Shtohet numri i prerjeve ilegale të pyjeve në Gjermani | Gjermania | DW | 30.03.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Shtohet numri i prerjeve ilegale të pyjeve në Gjermani

Ka kohë që në Gjermani është shtuar sërish interesimi për ngrohjen me lëndë druri. Në këtë mënyrë nevojat gjithnjë e më të mëdha për drutë e zjarrit bartin me vete pasoja befasuese.

Pylli bavarez, rezervat biosfere

Pylli bavarez, rezervat biosfere

Nuk është nevoja që të jetë natë apo të bëhet fshehurazi, në pikë të ditës hajnat e druve në Emsland rrëzojnë për tokë lisat e gjatë përgjatë rrugës, aletë shkatërrohen me sharrat me motorë. Posaçërisht gjatë fundjavës automjete me rimorkio sigurojnë rezervat për dimrin e ardhshëm.

Edhe pse tani policia gjithnjë e shpesh patrullon në rajon, në pyjet e mëdha është e vështirë të dihet se kush dhe ku në të vërtetë ka të drejtë të presë drurët. Denoncimet kundër 'personave të panjohur' në shumicën e rasteve përfundojnë në shportën e mbeturinave.

Pylltari Hermann Kamp, administron rreth 2500 hektar pyje në Emsland dhe është i llahtarisur nga përmasat e vjedhjes së druve:

"Në të vërtetë përshtypja ime është se edhe me njerëzit me të cilët kam folur në disa rajone malore, po mblidhen aq shumë dru sikurse pas luftës. Njerëzitë presin drutë gjatë ditës me shumicë, punojnë në pikë të ditës pa asnjë problem. Ata as nuk kontrollohen e as nuk i pyet askush se çfarë po bëjnë. Dhe në mbrëmje edhe transportojnë drutë e prera në shtëpi", sqaron pylltari Kamp.

Furnizuesi me dru Franc-Jozef Butervek, nga Lehe e Emslandit, në të vërtetë do të duhej të përfitonte nga shtimi i nevojave për drutë e zjarrit. Por përkundrazi, edhe ai është viktimë e vjedhjes së druve. Rreth 1.500 metër kubik dru i mbeten pa shitur në vit. Kush e ka provuar njëherë të mos paguajë për drutë bëhet i varur nga vjedhja e tyre, supozon Bitervek:

"Po të shikosh prapa shtëpive të disave, aty nuk ka rezerva për një vit apo për dy por për vite të tëra. Për veten time këtë e shoh si një dalldi të vogël pas drurit si dikur dalldia pas arit. Dhe sot është një garë pas druve të zjarrit. Për disa mendoj unë ky është poashtu një hobi. Kryesorja dikund ndodhet një dru dhe atë mund ta rrëzoj përtokë", nënvizon Butervek.

Ndërkohë që firma Stihl në Vajblingen gëzohet për fitimin gjithnjë e më të madh që ka nga shitja e sharrave me motorë dhe lulëzimi i shitjeve të rimorkiove, sipërmarrësi Butervek është i shqetësuar nga përmasat e vjedhjeve të druve. Me kamionë e traktorë hajnat vazhdojnë të kryejnë punën e tyre.

Nëse është arritur që drutë të largohen nga pylli atëherë është shumë e vështirë që të hetohet kundër keqbërsve. Andaj pylltari Hermann Kamp ka kohë që ka ndërrmarrë vet një iniciativë dhe çdo të shtunë patrullon në malet e tij dhe kërkon sqarime nga keqbërsitë.

"Njerëzitë reagojnë si harbut. Para 14 ditësh, në afërsi të autorrugës u shtira pak si i marrë dhe e pyeta njërin se kush është pronari i pyllit ku ai po prente drutë. Ai mu përgjigj se është fshatari i tretë në drejtim të veriut. Dhe pasi që u prezantova dhe i thashë se është pylli ynë reagimi i tij ishte shumë i pacipë. Ai deshi të më ndjek me sharrë", rrëfen Kamp.

Por një kërcënim i tillë me sharrë të druve nuk mund ta frikësojë aq lehtë pylltarin Kamp. Në luftë kundër prerjes ilegale të pyjeve ai denoncon secilin hajn.

Ndërkohë probleme nga prerja ilegale e pyjeve nuk kanë vetëm tregtarët e druve. Edhe klientët të cilët duan t'i përmbahen rregullave dhe blejnë drutë nuk e kanë të lehtë. Si pasojë ka ndryshuar çmimi për drutë dhe klientët duhet të kenë kujdes sidimos me sasinë e druve kur është fjala për ofertat speciale të furnizuesve.

  • Data 30.03.2006
  • Autor Hedvig Ahrens
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar14
  • Data 30.03.2006
  • Autor Hedvig Ahrens
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar14