1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Gjermania mbështet menaxhimin e mbetjeve të ngurta

6 Gusht 2020

Ndihma e Gjermanisë për zhvillimin e qendrueshëm ekonomik: Nënshkruhet marrëveshja për grantin 1.8 Euro të Gjermanisë në mbështetje të menaxhimit të mbetjeve të ngurta në Shqipëri sipas standardeve të BE-së.

https://p.dw.com/p/3gWIv
Flash - Galerie Weltwasserwoche
Fotografi: picture-alliance/ ZB

Qeveria gjermane jep një grant prej 1,8 milionë Eurosh për të kryer studime lidhur me fizibilitetin në sektorin e mbetjeve të ngurta në Shqipëri. Në një deklaratë për shtyp të Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) lidhur me këtë mbështetje të Qeverisë Federale, bëhet me dije se të mërkurën, (5.08), u nënshkrua marrëveshja e grantit prej 1.8 milionë Eurosh mes qeverisë shqipatre dhe KfW. Deklarata vë në dukje se "menaxhimi i mbetjeve të ngurta është një fushë e rëndësishme brenda sektorit kyç të infrastrukturës bashkiake në Shqipëri”.

Në linjë me standardet europiane

Një masterplan investimesh për sektorin e menaxhimit të mbetjeve të ngurta në Shqipëri, i mbështetur financiarisht nga qeveria gjermane, përmes KfW-së dhe i miratuar në janar të vitit të kaluar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, i hap rrugën studimeve të fizibilitetit në sektorin e menaxhimit të mbetjeve të ngurta.

"Studimi do të sigurojë përgatitjen e detajuar të masave, investimeve dhe modeleve të zhvillimit për vënien në punë dhe mirëmbajtjen në mënyrë të qëndrueshme të infrastrukturës,  në linjë me standardet e Bashkimit Evropian”, theksohet në deklaratën e KfW-së.

Ai do të kryhet në bashkëpunim të ngushtë me dy studime të financuara nga Kuadri i Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF, Western Balkans Investments Framework) si edhe me asistencën e dhënë nga Agjencia Zviceriane për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillim (SECO) për një plan investimesh për gjithë sektorin.

62 milionë Euro për sektorin e mbetjeve të ngurta

Qeveria gjermane dhe ajo shqiptare kanë rënë dakord për një Program Investimesh prej 62 milionë Euro për ta transformuar së bashku sektorin e menaxhimit të mbetjeve të ngurta, sipas standardeve të BE.

 Bashkëpunimi financiar Gjermani - Shqipëri ka dhënë tanimë mbështetje për ndërtimin e landfill-it sanitar në Maliq të Korçës, po financon ndërtimin e një landfill-i sanitar dhe ngritjen e sistemit të mbledhjes së mbetjeve të nguta në rajonin e Vlorës.

KfW – Banka gjermane për zhvillim, lider në botë

Me përvojën e saj shumë vjeçare KfW është e angazhuar që në emër të Republikës Federale të Gjermanisë të përmirësojë kushtet ekonomike, sociale, ekologjike dhe të jetesës në mbarë botën, vë në dukje deklarata për shtyp.

Në Shqipëri KfW zbaton bashkëpunimin financiar dhe siguron grante, kredi të buta për investime kyꞔe në infrastrukturë dhe shërbime konsulence që lidhen me projekte të ndryshme.

Bashkëpunimi gjermano - shqiptar filloi në vitin 1988. Që nga ai vit e deri tani, qeveria e Gjermanisë ka angazhuar një shumë totale prej mbi 1 miliard Euro në mbështetje të sektorëve kyç si energjia, insfrastruktura bashkiake dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik

 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana