Shteti social gjerman i nënshtrohet rishikimit | Gjermania | DW | 23.07.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Shteti social gjerman i nënshtrohet rishikimit

Sigurimi për pensionet, ai shëndetësor dhe ai i përkujdesjes - vuajnë të gjithë nga mungesa e parave; thuajse nuk mund të financohen më. Metoda e ndarjes së kostos me solidaritet nuk funksionon më, sepse në Gjermani kontributet e sigurimeve shoqërore janë të lidhura me të ardhurat. Dhe kjo do të thotë: kur rritet papunësia, atëherë paguhet më pak në arkat shoqërore. Shtetit i duhet në këtë mënyrë të derdhë sa vjen e më shumë para për mbushjen e këtyre arkave. Qeveria kuqegjelbër iu fut ndryshimit të sistemeve të sigurimeve shoqërore dhe korri me këtë shumë zemërim nga ana e popullsisë. Cilado qeveri që do të qeverisë në të ardhmen në Gjermani duhet t'i vazhdojë reformat. Një informacion

Të rinj të papunë në Gjermani

Të rinj të papunë në Gjermani

nga Monika Lohmüller.

Shteti social është pjesë e bërthamës së fortë në "Modelin Gjermania". Sigurimi për papunësinë, pensionet, shëndetin dhe përkujdesjen ishin shtyllat e shtetit të mirëqenies. Ende në vitet gjashtëdhjetë shteti zotëronte mundësi gjigande të rishpërndarjes së të ardhurave, të cilat edhe u shfrytëzuan plotësisht.

Kriza e naftës e vitit 1973 solli kolapsin e parë financiar dhe mirëqenia deri atëherë vazhdimisht në rritje mbërriti në fund. Dhe kështu filloi kriza e shtetit social. Në vitet e mëpasme u punua jo fort mirë me sistemet shoqërore. Vetëm kur në 1998-ën erdhi në pushtet qeveria kuqegjelbër nën drejtimin e Gerhard Schröderit iu futën punës politikanët. Ata gjendeshin përballë miliona të papunëve dhe mungesash të mëdha në arkat shoqërore. Për të parën herë u vu në jetë një sigurim shtesë për pensionet, vullnetar dhe i subvencionuar nga shteti, i ashtuquajturi pension Riester. Gerhard Schröderi e kishte kuptuar:

"Njerëzit në Gjermani janë të gatshëm për ndryshimet e domosdoshme, por ata janë të gatshëm vetëm atëherë kur e dinë që nuk lihen mënjanë aspektet e drejtësisë sociale dhe këtë do ta garantojmë ne të nderuar zonja e zotërinj; kini besim."

Me sigurimin për pensionet qeveria kuqegjelbër korri edhe kritikë, por mbizotëroi lavdërimi për ngritjen e një shtylle shtesë, private. Por kur ministrja socialdemokrate e shëndetësisë Ulla Schmidt iu fut reformës së sistemit shëndetësor, e cila u zbatua në fillim të 2004-ës dhe solli pagesa shtesë për barnat si dhe një taksë për vizitat tek mjeku, protestat as që mund të ndaleshin. Para së gjithash funksionarë të shoqatave të mjekëve, industria farmeceutike, lidhja e farmacistëve, pra lobistët, luftuan me thonj e me dhëmbë. Gabriele Metzler është profesore në Universitetin e Tybingenit:

"Kemi edhe intersa të tjera që ndërhyjnë, që bllokojnë reformat. Këto janë shoqata të mëdha interesi, jo vetëm sindikatat. Mjafton të shohim për shembull politikën e shoqatave të mjekëve, për të dalluar se ku ka mundësi bllokimi, të cilat edhe shfrytëzohen. Pra ka shumë mundësi në sistemin tonë politik për të tërhequr frenat në njëfarë mënyre dhe për të bllokuar reformat, apo edhe për t'i holluar ato aq shumë saqë në përfundim kemi vetëm ndryshime minimale."

Me siguri që minimale nuk ishin kufizimet që ndjenë pacientët në kuletat e tyre. Me këto ata duhet të bëheshin më të ndërgjegjshëm për koston. Përmes transferimesh të nevojshme ata detyrohen t'i drejtohen fillimisht mjekut të lagjes. Me këtë hap ministrja Schmidt synonte t'u vinte frerin vizitave të dyfishta. Por kostoja e barnave vazhdon të rritet dhe ulja e kontributeve për sigurimin shëndetësor nuk po ndodh.

Për ekspertët problemi nuk është tek të hyrat, por tek shpenzimet, çka pa dyshim ka të bëjë me papunësinë e lartë. Por edhe me faktin që nga 39 milionë njerëz të zënë me punë, 11 milionë punojnë me orar të reduktuar dhe nga këta as gjysma nuk është e detyruar të sigurohet.

Në rast se vijnë në pushtet partitë e bashkimit kristiandemokrat-kristiansocial do të zbatojnë një model, ku çdo i rritur do të paguaj një kontribut të njëjtë.

  • Data 23.07.2005
  • Autor Monika Lohmüller
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar3B
  • Data 23.07.2005
  • Autor Monika Lohmüller
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar3B