Shtypi gjerman i ditës (07.11.03) | Studimi në Gjermani | DW | 07.11.2003
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi gjerman i ditës (07.11.03)

Të përditshmet gjermane merren sot kryesisht me tema të politikës së brendshme. Komentohen përllogaritja e re e të ardhurave nga taksat, e cila parashikon një rënie të tyre me disa miliardë euro, taksa për firmat që nuk përgatisin të rinj profesionalisht, afera e fjalimit antisemitik të një deputeti kristiandemokrat; po ashtu një shkrim mbi Serbinë.

Lidhur me parashikimin e të ardhurave nga taksat Stuttgarter Nachrichten shkruan:

"Njeriu gabohet për aq kohë sa kërkon. Kjo nuk duhet të jetë motoja e punës e ministrit gjerman të financave, pasi një gjë nuk mund të mohohet prej tij. Kjo është hera e gjashtë me radhë që specialistët bëjnë një parashikim me një rënie shumë më të theksuar sesa përllogaritjes e Ministrisë së Financave. Dhe kjo nuk është kurrsesi për faj të ekspertëve, sepse ata duhet të mbështeten tek të dhënat e qeverisë. Qytetarët i presin me interes përfundimet dhe shpresojnë që të mos gabohet rëndë në parashikim."

***

Westdeutsche Zeitung e Dyseldorfit komenton mosmarrëveshjen lidhur me taksën që mund të vendoset për firmat, taksa për firmat, të cilat nuk përgatisin të rinj profesionalisht:

"Sipas interpretimit që bën qeveria kuqegjelbër në fakt nuk ka kurrfarë dyshimi, taksa për vendet e mësimit të profesionit duhet të vendoset. Që në paraqitjen e rendit të tij të ditës, Agjendës 2010 kancelari e ka përcaktuar qëndrimin e tij dhe u kanoset sipërmarrjeve me marrjen e masave ligjore, në rast se nuk e plotësojnë detyrimin e marrë vetë përsipër për përgatitjen e të rinjve. Ndryshimi midis ofertës së këtyre vendeve dhe kërkesës për to është i madh, mungojnë 24.000. Kjo fiton një domethënie edhe më të madhe po të kihet pasur parasysh fakti që nga 2.100.000 ndërmarrjet në vend vetëm 30 për qind ofrojnë vende përgatitjeje profesionale."

***

Mbi aferën e fundit lidhur me antisemitizmin në Gjermani komentohet Frankfurter Allgemeine :

Pothuajse të gjithë mbrojtësit e fjalëmbajtësit e fillojnë ose e mbarojnë kundëragrumentin e tyre me pyetjen retorike, nëse në Gjermani është ende e garantuar liria e mendimit.

Sikur të mbetej kjo përshtypje, atëherë deputeti Hohmann nuk do të dëmtonte rëndë vetëm vetveten dhe gjeneralin e shkarkuar Günzel, por edhe kulturën politike në këtë vend. Prandaj kjo përshtypje duhet larguar sa më shpejt. Roli i viktimës nuk i shkon Hohmann-it, megjithëse ndonjë nga fjalitë që po dëgjojmë tani nuk është thënë në atë formë prej tij. Jo, ai nuk i ka cilësuar hebrenjtë si "popull fajtor", por kjo nuk e çliron atë nga akuza, që i gjithë teksti i fjalës së tij në ditën e Bashkimit të Gjermanisë përshkohej nga një frymë antisemitiste dhe shoviniste.

***

Die Presse shkruan për vështirësitë gjithnjë e më të mëdha me të cilat duhet të përballohet qeveria serbe.

"Trysnia mbi qeverinë serbe sa vjen e shtohet. Prej ditësh në parlament zjejnë debatet për votën e mosbesimit të opozitës kundër kryetares së parlamentit Natasa Micic dhe kabinetit të kryeministrit Zoran Zivkovic. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo qeveria po tronditet edhe nga një seri skandalesh.

Në shënjestër të zbuluesve në partinë opozitare "G17 plus" është vënë së fundi Ministri i Brendshëm i Serbisë Dusan Mihajlovic. Ai akuzohet për pasurim në kurriz të shtetit.

Edhe ministrja për transport dhe telekomunikacion Marija Raseta-Vukosavljevic akuzohet nga opozita për konflikt interesash midis postit qeveritar dhe pronësisë së një firmë. Ajo nuk dha dorëheqje.

Ndërkaq protestohet nëpër rrugët e Beogradit kundër kabinetit Zivkovic. Ish-aleanca komuniste e sindikatave të pavarura kërkon zëvendësimin e qeverisë e zgjedhje të reja, dhe për tri ditë protesta.

Pakënaqësia e sindikatave drejtohet mbi të gjitha kundër praktikës ekzistuese të privatizimit, papunësisë së lartë dhe nivelit të ulët të pagave.

Megjithatë kryeministri Zivkivic po tregohet luftarak. Ai paralajmëroi për konsekuencat në rast se vendi nuk i vazhdon reformat e filluara.

Këtyre vështirësive u shtohen edhe paditë e fundit të Tribunalit të Hagës kundër dy gjeneralëve serbë dhe dy zyrtarëve të lartë të policisë. Beogradi refuzon që t'i dorëzojë ata. Për këtë arsye kryeprokurorja e tribunalit Carla del Ponte po kërkon rritjen e trysnisë ndërkombëtare mbi Serbinë.

Përballë këtyre problemeve kryeministri mund të përpiqet që ta zgjasë aq shumë debatin parlamentar mbi votën e mosbesimit kundër kabinetit të tij saqë votimi për të të zhvillohet pas zgjedhjeve parlamentare të 16 nëntorit.

  • Data 07.11.2003
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/As4W
  • Data 07.11.2003
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/As4W