1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtajnmajer përpara Komisionit parlamentar për shërbimin sekret gjerman BND

Marcel Fürstenau1 Shkurt 2007

MPJ gjerman Frank Valter Shtajnmajer do të japë përpara këtij komisioni sqarime në lidhje me mbajtjen në arrest për rreth katër vjet e gjysmë në kampin Guantanamo të gjermanit me origjinë turke Murat Kurnaz.

https://p.dw.com/p/AqnC
Murat Kurnaz (majtas)
Murat Kurnaz (majtas)Fotografi: AP

MPJ gjerman reagoi me një ndjenjë lehtësimi për përcaktimin e datës, kur do të dalë për t'u dhënë sqarime anëtarëve të komisionit parlamentar për shërbimin sekret gjerman BND, sepse sikurse u shpreh, kishte qenë gjithmonë i interesuar për qartësimin sa më të shpejtë të atyre gjërave që di.

Opozita mendon se deri tani Shteinmajeri nuk dukej se kishte një qëndrim të tillë. Hans-Christian Strëbele, i partisë ekologjike, thotë se do të kishte dashur ta merrte në pyetje Shteinmajerin qe gjatë muajit shkurt, por se edhe me datën 8 mars është i kënaqur:

"Përmes deklaratve të tij përpara komisionit parlamentar për shërbimin sekret gjerman do të marrim informacione të sakta, dhe jo vetëm ato që merren vesh prej kësaj apo asaj pyetjeje që i bëjnë gazetarët ministrit. Pyetjet dhe përgjigjet do të jenë të hollësishme, dhe ai që merret në pyetje duhet të thotë të vërtetën. Kundrejt gazetarëve politikanët mund të thonë shumë gjëra, por përpara komisionit, janë të detyruar të thonë të vërtetën."

Me fjalët e tij Strëbele aludoi për intervistën që dha së fundi MPJ gjerman Steinmajer për gazetën më të madhe bulevardeske të Evropës "Bild-Zeitung". Ishte hera e parë që ministri gjerman dha sqarime kaq të hollësishme për këtë çështje.

Përfaqësuesi i partisë së majtë në Komisionin parlamentar për shërbimin sekret gjerman Wolfgang Neskovic u shpreh se nuk pret ndonjë gjë të madhe prej daljes së Shteinmajerit përpara këtij komisioni. Ministri do të japë vetëm shpjegime të mjegullta, duke iu referuar për çështjet vendimtare ruajtjes së sekretit.

Neskovic mendon se Shtainmajeri duhej të merrej në pyetje i fundit, në mënyrë që të mund të konfrontohej me deklaratat e të tjerëve. Fakti që kancelarja Merkel ia doli në vitin 2006 që ta lironte aq shpejt Kurnazin shtron shumë pyetje, thotë Neskovic.
Ai shton se në pyetje duhet të merret edhe ministri pa portofol në qeverinë Merkel, Lothar de Meziere, i cili mban sot postin që kishte në qeverinë e mëparshme Frank Walter Steinmajeri. Ky me siguri që e ka të qartë se si ka qenë situata në vitin 2002.

Përfaqësuesi i social-demokratëve në këtë komision Thomas Opermann mendon se socialdemokrati Steinmajer ka vepruar me korrektesë në rastin Kurnaz. Opermann thekson se autoritetet amerikane e kishin klasifikuar Kurnazin si një "luftëtar të rrezikshëm".

"Ne dimë prej dosjeve se ka pasur hetime për Murat Kurnazin dhe se rezultatet e tyre kanë qenë negative. Prej kësaj nxjerrim përfundimin se amerikanët nuk do të kishin qenë të gatshëm ta lironin atë."

Përveç ministrit aktual të punëve të jashtme Shtajnmajer që do të dalë përpara komisionit më dt. 08. mars, në pyetje do të merret edhe ish-MPB, Otto Schilly.