Shteti i dobët - Vret për të ndaluar vrasjet | Bota | DW | 10.10.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Shteti i dobët - Vret për të ndaluar vrasjet

Dënimi me vdekje përçmohet në gjithnjë e më shumë vendeve. 128 shtete kanë hequr dorë prej dënimit me vdekje. Megjithatë ka ende 68 shtete që vazhdojnë t´i dënojnë me vdekje shtetasit e tyre. Në to jeton një e treta e popullsisë së botës

Në Kinë vazhdojnë dënimet me vdekje

Në Kinë vazhdojnë dënimet me vdekje

Një fjalë e urtë kineze thotë: ai që përdor dhunën s´njeh argumenta.

Dënimi me vdekje është dhuna ultimative, që mund të përdorë një vend kundër qytetarëve të vet. Vetëm një shtet, që mendon, se qëndron mbi të drejtat e njeriut mund t´i lejojë vetes një gjykim të tillë. Thënë shkoqur dënimi me vdekje presupozon, se ti nuk je njeri. Në bazë të konventës së OKB-së për të drejtat e njeriut dinjiteti injeriut është i pacënueshëm. Ekzekutimi është poshtërues, pavarësisht se si kryhet ai me varje, me inxheksion helmues apo me plumb. Një akt i tillë është poshtërues jo vetëm për viktimën, e cila zhvishet prej gjësë së parë dhe të fundit që ka, pra prej jetës. Por ky ndëshkim është poshtërues edhe për shtetin, që nuk di të gjejë një përgjigje tjetër më të përshtatshme.

Një njeri përmes veprimeve penale mund të humbasë të drejtat e veta. Një njeri mund të kryejë një krim që shteti duhet ta ndëshkojë. Rregullat e lojës janë të qarta: Një veprim penal duhet të ndëshkohet në bazë të një mase të përcaktuar dënimi. Por ndëshkimi, sipas parimit themelor të demokracisë, duhet të jetë në raport me aktin. Dënimi duhet t´u bëjë të qartë autorëve dhe shoqërisë, se cilat qëndrime nuk pranohen. Dënimi duhet të ketë efektin që të mos përsëriten veprime të tilla nga të tjerë, që autori t´i thërrasë arësyes dhe që viktima të zhdëmtohet. Por asnjëherë dënimi nuk duhet të jetë thjeshtë hakmarrje.

Me dënimin me vdekje shteti jo vetëm ngrihet mbi dinjitetin e njeriut, por ai përdor një dënim, efekti i të cilit është i dyshimtë. Në shtetet federale të ShBA, që i përmbahen dënimit me vdekje, kuota e krimeve është më e lartë, se sa në shtetet që e kanë hequr dënimin kapital. Qëkurse Kanadaja e ka hequr dënimin me vdekje, kuota e krimeve me vrasje ka rënë dukshëm.

Mbetet argumenti: Një vrasës i vrarë nuk mund të vrasë sërish. Natyrisht kjo është e vërtetë. Por nëse sheh statistikat shumica e autorëve të dënuar për vrasje, nuk janë vrasës në masë, që do të vazhdonin të kryenin vrasje. Këta janë njerëz që në situata të caktuara dhe në afekt kanë vrarë dikë tjetër. Kjo e kthen diskutimin mbi dënimin me vdekje pikërisht tek hakmarrja dhe pafuqia, çka është ai në të vërtetë.

Sy ndër sy e dhëmb për dhëmbë, nëse janë këto rregullat e shoqërisë, ajo do të degradonte në një kaos të pashërueshëm. Një shtet duhet t´u bëjë ballë këtyre emocioneve njerëzore, që për viktimat dhe të afërmit e tyre janë legjitime. Por një shtet, që vret vet, dhe siç mendoj unë bëhet vet vrasës, do të thotë se praktikon pikërisht atë që do të evitojë në shoqërinë e tij. Një shtet që vendos dënimin me vdekje, nuk njeh argumenta, por përdor dhunën ultimative, sepse ai nuk ka përgjigje tjetër. Ndaj dënimi me vdekje është një shenjë e pafuqisë së shtetit.

  • Data 10.10.2006
  • Autor Hele Jepesen
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArKG
  • Data 10.10.2006
  • Autor Hele Jepesen
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArKG
Reklamë