1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së martës për pavarësinë e Malit të Zi

Auron Dodi23 Maj 2006

Mali i Zi shpalli pas një referendumi pavarësinë apo shkëputjen nga Bashkësia Serbi- Mali i Zi. Këtu ndalet vëmendja e komentatorëve gjermanë sot.

https://p.dw.com/p/Arpo
Monumenti i Pushkinit në Podgoricë
Monumenti i Pushkinit në PodgoricëFotografi: AP

FRANKFURTER RUNDSCHAU shprehet e rezervuar për klikën drejtuese në Mal të Zi, e cila sipas mendimit të kësaj gazete nuk është me të vërtetë demokratike:

"Të jetosh më mirë, sllogani, me të cilin Milo Gjukanoviç u bë burrë i fortë rreth 10 vjet më parë, tani për rrethin e të njohurve të tij personalë është kthyer në realitet. Në përgjithësi do të ishte gabim, sikur lëvdata e fortë që vëzhguesit ndërkombëtarë shprehën për pjekurinë demokratike të malazezasve, të vihet në lidhje me partinë e tij dhe me qeverinë. Kritikat e opozitës në adresë të Gjukanoviçit, se ai ushtron kontroll të plotë në vend dhe kërkon ta kurorëzojë pushtetin e tij me ngritjen e një shteti privat, nuk duket se janë thjesht të shpikura. Por edhe sikur synimi i burrit të fortë të kishte qenë, që pushtetin ta shijojë të plotë, kjo nuk duket e realizueshme. Që prej së dielës, populli është i ndërgjegjshëm për pushtetin e tij. Tani ai mund të vendosë edhe për drejtues të tjerë."

OSTSEE-ZEITUNG që botohet në Rostok sheh me droje shtimin e shteteve të reja në Ballkan:

"Atomizimi i mëtejshëm i Ballkanit nuk është i parrezikshëm. Krijimi i një minishteti Mal të Zi u jep forcave secesioniste të rajonit historikisht të paqendrueshëm nxitje të mëtejshme- qoftë kjo në rajonet shqiptare të Maqedonisë ose në provincat serbe të Kosovës dhe Vojvodinës. Për më tepër, një copëtim i mëtejshëm i Serbisë do ta plagoste kaq thellë këtë popull krenar evropian, sa ai, në mënyrë të ngjashme si para Luftës së Parë Botërore mund t'i kthente kurrizin Evropës dhe të lidhej më ngushtë me Rusinë. Një vizion që mund të pengohet, nëse këtë e do vërtetë BE."

DER NEUE TAG që botohet në Vajden shkruan për rrugën drejt BE të bashkësive të ndara shtetërore:

"Serbëve duhet t'u dhembë edhe më shumë që Brukseli, për shkak të refuzimit për të dërguar kriminelin e luftës Ratko Mladiç në Hagë u mbylli derën në fytyrë, në një kohë që Mali i Zi i pavarur në të ardhmen ka mundësi t'i afrohet i papenguar BE. Në një front tjetër, serbët do të tregohen kokëfortë. Ata do të përpiqen që të sillen edhe më këmbëngulës në cështjen e Kosovës. Kjo në një kohë kur edhe atje ka kohë që janë vendosur piketat në drejtim të pavarësisë. Arti politik konsiston në atë që të kujdesesh që Serbia të mos rezultojë në fund si e vetmja e humbur. Një detyrë e madhe për Bashkimin Evropian."

Ngjashëm komenton edhe MANHEIMER MORGEN:

"Serbi e Madhe? Endrra ka marrë fund. Tani flamurin e braktisin edhe malazezët- dhe Kosova kërkon gjithashtu të shkëputet nga Serbia. 15 vjet pas shpalljes së pavarësisë nga sllovenët dhe kroatët, ish-shteti shumëkombësh Jugosllavi u shpërbë përfundimisht në pjesët përbërëse të tij. Mali i Zi, i cili ka më pak banorë se Frankfurti, pas referendumit do të ketë një shtet të vetin dhe mund të llogarisë madje që në një kohë jo të largët të bëhet anëtar i BE. Serbia nga ana tjetër po degradon gjithnjë e më tepër në një shtet të paaftë për t'u reformuar, i cili madje nuk arrin që t'ia dorëzojë Tribunalit të Hagës për Krime lufte kriminelët e saj të luftës, të kërkuar me urdhër arresti në të gjithë botën."

WESTDEUTSCHE ALLGEMEINE ZEITUNG që botohet në Essen shkruan për Serbinë dhe Malin e Zi:

"Tani kemi të bëjmë edhe me një shtet tjetër xhuxh në territorin evropian: me Malin e Zi, i cili nuk ka banorë më tepër se Dortmundi. Kosova mund të pasojë shumë shpejt. Ballkani kthehet sërish në qilim të arnuar të interesave dhe të egoizmave nacionale. Gabimin kryesor për këtë e ka sigurisht regjimi i Miloshevicit. Por edhe perëndimi ka pasur duart në këtë lojë. Që këto zhvillime të mbeten gjithmonë paqësore, kjo është më tepër shpresë se siguri."

Dhe së fundi TAZ që botohet në Berlin, e cila e përqëndron vështrimin në shoqërinë serbe:

"Tani edhe para shoqërisë serbe shtrohet seriozisht pyetja, se ku dëshiron të shkojë. Rruga drejt Evropës kërkon që të përtërihet ideologjikisht dhe ekonomikisht. Kjo nuk mund të bëhet pa reforma të thella politike. BE duhet të njohë pa humbur kohë nga ana diplomatike Malin e Zi. "Koalicionit të atyre që duan" në Podgoricë do t'i duhet të gëlltisë, dhe për këtë Brukseli mund të jetë i sigurtë, të gjitha pilulat e hidhura që i servir BE. Dhe kjo është punë e mirë."