1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Gjermania mbështet agroturizmin dhe zhvillimin

Ani Ruci'
22 Nëntor 2022

Gjermania mbështet zhvillimin e bujqësisë në Shqipëria përmes formave alternative si agroturizmi.

https://p.dw.com/p/4JqEg
Ministri gjerman i Bujqësisë, Özdemir, duke vizituar resortin ”Mrizi i Zanave - Agroturizëm"
Ministri gjerman i Bujqësisë, Özdemir, duke vizituar resortin ”Mrizi i Zanave - Agroturizëm" Fotografi: Ani Ruci/DW

Altin Prenga, pronari i resortit ”Mrizi i Zanave - Agroturizëm" dhe stafi i tij në fshatin Fishtë, në Lezhë, do ta ruajnë gjatë në kujtes takimin me ministrin gjerman të Bujqësisë, Cem Özdemir, në një nga pasditet e këtij nëntori, sidomos për fjalët e tij inkurajuese lidhur me biznesin e tyre. Ministri Özdemir e quajti agroturizmin e tyre "një sipërmarrje evropiane, një histori suksesi me potenciale bashkëpunimi me Gjermaninë".

Ferma me perime dhe dru frutorë, që shtrihet në 25 hektarë në një luginë malore, mes detit dhe malit, ka bagëti, gjela deti, pata, vreshta bio, kantinë vere, restorant dhe hotel.

Altin Prenga, pronari i resortit ”Mrizi i Zanave - Agroturizëm"
Altin Prenga, pronari i resortit ”Mrizi i Zanave - Agroturizëm" Fotografi: Ani Ruci/DW

"E kam quajtur „Mrizi i Zanave" resortin sipas poemës së Gjergj Fishtës, klerikut katolik dhe poetit kombëtar anti-komunist të fshatit tonë, që thuri vargje për bukuritë e kësaj zone dhe quajti atë vendin ku rrinë dhe mërzejnë zanat, krijesat mitologjike të malësive shqiptare." - tregon Altin Prenga

Altini ishte 15 vjeç kur në vitin 1998 emigroi bashkë me të vëllain, Antonin, në Itali pas trazirave nga shembja e piramidave. Në fillim lante pjata në një restorant, pastaj hyri në një kurs për shef guzhine. "Pas 12 vitesh punë, përvoje dhe kulture shërbimi në Itali vendosa të mos jem më emigrant, të kthehem në fshat, të ngre këtë sipërmarrje në agroturizëm," tregon Altin Prenga, ideatori dhe pronari i resortit.

Bashkëpunim me familjet fermere të zonës

Ai thotë se kur e nisi sipërmarrjen në vitin 2010 kishte 6 të punësuar, familjarë të tij, tani ka 100 vetë që punojnë në kuzhinë, u shërbejnë klientëve, grumbullojnë, përpunojnë prodhimet bujqësore dhe përkujdesen për kafshët.

Mrizi i Zanave - Agroturizëm bashkëpunon me 400 familje fermerësh të zonës. "Rrjeti i bashkëpunimit është krenaria ime. Në fillim kisha disa hektarë tokë pronë të familjes, tani kam marrë me qira edhe 20 hektarë nga bashkëfshatarët e mi, të cilëve u siguroj punësim në fermë, restorant dhe hotel me paga prej 400 eurosh ne muaj” - tregon Altin Prenga. Për krahasim paga minimale në sektorin publik është 300 euro.

Pamje nga ferma Mrizi i Zanave
Pamje nga ferma Mrizi i ZanaveFotografi: Ani Ruci/DW

Në këtë sipërmarje atë e ka mbështetur edhe organizata gjermane GIZ me një grant prej 55 mijë eurosh për të ndërtuar baxhon e prodhimeve blegtorale.

"Synoj vlerësimin e produktit vendas, gatimet tradicionale dhe edukimin e brezit të ri me frymën e sipërmarrjes. Pranë resortit tonë kemi shkollën bujqësore për të edukuar rininë, që të ndërrmarrë nisma të tjera në sektorin e agroturizmit," thotë Altin Prenga.

Përzierje dashurie dhe pasioni

Restoranti "Mrizi i Zanave - Agroturizëm” nuk është vetëm një vend për të ngrënë shijuar gatime tradicionale me produkte të freskëta nga ferma, djathë të njomë dhie, verë të kuqe nga vreshtat bio, shurup thane dhe trëndafilash: i ndërtuar dhe dekoruar me gurët e zonës, ai është një përzierje dashurie dhe pasioni për fshatin, identitetin dhe motivimit për ndryshim.

Potenciale të reja bashkëpunimi me Gjermaninë

"Shqipëria po ecën vërtet përpara me hapa shumë kurajoze duke kryer reforma dhe modernizuar ekonominë e saj, bujqësinë, adaptuar marrëveshjen e gjelbër dhe strategjine e BE. Është e rëndësishme që në bujqësi të shmangen gabimet që janë bërë në BE si p.sh. përdorimi i tepruar i pesticideve. Do të bashkëpunojmë me Shqipërinë në fushën e zhvillimit të bujqësisë, parakusht për integrimin në BE.” tha në një intervistë për DW ministri gjerman i Bujqësisë, Cem Özdemir, i impresionuar nga qëndrimi për disa orë në resortin "Mrizi i Zanave - Agroturizëm” dhe darka në restorantin e tij.

Potencialet e reja të bashkëpunmit gjermano-shqiptar në fushën e bujqësisë dhe agroturizmit duket se do të realizohen së shpejti.

""Gjermania është një partnere e posaçme e Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt BE. Në janar të vitit që vjen do të lançojmë një program të ri partneriteti me Gjermaninë. Ai synon mbështetje direkte për fermerët, blegtorët, të rejat dhe të rinjtë që dëshirojnë t'i afrohen bujqësisë që t‘ia dalim mbanë të ngrejmë një zinxhir me të qëndrueshëm produktesh dhe arritur objektivin: rritjen e eksportit me 1 miliard dollarë në vitin 2030. Këtë program Gjermania e mbështet financiarisht përmes Ministrisë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe GIZ." thotë Frida Krifca, ministre e Bujqësisië.

Bashkimi Evropian nxit dinamikën e sipëmarrjeve private në bujqësi.

"Kamila Fruit”, një qendër grumbullimi dhë tregëtimi frutash, në Fushë Krujë është një tjetër histori suksesi në sipërmarrrjet private në Shqipëri. Adelina Ziza, e menaxhon këtë sipërmarrje me bashkëshortin e saj, tregon se ata grumbullojnë fruta, kryesisht mollë nga zonat e Dibrës dhe të Korçës nga rreth 400 fermerë, që i ambalazhojnë dhe i ruajnë në dhoma frigoriferike, ku freskia dhe vlerat e frutave ruhen 100 përqind për një vit. "Kamila Fruit" grumbullon rreth 100 mijë ton në vit dhe ka marrë edhe një mbështetje të madhe nga Instrumenti për Asistencën e Para-anëtarësimit për Zhvillimin Rural (IPARD) me rreth 100 mijë euro për të rritur kapacitetet ftohëse frigoriferike me temperaturë të kontrolluar dhe pasur një linjë moderne përpunimi me larje, seleksionim, standardizim të mollëve për të përafruar standardet në agropërpunim me BE.

Adelina Ziza sipërmarrëse
Adelina Ziza sipërmarrëse Fotografi: Ani Ruci/DW

Programi IPARD fokusohet në zonat rurale dhe sektorin agro-ushqimor të vendeve në procesin e anëtarësimit në BE.

Dinamika e sipërmarrjeve private në sektorn e agroturizmit në Shqipëri flet për një bujqësi që kur merr mbështetje financiare nga BE dhe vëmendje nga shteti, ofron mundësi zhvillimi, punësimi dhe realizimi në vend edhe për rininë. Gjermania mbetet donator më i madh I Shqipërisë në marrëdhëniet dy palëshe dhe në kuadër të BE. Në 30 vitet e fundit Gjermania e ka mbështetur Shqipërinë me një shumë prej 1,2 miliardë eurosh me grante dhe kredi. Synimi është rritja e marrëdhënieve tregtare dhe ekonmike mes të dy vendeve në sektorin dhe sipërmarrjet private.