1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së mërkurës për grindjen atomike me Iranin dhe letrën e presidentit iranian ndaj SHBA

10 Maj 2006
https://p.dw.com/p/Arq1


Komentatorët e shtypit të sotëm gjerman ndalen në përpjekjet diplomatike ndërkombëtare për të hartuar një rezolutë të OKB-së për Iranin. Më tej ata komentojnë përmbajtjen e letrës së presidentit iranian drejtuar SHBA.

Gazeta HANDELSBLATT që del në Dyseldorf shkruan në lidhje me diskutimet për një rezolutë të OKB-së për Iranin:

"Udhëheqja iraniane duhet ta ketë të qartë se çfarë çmimi do të paguajë po të mos u përmbahet angazhimeve të marra. Udhëheqësit fetarë të Iranit nuk janë të pandjeshëm për kërcënimet e bashkësisë ndërkombëtare, këtë e tregon letra presidentit iranian ndaj SHBA. Kjo letër vërtet që u shërben qëllimeve propagandistike, por njëkohësisht përmban plot rreziqe për politikën e brendshme nga kontakti i papritur i drejtpërdrejtë me "satanin e madh". Por këtij vendi i duhet sinjalizuar se ia vlen të plotësosh kërkesat e Bashkësisë Ndërkombëtare."

MÄRKISCHE ODERZEITUNG nga Frankfurt mbi Oder e çon edhe më tej idenë e komentatorit të gazetës HANDELSBLATT:

"Nëse tani synohet të ketë sukses një zgjidhje diplomatike, ai që duhet të lëvizë duhet të jetë në radhë të parë Uashingtoni. Që nga kancelarja Merkel e deri sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, Bushin e nxisin që të nisë bisedime të drejtpërdrejta me Teheranin. Por presidenti amerikan përsërit vetëm se të gjitha opcionet janë mbi tryezë. Me këtë, Bushi ia lë iniciativën Ahmadinexhadit. Letrën e tij ndaj "satanit të madh" mund ta kuptosh edhe në kuadër të luftës psikologjike të zhvilluar muajt e fundit, por edhe si shenjë të dëshirës për dialog."

FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG ndalet më gjatë në letrën e presidentit iranian:

"Me aq sa dihet, letra që presidenti iranian i ka drejtuar tani presidentit amerikan është vërtet disi difuze dhe me nota fetare, por për mirësjellje as që mund të bëhet fjalë. Në konfliktin atomik kjo letër nuk do të ndihmojë për të ecur përpara. Që Irani ka të drejtë të bëjë kërkime shkencore për qëllime paqësore, kjo është e saktë. Por letra duket se nuk tregon as një mirëkuptim për shqetësimet e justifikuara, që ekzistojnë në shumë vende të botës, në asnjë mënyrë vetëm në Izrael dhe në SHBA ndaj një bombe të mundshme iraniane dhe për dhënien e saj eventuale të tjerëve. Ndonjë kritikë e kuptueshme nga pozitat myslimane ndaj perëndimit, në letër zhvlerësohet nga një mjet i vjetër: teprimi dhe arratia në kategoritë e stërholluara të përfytyrimit të komploteve."

Ja ç'thotë më tej për letrën e presidentit iranian komentatori i HAMBURGER ABENDBLATT:

"Ish-komandanti i milicëve brutalë Pasdaran, Ahmadinexhad e shpall të dështuar liberalizmin perëndimor, i cili pikërisht në dekadën e fundit festoi triumfe fitoreje në të gjithë botën. Po liberalizmi, i frymëzuar nga iluminizmi mbron pikërisht çlirimin nga tirania e mëshirës së Zotit. Liria e individit është themeli i liberalizmit. Nuk të çudit fakti që apologjeu i një shteti të rreptë fetar e përbuz liberalizmin. Vështrimi i Ahmadinexhadit ndaj perëndimit bëhet nga e çara e një ideologjie të ngurtësuar."

BERLINER ZEITUNG tërheq vëmendjen edhe për një të adresuar tjetër të letrës së Ahmadinexhadit:

"Letra e Ahmadinexhadit ka indirekt edhe një të adresuar tjetër: ajo iu drejtohet edhe iranianeve dhe iranianëve. Presidenti vërtet që nuk ka thuajse fare pushtet. Por hapësirën e vogël të veprimit që ka, ai e shfrytëzon për aksione surprizë. Ky gjest i sjell atij simpati në popull: nuk ka asnjë popull tjetër në rajon, që fshehtas ushqen një simpati të tillë të madhe për amerikanët si iranianët. Amerika admirohet për supremacinë e saj teknike dhe ushtarake, për postin e saj dominant, për mënyrën amerikane të jetesës. Por presidenti i Iranit zemëron me aksionin e tij edhe kundërshtarët e tij politik tek udhëheqësit fetarë, të cilët e pengojnë, ku munden."

Një element pozitiv gjen së fundi FRANKFURTER NEUE PRESSE në faktin e shkrimit të letrës nga presidenti iranian:

"Pozitive në letrën e Teheranit është vetëm që kemi të bëjmë me kontaktin e parë zyrtar të Iranit me SHBA që prej 30 vjetësh. Në konfliktin atomik nuk vihet re asnjë sinjal i të lëshuarit pe. Këshilli i Sigurimit të OKB-së duhet të mendojë sërish për çështjen se si mund të shtohet presioni ndaj Iranit, pa iu futur një automatizmi të shkallëzimit të situatës. Një detyrë e vështirë për t'u zgjidhur, sepse Kina dhe Rusia nuk duan t'i vënë kokën në mengene Iranit, por edhe evropianët kanë frikë të madhe se SHBA do ta konsiderojnë një rezolutë që kërcënon për pasoja si licensë për sulm."