Shtetet e BE-se duhet të kooperojnë më mirë në luftën kundër terrorit | Evropa | DW | 23.08.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Shtetet e BE-se duhet të kooperojnë më mirë në luftën kundër terrorit

Në momentin që në Gjermani do të fillojë të funksionojë regjistri qëndror anti-terror, i cili nuk do të jetë vetëm në dispozicion të organeve të brendshme gjermane, por edhe të EUROPOL-it

Ndërtesa e Europolit në Hagë

Ndërtesa e Europolit në Hagë

Pas atentave të dështuara ndaj dy trenave lokalë, të cilat kishin sfond terrorist në Gjermani po diskutohet me forcë në lidhje me forcimin e masve të përgjimit dhe të sigurisë. Në këtë kuadër grindjet për futjen në përdorim të një regjistri qëndror anti-terror në Gjermani kanë rreshtur dhe kjo gjë është tashmë diçka thuajse e vendosur. Ajo që nuk dihet ende, është se ç'formë do të ketë ky regjistër elektronik i standardizuar për të gjitha zyrat e policisë, hetuesisë dhe shërbimeve sekrete të landeve dhe të federatës. Në momentin që ky regjistër do të fillojë të funksionojë, ai nuk do të jetë vetëm në dispozicion të organeve të brendshme gjermane, por edhe të EUROPOL-it.

Në qendrën e Europolit në Hagë gjenden kompjuterat ku janë regjistruar emrat e personave të dyshimtë në vendet e BE-së, kontaktet e tyre apo dëshmitarët. Nëpër bankat elektronike të informacioneve mblidhen të dhëna jo vetëm për terroristët, por edhe për kriminalitetin e organizuar, trafikimin e drogave apo të njerëzve. Sistemi kompjuterik i Europolit, TECS, mund të krahasojë dhe analizojë deri në një milion të dhëna.

Në rast se një vend anëtar i BE-së kërkon të dijë nëse në këtë bankë të dhënash është përfshirë emri i këtij apo atij personi nga një vend tjetër i BE-së, atëhere Europoli fillon kërkimin dhe mbledhjen e informacioneve.

Drejtori i Europolit, Max-Peter Ratzle thekson se zgjerimi i kësaj banke të dhënash ka rëndësi prioritare. "Natyrisht që në radhë të parë kjo bankë ka të bëjë me luftimin e terrorizimit, sepse këtu fshihen edhe rreziqet më të mëdha. Ne duhet të bëjmë gjithçka që t'i njohim sa më shpejt dhe t'i parandalojmë rreziqet. Shumë herë mjaftojnë vetëm pak njerëz për të filtruar informacionet e domosdoshme. Masat konkrete merren më pas në vendet anëtare."

Europoli vetë nuk ka të drejtë të ushtrojë veprimtari operative, pra nuk mund të dërgojë vetë policë apo hetues për të sqaruar ndonjë ngjarje. Në bankën e të dhënave të Europolit TECS të dhënat ruhen për tre vjet.

Përveç bankave me të dhëna të Europolit ekziston edhe një rrjet kompjuterik për luftimin e terrorizmit në të cilin janë të lidhura pesë shtetet më të mëdha të BE-së: Franca, Britania e Madhe, Italia, Spanja dhe Gjermania. Këto vende lidhën në vitin 2004 një marrëveshje përkatëse për këtë qëllim. Përveç kësaj shtatë vende të tjera të BE-së, Franca, Spanja, Holanda, Belgjika, Luksemburgu, Austria dhe Gjermania kanë rënë dakord në vitin 2005 në Prüm për një bashkëpunim më të ngushtë ndërkufitar të policive të këtyre vendeve në rastet e arrestimeve, bastisjeve dhe ndjekjes së keqbërësve.

Megjithatë bashkëpunimi ndërkufitar mes policive të vendeve të BE-së nuk është i rregulluar në mënyrë të gjërë. Komisari i BE-së për drejtësinë dhe punët e brendshme, Franco Frattini, kërkon që shtetet të kooperojnë më mirë me njëri-tjetrin. Nisur prej kërcënimit aktual prej terrorit ai sheh shance të mira në këtë drejtim:"Tani mes vendeve anëtare kemi konsens se është e rëndësishme që vërtet të bashkëpunohet. Ne duhet ta vazhdojmë këtë punë."

Shumëkush është i mendimit se përqëndrimi i punës së shërbimeve sekrete në përgjimin e telefonave dhe internetit të personave të dyshuar as që duhet vënë në diskutim, sepse goditjet terroriste vetëm në këtë mënyrë mund të pengohen. Ndërsa sa i përket shtimit të numrit të videokamerave përgjuese në vendet publike në shumë shtete, sikurse edhe në Gjermani ka rezerva. Kjo për faktin se në vende strategjike një gjë e tillë mund të jetë e pranueshme, por përgjimi i plotë i hapsirës publike nuk është vetëm i pamundur, por edhe i papranueshëm.

  • Data 23.08.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArAK
  • Data 23.08.2006
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArAK