ose duhet të punojnë më orar të shkurtuar, sepse firma nuk i ka punët mirë, atëherë kjo e gjitha bën presion mbi nivelin e pensioneve. Që prej vitit 1957 ka funksionuar kjo formulë pensionesh. Përpjekjet e politikës për ta ndryshuar atë janë duke u shpeshtuar. Ministri socialdemokrat i çështjeve të punës kërkon ta bëjë këtë nëkëtë vit zgjedhjesh. Por kjo është e rrezikshme. Transformimet në politikën e pensioneve sjellin padrejtësi të tjera. Përpiluesit e Paktit të brezave kërkonin të arrinin me ndërthurjen e pensioneve dhe rrogave harmonizimin e pensioneve ekzistuese me zhvillimin ekonomik. Por, siç e tregon edhe kriza zhvillimi ekonomik nuk është ligj natyror, aq më pak rritja e pensioneve."

"Rheinpfalz" nga Ludwigshafeni hedh dritë mbi zgjerimin në lindje të Bashkimti Evropian duke patur parasysh krizën ekonomike:

"Kriza ekonomike e ka vendosur Evropën para provës së zjarrit. Disa vende evropianolindore që patën vitin e kaluar rritje të madhe ekonomike edhe për shkak të anëtarësimit në BE, janë dëmtuar shumë rëndë. Anëtarësimi në BE mund të bëhet faktor stabilizues si politik ashtu edhe ekonomik. Zgjerimi i BE-së ka qenë dhe është një akt që i ka dhënë forcë si BE-së së vjetër ashtu edhe asaj të re. Mirëpo mirëkuptimi reciprok nuk e ka arritur ende besimin dhe vullnetin e vërtetë për veprim të përbashkët të grupit të 27 -ëve. Sa kohë që kjo mbetet kështu, Evropa do të bënte mirë, që të qëndronte e rezervuar me pranimin e shteteve të tjera. Ndryshe BE do të kthehej në një gjigand të palëvizshëm, të cilit qytetarët do të refuzonin t`i japin votën."

Autor: dpa/Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi