Shtypi gjerman i ditës | Studimi në Gjermani | DW | 19.02.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi gjerman i ditës

Në qendër të vëmendjes së komentatorëve qëndron takimi i nivelit të lartë tripalësh të udhëheqësve të Francës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë në Berlin. Gazetat trajtojnë para së gjithash kritikën e shprehur në prag të takimit.

Ostsee-Zeitung e Rostokut shkruan:

"Gjithçka do të varet nga aftësia e britanikëve, francezëve dhe gjermanëve për t'i bindur vendet më të vogla për domosdoshmërinë e rolit të tyre udhëheqës; pasi asgjë nuk do të ishte më fatale sesa që bashkimi 25-shtetësh në të ardhmen të zhytej në vetëshkatërrim dhe vetëbllokim. Gjermania dhe Franca e kanë treguar për vite me radhë se si ky "motorr me dy kohë" e çoi Evropën përpara. Për Bashkimin Evropian të zgjeruar në maj me dhjetë shtete boshti Berlin-Paris nuk do të mjaftojë më. Prandaj me britanikët fitohet një partner i cili jo vetëm që është i ngjashëm për nga fuqia ekonomike por është edhe urë lidhëse me amerikanët."

Gazeta Kölnische Rundschau vëren:

"E rëndësishme është që procesi i bashkërendimit i të mëdhenjve të mos drejtohet kundër askujt, të mos përjashtojë askënd, të përfshijë në vazhdim sa më shumë të tjerë në procesin e formimit të opinioneve, pra që në fund askush të mos ndjehet sikur ia kanë hedhur."

Ndërsa gazeta Neues Deutschland e sheh këtë me më shumë skepticizëm:

"Takimi Blair, Chirac dhe Schröder është emërtuar që në mbledhjen e tyre të parë në vitin 2001 dhe emri nuk mund të mungonte as në takimin e djeshëm në Berlin: drejtori. Emri ka për qëllim që të paralajmërojë, të paralajmërojë nga rreziku i diktatit të tre shteteve më të fuqishme në Bashkimin Evropian, të cilat duan t'i vënë shtetet e tjera përpara fakteve të kryera dhe t'i vërë nën tutelë duke anashkaluar instancat e Bashkimit Evropian. Kritikët kanë parasysh drejtorinë më të njohur të historisë kur Franca para 200 vjetësh faktikisht qeverisej nga një grusht njerëzish, megjithëse revolucioni donte ta kalonte pushtetin në duart e popullit."

Gazeta Berliner Zeitung kritikon:

"Humbësit më të mëdhenj në këtë lojë nuk janë Italia, Hollanda e Finlanda. Është Gjermania, pasi në treshen e përbërë nga presidenti, kryeministri dhe kancelari më i dobti duhet të jetë gjithnjë kancelari. Fakti që Shröderi nuk e dallon këtë, që me sa duket edhe Joschka Fischeri nuk e dallon, është një gabim i madh dhe me pasoja të rënda për politikën gjermane. Përse më i dobti? Kur bëhet fjalë për politikë të jashtme dhe të sigurisë - dhe për këtë tre zotërinjtë bisedojnë veçanërisht me qejf - atëherë Franca dhe Britania e Madhe janë që në fillim në pozicione më të forta. Ato janë fuqi bërthamore; Gjermania jo."

Kalojmë në komentin e Judith Hartl të Deutsche Welles lidhur me temën në fjalë:

Në përfundim pati edhe diçka relativisht konkrete për shtypin: kërkohet njëfarë superkomisioneri në Bruksel. Një njeri, i cili të merret në të ardhmen vetëm me çështjet ekonomike të Bashkimit Evropian. Pasi sipas Schröderit deri tani politika e industrisë është lënë pas dore së tepërmi.

Por samiti i treshes në Berlin ka një domethënie më të madhe. Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe e kanë kuptuar që nëse Evropa duhet të bëhet vërtet konkurruese siç është miratuar para katër vjetësh në Lisbonë, atëherë duhet të ndodhë diçka.

Që Schröderi, Chiracu dhe Blairi po marrin përsipër drejtimin është mirë dhe gjëja e duhur. Dhe nuk është e vërtetë që këtë po e bëjnë në dëm të Evropës. Sepse pa udhëheqje Bashkimi Evropian është thuajse i palëvizshëm. Dhe që në takimit e nivelit të lartë shpesh nuk hidhen hapa përpara këtë e kanë treguar bisedimet e dështuara mbi kushtetutën e përbashkët evropiane. Motorri evropian ka nevojë për vrull të ri. Për këtë Schröderi, Blairi dhe Chiracu dhanë një sinjal të rëndësishëm në Berlin.

Vetëm se tani kërkohet instinkt, thjeshtësi dhe çiltërsi e transparencë sa më e madhe. Vetëm në këtë mënyrë mund t'ua heqin frikën të mëdhenjtë shteteve më të vogla, se po dominohen nga një lloj "drejtorie". Kjo vlen para së gjithash për presidentin francez Chirac, i cili i ka rënë shpesh me fortë tavolinës, sikur të donte t'i detyronte fëmijët të dëgjonin duke arritur pikërisht të kundërtën.
  • Data 19.02.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/As2E
  • Data 19.02.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/As2E