1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Grabiten 10 milionë Euro nga avioni Tiranë-Vjenë

Ani Ruci'
10 Prill 2019

Grabitja spektakolare në aeroportin "Nënë Tereza" të Tiranës nga barku i avionit të Austrian Ariline nxjerr në pah boshllëqet e sigurisë.

https://p.dw.com/p/3GYOa
Albanien Flughafen Mutter Teresa in Tirana
Fotografi: Getty Images/AFP/G. Shkullaku

Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë ka (10.04.2019) hetime intensive për grabitjen të martën, (9.04) të 10 milion Eurove në avionin e Austrian Airlines, në itinerarin Tiranë-Vjenë. Burime zyrtare bëjnë me dije se një grabitës u vra në shkëmbim zjarri me policinë, kurse një tjetër është arrrestuar. Tre të tjerë janë në kërkim.

Gjithçka ndodhi si nëpër filma, me një shpejtësi të rrufeshme. Hetimet e deritanishme flasin për një grup grabitësish prej pesë vetësh. Grupi pasi ka prerë mbajtëset e derës së aeroportit, nga futen zjarrfikëset duke bërë të mundur hapjen e derës, një automjet ku shkruhej "Hetimi Tatimor”, me tre persona,  i është afruar me shpejtësi të madhe avionit të Austrian Airlines, Tiranë - Vjenë, kur sapo ishin ngarkuar paratë e disa kompanive të sigurimit që do të transportoheshin në banka jashtë vendit  dhe kur në bordin e tij ishin akomoduar 160 pasagjerë.

Të veshur me uniforma ushtarake antiplumb, mbuluar fytyrën me maska silikoni për të mos u identifikuar dhe kapuҫë të zinj në kokë, të armatosur me kallashnikovë, pistoleta dhe granata dore ata kërcënuan me armë punonjësit e kargos dhe u futën në barkun e avionit, ku bashkë me  bagazhet e pasagjerëve ishin edhe paratë e paketuara të disa kompanive të sigurimit për t'u ransferuar jashtë vendit. Pasi i  kanë marrë paratë tre grabitësit janë bashkuar me dy të tjerët dhe janë larguar me shpejtësi me të njëjtin automjet që hynë, në një rrugë dytësore,  ku  kanë ndeshur një patrullë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, (FNSH) që ishte në kontroll rutinë. Mes tyre ka pasur një shkëmbim zjarri, gjatë të cilit është vrarë një prej grabitësve, me një plumb në kokë. Të tjerët ia kanë dalë  mbanë të largohen. Automjeti me të cilin hynë dhe u larguan nga aeroporti, u gjend nga policia jo larg vendit të shkëmbimit të zjarrit. Një automjet tjetër, me të cilin grabitësit kanë vazhduar rrugën u gjend nga policia i djegur. Në orët e vona të mbrëmjes, të martën, policia arriti të arrestonte një person, që ishte i plagosur dhe dyshohet të jetë një nga grabitësit si edhe ka identifikuar grabitësin e vrarë.

Siguri e ulët në aeroport

Grabitja e 10 milion Eurove në mes të ditës ka ngritur alarm të madh në Tiranë lidhur me sigurinë në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë. Pa dyshim ajo rezulton të jetë shumë e ulët dhe jashtë standarteve të aeroporteve ndërkombëtare në Europë.

Belinda Balluku, Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ia ka ngarkuar përgjegjësinë për sigurinë e ulët kompanisë kineze, "China Everbright” që administron me konҫesion aeroportin, që prej prillit 2016.

"Të gjitha përpjekjet e autoriteteve shtetërore për t'i imponuar kompanisë kineze, të kryejë investimet e nevojshme në sistemin e sigurisë, nuk janë dëgjuar ashtu si duhet. Sistemi i sigurisë ka rënë përsëri dhe përsëri grabitësit kanë mundur të hyjnë deri në pistë, duke provuar se në këto kushte aeroporti është i kërcënuar lehtësisht, deri edhe nga akte më të rënda se kaq”, ka reagur ministrja Balluku me një postim në Facebook, pasi ndodhet në një vizitë zyrtare në Berlin.

Kjo është grabitja e dytë në pistën e aeroportit. Në qershor 2016, vetëm dy  muaj pasi kompania kineze kishte  marrë me koncesion administrimin e aeroportit, u grabitën 990 mijë Euro në pistën e aerodromit, me po të njëjtën mënyrë. Pas asaj grabitjeje u miratua ligji "Për Masat Shtesë të Sigurisë dhe Disa Udhëzime” që detyron me ligj që asnjë levizje monetare drejt aeroportit "Nënë Tereza" të  mos bëhet pa njoftuar policinë.