1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman i së hënës për intervistat e presidentit Bush për Gjermaninë dhe uniformën shkollore

DW8 Maj 2006
https://p.dw.com/p/Arq3

Dy intervistat që presidenti amerikan Xhorxh Bush u ka dhënë mediave gjermane dhe propozimi i ministres gjermane të drejtësisë, Brigite Cypries për ta bërë të detyrueshme edhe në Gjermani mbajtjen e uniformave shkollore, janë tema të preferuara të komentatorëve të gazetave gjermane.

Për deklaratat e presidentit amerikan, BRAUNSCHWEIGER ZEITUNG shkruan:

"Bushi me sa duket nuk është i interesuar që në planin e politikës së jashtme t'i hedhë edhe më tej benzinë zjarrit. Kështu që ai ndjek rrugën që i rekomandojnë këshilltarët. Gjermania lëvdohet në njëfarë mënyre deri në kufijtë e së durueshmes. Papritur, Republika Federale luan në luftën kundër terrorit ndërkombëtar një rol vendimtar. Edhe për qëndrimin, sipas Uashingtonit të vendosur ndaj Teheranit ka duartrokitje. Metoda e Bushit mund të deshifrohet lehtë: është një metodë e të përfituarit për vete. Marrëdhëniet gjermano-amerikane janë stabël dhe të tilla edhe do të mbeten. Por jo në sajë të, por megjithë këtë president amerikan".

NEUE TAG që botohet në Weiden mendon se megjithë tonet pajtuese të presidentit amerikan ai sërish nuk do ta ketë të lehtë në mendimin publik në Gjermani. Gazeta shkruan:

"Presidenti amerikan e paraqet veten si dikush që ndien hallet e gjermanëve. Ai flet për mirëkuptim për parimin themelor anti-luftë të gjermanëve dhe për jo-në në luftën e Irakut. Fjalët e tij dëshmojnë se, ai është shumë mirë në gjendje të analizojë gjendjen shpirtërore këtu në vendin tonë. Kjo në një kohë kur ai duhet të ketë mësuar edhe se si president amerikan ai nuk do të arrijë ta rifitojë besimin e gjermanëve. Madje edhe një pasardhës i tij do ta ketë të vështirë këtë. Kaq i madh është skepticizmi refleksiv përballë veprimeve në politikën botërore të superfuqisë aleate."

STUTTGARTER ZEITUNG thekson ndryshimin në marrëdhëniet gjermano-amerikane:

"Pavarësisht nga vendimet politike ndaj luftës, Gerhard Shrëderi me daljet e tij të fuqishme publike nuk kontribuoi që Gjermania në një konflikt problemor me SHBA- të ruajë një pjesë ndikimi. Angela Merkel është më pajtuese në ton, thekson përbashkësitë, por ruan, si në temën e Iranit, të gjitha hapësirat e mundshme të veprimit. Xhorxh Bushi ka mësuar, sidoqoftë pas tregimit të muskujve për një kohë të gjatë, se krizat politike të kësaj bote nuk mund t'i vendosë në favor të tij nëse vepron i vetëm. Për Gjermaninë kanë nevojë."

Gazeta 20 CENT që del në Cottbus dhe në Saarbrücken kritikon sjelljen e Bushit:

"Presidenti amerikan tregon mëshirë. Si Papa ai mban në gojë fjalën e madhe falje. Çështja që shtrohet tani është, a e do Gjermania fare këtë akt mëshirimi? Sidoqoftë është e drejta e një shteti sovran që të mos marrë pjesë në një luftë. Dhe nëse pas luftës, si në rastin e Irakut, konfirmohen të gjitha paralajmërimet që u shprehën para luftës, si për shembull nga ministri i atëhershëm gjerman i punëve të jashtme, Joshka Fisher, atëherë shtrohet pyetja, nëse këtu është personi i duhur ai që shqipton faljen. Gjermanët nuk kanë mendim të lartë për Xhorxh Bushin."

Dhe tani për propozimin e ministres gjermane të drejtësisë, për të bërë të detyrueshme edhe në Gjermani uniformat e shkollës. Gazeta KÖLNISCHE RUNDSCHAU shkruan për këtë temë:

"Ajo që është traditë në Britaninë e Madhe, këtu nuk mund të imponohet nga sipër. Dhe rezervat gjermane ndaj uniformave kanë shkaqet e tyre me vend. Po, pse të mos e provojmë njëherë, t'u lëmë nxënësve të drejtën e bashkëvendosjes e të shmangim shijen e urdhërave paraushtarakë? Me sa duket, veshja e njësuar nxit ndjenjën e përbashkësisë, njësoj si edhe identifikimin me shkollën."

Edhe FRANKFURTER RUNDSCHAU sheh elementë interesantë në këtë propozim:

"Debati për një veshje të njësuar shkolle ia vlen të bëhet, nëse këtu nuk ke të bësh vetëm me zhdukjen e elementëve fetarë nga shkollat, por edhe me mënyrën si e paraqet veten shkolla në kuadër të politikave sociale. Të paktën prindërit e dinë se çfarë duan të thonë zili dhe konkurencë që në kopsht. Pastaj shtrohen diskutime të tilla si të punës së këpucëve të atletikës, se pse në krahasim me Reebok për shembull Adidas është jo cool."

Së fundi edhe mendimi i WESTDEUTSCHE ZEITUNG që del në Dyseldorf:

"Sigurisht, ka shkaqe të forta që flasin pro një uniforme shkolle. Kjo veshje përforcon ndjenjën e përbashkësisë dhe identifikimin me njëri-tjetrin. Këtë nuk mund ta kundërshtosh. Po çfarë fiton në të vërtetë me këtë? Ai që kujton se i bën të harrohen ndryshimet sociale, po të mbajë një uniformë shkolle, ai në fakt është dorëzuar në luftën kundër pabarazisë sociale. Kostumi nuk përshtatet si zëvendësues i politikës."