1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria hap Qendrën për Viktimat e Dhunës Seksuale

3 Dhjetor 2018

Sfida më e madhe e Shqipërisë ndryshimi i kultuës patriarkale për epërsinë e burrave. Ogerta Manastirliu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në intervistë ekskluzive për DW flet për sfidat e Shqipërisë.

https://p.dw.com/p/39HZP
Ogerta Manastirliu
Fotografi: DW/A. Ruci

DW:  Znj. Ministre, Shqipëria po merr pjesë në 16 Ditët e Aktivizmit Global kundër Dhunës me Bazë Gjinore 2018, një fushatë kjo ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara, që zhvillohet ҫdo vit që nga 1991.  Me ҫfarë politikash dhe strategjish po i përgjigjet Shqipëria mottos ”Më dëgjoni edhe mua”,  të fushatës së sivjetme?

Ogerta Manastirliu: Garantimi i një jete pa dhunë, përfshirja e grave dhe vajzave në jetën publike, dëgjimi i zërit të tyre, është një përpjekje përtej 16 ditëve të kësaj fushate, është ҫdo javë, ҫdo ditë, ҫdo orë. Ajo konkretizohet në politika dhe përqasje për të zbatuar Strategjinë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2016-2020, të hartuar me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara. Politikat dhe strategjitë tona fillojnë me edukimin dhe parandalimin e dhunës që në vogëli mbështetur në të vërtetën se ҫdo grua lind si vajzë, jo si grua. Prandaj synojmë edukimin e vajzave dhe djemve, që në sistemin parashkollor, me parimin e barazisë gjinore dhe ngulitjen e konceptit që vajzat dhe gratë janë pjesë e mundësive që ofron zhvillimi ekonomiko-social dhe perspektives europiane të Shqipërisë. Fuqizimi Ekonomik i grave dhe vajzave është një tjetër aspekt qendror i përpjekjeve për të reduktuar dhunën ndaj tyre dhe mundësuar pjesëmarrjen në jetën publike, pasi kemi bindjen që ai mbetet parakusht dhe element kyҫ për të arritur barazinë gjinore. Synojmë të rrëzojmë barrierat që pengojnë fuqizimin e tyre. Si një argumentin më të freskët të politikave pro fuqizmit ekonomik të gruas po sjell vendosjen këtë vit me ligj që ndihma  ekonomike për familjet në kushte të vështira ekonomiko-sociale të merret nga gratë. Gratë e kanë marrë këtë ndihmë qëv në vitin 2014 me një vendim qeverie por tani kjo do të jetë e sanksionuar në ligj. Fuqizimi ekonomik është bazë e pjesëmarrjes së gruas në vendim-marrje, në politikëbërje ku zëri dhe kontributi i saj sjell progres edhe në barazinë gjinore.

A janë ndërmarrë ndryshime ligjore që i përgjigjen situatës në terren ku dhuna ndaj gruas, sipas të dhënave nga Policia e Shtetit, mbetet shqetësuese?

Këtë vit kemi ndërmarrë disa ndryshime të rëndësishme që plotësojnë dhe përmirësojnë ligjin "Mbi masa kundër dhunës në marrëdhënie familiare” që forcojnë mbështetjen ndaj grave dhe vajzave. Fjala është për instrumenta të rinj ligjorë si dhënia e Urdhërit Paraprak të Mbrojtjes nga Policia e Shtetit, që në momentin kur një grua/vajzë denoncon dhunën në polici dhe 48 orët në vijim,  instrument që nuk ka qënë më parë në ligj. Më pas, gjykata mbetet institucioni që sipas ligjit merr vendimin për dhënien ose jo të  urdhërit të mbrojtjes apo urdhërit të menjëhershëm të mbrojtjes. Ndryshimet përfshijnë shtrirjen e ligjit edhe në marrdhëniet afektive mes dy gjinive si edhe mbrojtjen e fëmijëve, kur ata janë subjekt/dëshmitarë të dhunës në familje. 

Ogerta Manastirliu
Fotografi: DW/A. Ruci

Dhuna ndaj vajzave dhe grave nuk ka kombësi, nuk varet as nga zhvillimi ekonomiko-social i shoqërisë ku ndodhin rastet dhune, as nga legjislacionet e përparuara që përmirësohen vazhdimisht. Cila është sfida më madhe që përballon sot Shqipëria për të  përmirësuar situatën? A ka Shqipëria infrastrukturën e duhur për të zbatuar dispozitat e Konventës së Stambollit, pra Konventës së Këshillit të Europës për reduktimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, të cilat janë të detyrueshme përderisa Shqipëria është palë, e ka ratifikuar këtë Konventë?

Qendra për viktimat e dhunës seksuale që po ngremë këtë vit, e para e llojit në Shqipëri, është një nga masat më të fundit për të zbatuar dispozitat e Konventës së Stambollit. Të mbijetuarave nga dhuna seksuale u ofrohet shërbim profesional shëndetësor, psikologjik, social, ligjor, mbështetje për strehim dhe punësim. Standartet e shërbimit në qëndër, të miratuara kohët e fundit në Këshillin Kombëtar të Barazisë Gjinore, janë bashkëkohore sipas modeleve në vendet e BE. Masë tjetër për të zbatuar dispozitat e Konventës së Stambollit është forcimi i mekanizmave të referimit për adresimin e rasteve të dhunës ndaj gruas, në nivel bashkiak, që aktualisht funksionojnë në 39 bashki nga 61 që ka Shqipëria. Në 22 bashkitë, ku ato mungojnë do të ngrihen gjatë vitit 2019. Ndryshimet ligjore, që përmenda më lart, janë pjesë e plotësimit të dispozitave të Konventës së Stambollit.

Barazia gjinore është një nga vlerat themeluese të Bashkimit Europian dhe një nga kushtet e tij që Shqipëria duhet të plotësojë që të bëjë progres në procesin drejt pranimit në BE, konkretisht hapjen e negociatave në 2019. Çfarë po bën Shqipëria për të plotësuar pritshmëritë e BE dhe përparuar në ҫështjen e barazisë gjinore?

Tregues kuptimplotë i barazisë gjinore dhe i plotësimit të pritshmërive të BE nga Shqipëria është roli i gruaas në vendim-marrje, në politikëbërje, statusi i saj në shoqëri.  Shqipëria ka sot një përfaqësim të barabartë të grave me burrat në qeveri, kuota gjinore është rritur në përfaqësimin e grave në parlament, në këshillat bashkiake ka arritur 50%. Gratë përfaqësohen në Forcat e Rendit, në Forcat e Armatosura dhe në diplomaci, profesione që kanë qënë të destinuara vetëm për burra. Rruga është e  gjatë, ka shumë ende për të bërë që gratë dhe vajzat të gëzojnë barazinë gjinore, të jetojnë jetën e tyre pa frikën e dhunës dhe të realizojnë potencialet e tyre si individë dhe në të mirën publike. Një shoqëri pa dhunë ndaj grave dhe vajzave, që bën progres drejt barazisë gjinore është një kauzë jo vetëm e e shtetit dhe grave por e gjithë shoqërisë. Sfida më e madhe e Shqipërisë drejt përqafimit të vlerave europiane të barazisë gjinore është ndryshimi i mentalitetit, lënia tek e shkuara e kulturës së epërsisë së burrit.