Shqipëria me zëvendësministër të brendshëm me kompetenca ministri | Ballkani | DW | 07.11.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëria me zëvendësministër të brendshëm me kompetenca ministri

Pas refuzimit të dekretimit të Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm, Rama e emëroi atë si zëvendësministër. Të mërkurën ai nisi detyrën.

Sandër Lleshi, ka nisur të mërkurën (7.11.2018) detyrën e  zv./ ministrit të Brendshëm, me kompetencat e ministrit. Emërimi i tij u bë të martën (6.11.2018) nga kryeministri Rama, pas miratimit nga Parlamenti në një seancë të jashtëzakonshme të shkarkimit të ish-Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe mosdekretimit të tij nga Presidenti, gjë që përbën një të paprecedentë në historinë 27-vjeҫare të Institucionit të Presidencës në Shqipërinë Postkomuniste.

Arsyet e mosdekretimit të Sandër Lleshit, ushtarak me gradën Gjeneral, këshilltar i kryeministrit Rama për çështje të Sigurisë Kombëtare deri dje,  janë ende të panjohura për publikun. Refuzimi i Presidentit Meta për të dekretuar Lleshin si Ministër të Brendshëm u bë i njohur fundjavën e kaluar përmes një njoftimi të Presidencës: "Presidenti i  Republikës nuk ka krijuar bindjen e plotë për t‘i dhënë besim kandidaturës së Sandër Lleshit, si Ministër i Brendshëm".

Por arsyet që kanë çuar Presidentin të  mos „krijojë bindje të plotë" mbeten të panjohura, ndërkohë që Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) dhe NATO kanë publikuar përgjigjen ndaj kërkesës së Presidentit Meta lidhur  me pastërtinë e figurës së Lleshit: „Lleshi është një figurë e pastër".

Kushtetuta e Shqipërisë sanksionon me ligj që Ministrat emërohen dhe shkarkohen nga Presidenti me propozim të Kryeministrit. Kushtetuta nuk i jep kompetenca ligjore Presidentit të refuzojë propozimet e kryeministrit për Ministrat e kabinetit të tij qeveritar. Në një republikë parlamentare, si Shqipëria, parlamenti është autoriteti më i rëndësishëm dhe kryeministri është përfaqësues i maxhorancës parlamentare.

Situatë e ngjashme para një viti

Vetëm 1 vit më parë në Shqipëri u krijua një situatë e ngjashme,  kur në shtator 2017, kryeministri Rama, në mandatin e tij të dytë qeverisës, propozoi Fatmir Xhafën si Ministër të Brendshëm. Për presidentin e atëhershëm, Bujar Nishani, kandidatura ishte e papranueshme. Por ai e dekretoi.  "Kushtetuta nuk më jep kompetencën  të refuzoj një kandidaturë të kryeministrit për ministër. Në rast se do ta kisha këtë të drejtë do ta kisha refuzuar kandidaturën e Fatmir Xhafaj", argumentoi atëherë Nishani qëndrimin e tij.

Vendimi i Presidentit Meta për të mos dekretuar Sandër Lleshin si ministër të brendshëm përkon në kohë me një situatë përsëri të paprecedentë: Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetuese, gjyqtarët e saj dolën jashtë sistemit nga vettingu dhe ende nuk janë zëvendësuar me ata që kanë kaluar nga sita e vettingut. Ministria e Brendshme është institucioni kryesor në luftën kundër krimit të organizuar, kusht i kryesor për BE për të hapur vitin që vjen negociatat e anëtarësimit, dhe nuk mund të mbetet pa kreun e saj, ministrin. Në këtë situatë e vetmja zgjidhje ishte emërimi i Sandër Lleshit si Zv/Ministër i Brendshëm me kompetencat e Ministrit të Brendshëm.

Marrëdhënie të acaruara Presidencë- Kryeministri

Krisja mes Presidencës dhe Kryeministrisë është "de facto”. Vendimi i Presidentit Meta për të mos dekretuar Sandër Lleshin si Ministër të Brendshëm nuk u shoqërua me argument. Kjo  ka acaruar marrëdhëniet mes Presidencës dhe Kryeministrisë. Vetë Meta dhe Rama e kanë lënë të kuptohet qartë se kjo ka ndodhur.  " Nuk do të lejoj asnjë përpjekje sfiduese ndaj autoritetit që përfaqësoj si  Kryetar Shteti, Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë, ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”, ka paralajmëruar Meta përmes një njoftimi të zëdhënësit të Presidencës. Rama ka shkuar më tej duke e cilësuar "President qesharak” për shkak të një arsyeje refuzimi, që nuk është bërë publike por që Meta ia ka thënë sy më sy Ramës, në takimin për këtë çështje në Presidencë. "Çdo gjë mund të përballoj, por një president qesharak nuk e përballoj dot për atdheun tim. Mirë se të vijë z. President të tregojë me dyer të hapura apo të mbyllura, në Parlament, gjithçka që ka mbajtur përbrenda , por mos qoftë ajo që më ka thënë mua, larg qoftë!” tha në fjalën e tij në Parlament kryeministri Rama . Çfarë Meta i ka thënë Ramës, mbetet tani për tani mister. Mediat e Tiranës spekulojnë me "informacion të klasifikuar”, por kjo nuk shikohet si argument për misterin pasi SHISH-i dhe NATO-ja publikuan përgjigjet e tyre lidhur me pastërtinë e figurës së Sandër Lleshit.

Por njëherazi me këtë komunikim të trazuar shfaqet edhe një vektor tjetër: përpjekjet për të mos thyer, shkatërruar marrëdhënien institucionale. Kryeministri Rama i jep kohë Metës dhe vetes për hapat e mëpasshëm. "Nuk  kam humbur besimin që Presidenti nuk e ka thënë ende fjalën e fundit për këtë ҫështje”.

Por hapat e maxhorancës parlamentare nuk janë të panjohura: Ajo nuk i ka votat për të filluar procedurat e shkarkimit të Presidentit Meta. Krijimi i Gjykatës Kushtetuese në muajt në vijim i jep asaj mundësinë ta ҫojë ҫështjen tek kjo Gjykatë.

 

Reklamë