1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zënka për shtetësinë e dyfishtë

Nils Naumann / E. Xhani10 Nëntor 2013

Që Gjermania është një vend migracioni, e kanë pranuar edhe partitë konservatore CDU dhe CSU. Megjithatë ato kanë vështirësi me shtetësinë e dyfishtë. Tema është nga pikat polemike në negociatat me socialdemokratët.

https://p.dw.com/p/1AEdp
Fotografi: picture-alliance/dpa

Martin Jungnickel nuk ndihet rehat në lëkurën e tij. Burri me pak flokë dhe trup të ngjeshur është shef sektori në presidiumin e qeverisë në Darmstadt. Në të vërtetë Jungnickel dhe bashkëpunëtorët e tij merren me migrantët të cilët duan të marrin shtetësinë gjermane. Këtë vit nëpunësit i është dashur t'u heqë pasaportën gjermane më shumë se 40 të rinjve. Të rinj, të cilët kanë lindur në Gjermani dhe kanë kaluar këtu gjithë jetën e tyre. "Vërtetim për heqje shtetësie" quhet kjo në zhargonin e nëpunësve.

Kush vjen vonë, dënohet nga autoritetet

Deutschland Bulgarien Symbolbild Doppelte Staatsbürgerschaft Reisepass
Fotografi: Fotolia/babimu

Sfondi i këtyre vendimeve është i ashtuquajturi "model opsioni". Është një kompromis mes partive konservatore dhe ish qeverisë federale të socialdemokratëve dhe ekologjistëve. Modeli u fut në vitin 2000. Që atëherë fëmijët e lindur në Gjermani nga prindër migrantë marrin dy shtetësi: atë të prindërve dhe atë gjermane. Problemi: deri në vitin e 23- të jetës ata duhet të vendosin, se cilën nga të dyja do të mbajnë. Kujt e kalon afatin pa vepruar, i hiqet shtetësia gjermane. Një dyshtetësi e përhershme nuk është e mundur.

Jungnickel dëshëron një leje të përgjithshme për pasaportën e dyfishtë. Modeli i opsionit është i vjetëruar. Të prekurit prej tij ndihen të trajtuar me padrejtësi dhe të përjashtuar. Kostoja administrative është gjigante dhe vitet e ardhshme mund të shtohet ndjeshëm. Jungnickel është i shqetësuar: kur të vijë koha për marrjen e vendimit për të lindurit në 2000 dhe më pas, numri i rasteve do të jetë 40.000 në vit.

Ndalim i dyshtetësisë, por jo për të gjithë

Ndërkohë nga rregulli që ndalon shtetësinë e dyfishtë ka përjashtime të shumta:"Qytetarët e BE-së për shembull nuk janë të prekur nga ky rregull", shpjegon avokati Victor Pfaff nga Shoqata e Avokatëve Gjermanë. Edhe tek marokenët, algjerianët, sirianët dhe pjesa më e madhe e latino-amerikanëve, rregulli nuk aplikohet, pasi vendi i tyre nuk e pranon heqjen e shtetësisë. Një gjermano-sirian i lindur në Gjermani apo një gjermano-spanjoll, mund t'i mbajnë të dy pasaportat.

Për Turqinë kjo nuk vlen. Pra në thelb ligji është një ligj kundër personave me shtetësi turke, kritikon Pfaff.

Gjermano-turqit janë me 3 milionë vetë, grupi më i madh i migrantëve në Gjermani. Rreth 1 milion kanë lindur në Gjermani. Kenan Kolat është kryetar federal i Komunitetit Turk në Gjermani. Ai kërkon dhënien fund të modelit të opsionit, një natyralizim më të thjeshtë dhe mundësinë e shtetësisë së shumëfishtë. "Ky debat ideologjik, që nuk mund t'i shërbesh dy pronarëve, duhet të marrë fund", thekson Kolat. Shtetësia e dyfishtë nënkupton edhe "njohje të kulturës" së të prekurve.

Fronte të ngurta

Deutschland Koalitionsverhandlungen in Berlin
Fotografi: Reuters

Kundërshtarët e modelit të opsionit kanë mbështetjen e socialdemokratëve. SPD kërkon ta heqë këtë model dhe të lejojë në parim dyshtetësinë. Partia e tij nuk do të "heqë dorë në asnjë mënyrë" nga këto objektiva, tha Thomas Oppermann, drejtues i punës së grupit parlamentar të SPD-së në Bundestag.

Por nëse SPD mund t'i zbatojë këto plane edhe në një koalicion të madhe me partitë konservatore CDU dhe CSU është një çështje tjetër. Deri tani konservatorët kanë pasur qendrim mohues për këtë temë në negociatat për koalicionin. "Ne nuk mund ta ofrojmë shtetësinë gjermane si birrë të thartuar", deklaroi ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich nga CSU. Kush dëshëron të qendrojnë në Gjermani duhet ta fitojnë shtetësinë gjermane me integrim.

Si kompromis Friedrich u ofroi socialdemokratëve zgjatjen e afatit të deritanishëm për shembull deri në vitin e 30-të të jetës. Por kjo nuk pranohet nga socialdemokratët. Pa dhënien fund të modelit të opsionit nuk do të ketë marrëveshje në negociatat për koalicionin, theksoi Oppermann. Tani tema do të diskutohet në raundin e madh të negociatave për koalicionin, i cili mblidhet në 13 nëntor.