1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së mërkurës

Përzgjedhur nga Auron Dodi17 Tetor 2006
https://p.dw.com/p/ArnQ


Dy janë temat e politikës së jashtme ku përqendrohen sot shumica e komentatorëve gjermanë: formimi i qeverisë në Poloni dhe testet atomike të Koresë së Veriut.

Komentatori i gazetës që botohet në Dyseldorf, HANDELSBLATT habitet me ato që ndodhin në qeverinë polake:

"Çfarë vendi i BE është ky, ku një ministër dhe zëvendëskryeministër shkarkohet pa nder nga posti, për t'u kthyer pak javë më vonë triumfues në postin e tij? Në Poloni me sa duket kjo është e mundur, siç e tregon rasti Andrej Lepper. Dhe tani, udhëheqësi radikal i fshatarëve gëzon një ndikim më të madh se kurrë më parë. Kthimi i tij e ka bazën në llogarinë e ftohtë të pushtetit të kryeminstrit polak, Jaroslav Kaczynski. Partia e tij nacionalkonservatore e Drejtësisë nuk gëzon shumicën në parlament, pa Grupimin Vetëmbrojtja të Leperit. Dhe partnerë të tjerë koalicioni, veç një grupi të vogël radikal të djathtë nuk janë në dispozicion për Kaczynskin. Zgjedhje të reja qeveria e tij nuk do t'i mbijetonte. Kështu që qëllimi justifikon mjetet, edhe nëse emri i Polonisë është ai që paguan një çmim jo të vogël."

FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG mendon se një qeveri e tillë nuk premton stabilitet:

"Tani Leperi e imponoi kthimin e tij në qeveri me faktin se ndryshe fraksioni i tij parlamentar do të binte dakord për shpërndarjen e parlamentit. Kështu që shpëtimi i koalicionit në Varshavë tani paraqitet si disfatë e kryeministrit Kaczynski, të cilën ai nuk do t'ia harrojë kaq shpejt zëvendësit të tij Lepper. Për një qeveri stabile, të aftë për të vepruar polakëve do t'u duhet të presin edhe më tej, aq më tepër që aleanca e re treshe, për shkak të një ndërrimi tjetë fraksioni, e ka humbur shumicën e saj me një votë pro në Sejm. Zgjedhësve të tyre, Kaczynskët u premtuan se do t'i jepnin fund korrupsionit dhe shitjes së interesave polake. Por shteti, që donin të forconin ata, për shkak të kacavirrjes së tyre pas pushtetit po bëhet gjithnjë e më i dobët."

Edhe gazeta që del në Erfurt, THÜRINGER ALLGEMEINE tregohet e habitur për fenomenet në qeverinë polake:

"Një prishës i qetësisë i dëbuar vetëm pak javë më parë, brenda natës bëhet shpëtues i koalicionit qeveritar. Kredibilitet kjo në asnjë mënyrë nuk siguron. Ajo që duket si një fillim i ri, të bën të druhesh se aleanca treshe e rigjallëruar nuk do ta ketë të gjatë. E vetmja gjë, që i lidh partnerët, është thjesht ruajtja e pushtetit. Për Evropën dhe Gjermaninë kjo do të thotë, se në sjelljen aktuale pak bashkëpunuese të Polonisë do të ndryshojnë pak gjëra. Me vështrimin drejt presidencës gjermane të BE-së dhe përpjekjeve për një kushtetutë evropiane, kjo duhet të paraqesë një vështirësi shtesë."

Në marrëdhëniet bilaterale mes Polonisë dhe Gjermanisë ndalet edhe komentatori i SÄCHSISCHE ZEITUNG që del në Dresden:

"Në fund të tetorit janë planifikuar konsultime qeveritare...Ka ardhur koha që kancelarja Merkel të bëjë të qartë pas dyerve të mbyllura se klishetë antigjermane mund t'i dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe. Këtu bën pjesë edhe rënia pa pushim e borive e funksionarëve të etur për tokë të popullatës së dëbuar. Veç kësaj, ajo duhet t'i kujtojë zotit Kaczynski, atë që me sa duket ai e ka harruar: një rrjet i ngushtë i bashkëpunimit nuk është i favorshëm vetëm për gjermanët."

Testi atomik i Koresë së Veriut është tema tjetër e politikës së jashtme që i preokupon komentatorët gjermanë.

NEUE WESTFÄLISCHE që del në Bilefeld mendon se duhet të bësh më shumë nëse kërkon të ndalosh me të vërtetë testet atomike:

"Ai që kërkon të ndalojë që Koreja e Veriut të bëhet me të vërtetë fuqi atomike, ai duhet të shtjerë me topa të rëndë dhe nuk duhet të mjaftohet me gishtin tregues të ngritur. Për këtë nevojitet e pakta një bojkot i përgjithshëm."

Së fundi edhe NÜRNBERGER ZEITUNG që përqëndrohet në pasojat për rajonin të shndërrimit të Koresë së Veriut në një fuqi atomike:

"Më shkatërrimtare se testi i koreanoveriorëve- dhe ndoshta së shpejti edhe testi i iranianëve- janë pasojat për shtetet fqinjë. Japonia dhe Koreja e Jugut me siguri që nuk do ta vështrojnë me duar lidhur zhvillimin rreth Koresë së Veriut të armatosur deri në dhëmbë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për fqinjët e Iranit. Një garë armatosje atomike mund të ishte pasoja e pashmangshme."