″Shqipëria përfiton nga bashkëpunimi me BE-në në fushën e arsimit″ | Evropa | DW | 03.03.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

"Shqipëria përfiton nga bashkëpunimi me BE-në në fushën e arsimit"

Intervistë me ministrin shqiptar të arsimit, Genc Pollo, mbas takimit të ministrave të BE/së në Heidelberg të Gjermanisë

Një kopësht fëmiijësh në Potsdam

Një kopësht fëmiijësh në Potsdam

Deutsche Welle: Zoti Pollo, temat kryesore të takimit ishin arsimi parashkollor dhe ai të mësuarit gjatë gjithë jetës. Çfarë mund të nënkuptojmë me këtë koncept:

Genc Pollo: "Kryesisht në Evropë, por edhe në shumë vende të tjera të zhvilluara, po pranohet koncepti i të mësuarit gjatë gjithë jetës. Pra, i mësuari nuk është arsimi formal, i cili fillon me klasën e parë të fillores dhe mbaron me maturën apo me diplomën e universitetit. Gjatë gjithë jetës mësohet dhe periudha më formative është periudha parashkollore, mosha 1 deri në 3 vjeç, 3 deri në 6 vjeç, në kopësht, pastaj për të vazhduar me klasën e parë. Gjithashtu, edhe ata që kanë marrë një diplomë, mbas pesë a dhjetë vjetësh kanë nevojë për një formim, sepse shoqëria ecën, teknologjia zhvillohet edhe i duhen dhënë mundësi për të rikuperuar dijet që kanë marrë. Një proçes që duhet institucionalizuar dhe komsiari Figel ka marrë disa iniciativa në këtë drejtim."

Deutsche Welle: Në deklaratën përfundimtare thuhej se arsimi parashkollor është një nga burimet më të rëndësishme për të përballuar më vonë sfidat e globalizmit. A nuk rrezikojmë kështu gradualisht të humbasim fëmijërinë si fenomen?

Genc Pollo: "Globalizmi sjell konkurrencën, konkurrenca sjell përpjekje më të forta, këto sjellin cilësi dhe shërbime më të mira. Vëmendja është përqendruar në arsim, në mënyrë që diplomantët të jenë të kualifikuar dhe të përputhjen me nevojat e tregut, e një tregu në zhvillim, e një tregu dinamik. Kjo është edhe sfida e Shqipërisë dhe e vendeve që nuk e përballojnë këtë sfidë, ngelin mbrapa dhe kjo ka pasoja historike. Por unë nuk do të thoja, që duke u përqendruar tek të mësuarit në kopësht, ne godasim fëmijërinë, sepse ka shumë mënyra për të mësuar. Format e reja të mësimdhënies dhe përqendrimi në moshën parashkollore, nuk duhen parë si diçka jonjerëzore, që i merr fëmijës fëmijërinë, por si një zhvillim modern i studiuar, i përshtatur me natyrën e fëmijës, që e mbrun atë në një moshë të herët, në mënyrë që kur të jetë në moshën 10 vjeçare apo 20 vjeçare, të japë vërtetë maksimumin e aftësive të tija personale."

Deutsche Welle: Çfarë mbetet të bëni ju tani, për t'u afruar këtij koncepti të komisionerit të arsimit Figel, nën mbishkrimin "të mësuarit gjatë gjthë jetës".

Genc Pollo: Shumë punë: investime në arsimin parashkollor, modernizim i kurikulës parashkollore dhe asaj në përgjithësi e shumë të tjera. Disa gjëra janë bërë në Shqipëri në këtë drejtim, por duke e krahasuar përvojën me vendet evropiane, dhe duke u harmonizuar me ato iniciativa te komisionit, apo edhe me proçeset që mund të lançojë komisioni në të ardhmen, them që Shqipëria do të nxjerrë përfitime, sepse arrin ta modernizojë këtë segment më shpejt sesa po të mos bashkëpunonte me Bashkimin Evropian.

  • Data 03.03.2007
  • Autor Intervistoi Anila Shuka
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar8g
  • Data 03.03.2007
  • Autor Intervistoi Anila Shuka
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar8g