Shqipëri: Pasoja të rënda social-ekonomike nga COVID-19 | Ballkani | DW | 13.08.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Shqipëri: Pasoja të rënda social-ekonomike nga COVID-19

Ndihmë Shqipërisë në përballimin e pasojave të Coronës: BE ofron një grant prej 180 milionë Eurosh, kurse Gjermania vijon mbështetjen me një ndihmë financiare prej 10,56 milionë Euro.

Albanien Covid-19 Peter Zingraf und Anila Denaj

Ministrja e Financave, Anila Denaj dhe ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf

Që nga marsi i këtij viti Shqipëria vazhdon të jetë e mbërthyer nga kriza e pandemisë COVID - 19. Numri i viktimave arriti të enjten, (12.08) në 208 vetë, rreth 6 herë më i madh se ai në tre muajt e izolimit, mars- maj. Çdo ditë autoritetet shëndetësore njoftojnë për viktima dhe raste të reja infektimi me mbi 130 në  ditë, që po i afrohen numrit 7.000 vetë në total.

Pasojat e krizës në ekonomi shfaqen të rënda nga dita në ditë: falimentim biznesesh, shtim i papunësisë, rënie e fuqisë blerëse, e prodhimit vendas dhe e shkëmbimeve tregtare.Eksperti në ekonomi, Prof. Dr. Adrian Civici, rektor në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, thotë për DW se ekonomia do të ketë këtë vit një Prodhim të Brendshëm Brutto, (GDP) me rreth 1-1,2 miliardë euro më pak se vitin e kaluar.

"Në nivel makro mund do të ketë rritje të borxhit publik, rritje të papunësisë, tkurrje të  investimeve të brendshme dhe të jashtme, rritje të kostos së shumë bizneseve, etj. Të dhënat tregojnë rritje të numrit të bizneseve të vogla dhe atyre familiare që kanë falimentuar apo kanë bllokuar përkohësisht aktivitetin e tyre, humbje të vendeve të punës, vështirësi në plotësimin e kontratave dhe detyrimeve financiare, vështirësitë për kontraktime të reja në të ardhmen e afërt, sidomos me partnerët e jashtëm”, thotë për  DW Ardian Civici.

Kur dhe si mund të rikuperohen pasojat e COVID-19?

Institucionet ndërkombëtare FMN dhe Banka Botërore parashikojne ringritje të shpejtë të ekonomisë së Shqipërisë vitin e ardhshëm, nisur nga parashikimi se do të bjerë efekti negativ i pandemisë në muajt në vijim dhe nga shpresa që pandemia nuk do të ketë një valë të dytë apo të tretë. "Rikthimi i ritmeve të larta të rritjes ekonomike mendoj se do të të jetë i ngadalshëm. Shpresat janë që normaliteti të kthehet në vitet 2022-2023 nisur nga shkalla e rëndë e goditjes nga pandemia të turizmit, shërbimeve, transportit, ndërtimit, fasonerisë që janë sektorë jetikë të ekonomisë në Shqipëri. Këta sektorë do të kërkojnë të paktën 1- 2 vjet që të rimëkëmben plotësisht. Ndërkohë që ekonomitë kryesore, me të cilat Shqipëria bën importet dhe eksportet, investimet, kontratat kryesore si ekonomia italiane dhe greke janë goditur gjithashtu rëndë dhe kërkojnë një periudhë 6-12 mujore për t'u rrimëkëmbur gjë që do reflektohet dhe në dinamikat e ekonomisë shqiptare”, thotë për DW, Adrian Civici.

Dr. Ardian Civici

Prof. Dr. Adrian Civici

Ndërkohë luajnë rolin e tyre në rikuperimin e pasojave të pandemisë në ekonomi edhe politikat ekonomiko- financiare dhe sociale të qeverisë. "Lypset një paketë e tretë mbështetëse nga qeveria, ekskluzive për biznesin dhe një plan rimëkëmbjeje dy vjeçar për ekonominë. E kam fjalën për mbështetje financiare direkte për një kategori të gjerë biznesesh, lehtësira fiskale dhe tatimore, përmirësimi i klimës së biznesit, rritje e mbështetjes sociale, shtim i financimeve në arsim, shëndetësi, teknologjitë moderne dhe dixhitalizim, nxitje e kreditimit bankar dhe investimeve private, formimim profesional dhe përshtatje të burimeve humane me kompetencat dhe njohuritë e reja që po kërkon koha post-COVID-19,” thekson për DW, Ardian Civici.   

BE dhe Gjermania mbështesin rikuperimin e pasojave COVID-19

"Jemi të fortë së bashku”. Me këtë motivim të shprehur të enjten, (12.08) nga Luigi Soreca, ambasadori i BE në Tiranë, tha se BE po vijon solidaritetin ndaj Shqipërisë dhe gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor në përballimin e pasojave në ekonomi të pandemisë COVID-19. Në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit për programet e ndihmës makro-financiare, BE i akordoi Shqipërisë të enjten, (12.08) një ndihmë makro- financiare prej 180 milionë Eurosh.

Kjo ndihmë do të përdoret për forcimin e financave publike dhe qëndrueshmërinë e sektorit financiar, forcimin e mbrojtjes sociale, përmirësimin e qeverisjes dhe luftën kundër korrupsionit. Në mes të kësaj jave, (11.08) Gjermania, në vijim të mbështetjes ndaj krizës së pandemisë COVID-19, i premtoi Shqipërisë një ndihmë financiare prej 10, 56 milion euro për përballimin e pasojave sociale dhe ekonomike, premtim i dhënë Minestres së Financave Anila Denaj nga ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf.

"Jam i kënaqur që ne po u qëndrojmë në krah partnerëve tanë shqiptarë edhe gjatë krizës së koronavirusit. Pasojat ekonomike dhe sociale të pandemisë janë një sfidë e madhe – ne mbështesim Shqipërinë në këtë sfidë, ” citohet ambasadori Zingraf, në një deklaratë për shtyp të ambasadës gjermane në Tiranë. 

Mbështetja financiare prej 10, 56 milionë eurove do të shërbejë për t'iu përgjigjur në mënyrë të fokusuar krizës së Covid-19 dhe për të lehtësuar pasojat sociale dhe ekonomike të pandemisë në Shqipëri. Vënia në dispozicion e kësaj mbështetjeje financiare do të forcojë edhe më tej bashkëpunimin më se 30-vjeçar midis Gjermanisë dhe Shqipërisë, vë në dukje deklarata. "Ndihma të tilla kanë një  rol mbështetës shumë pozitiv, si në rastin e rikuperimit të pasojave të tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar, ashtu dhe në rikuperimin e pasojave të pandemisë COVID-19” thotë për DW, vlerëson Adrian Civici.